Heroi jugosllav i Luftës së Dytë Botërore kujton «Ditën e Fitores» në 1945

Ndërsa Serbia shënon Ditën e Fitores, një nga të paktët burra ende gjallë që është shpallur hero kombëtar jugosllav për rolin e tij në Luftën e Dytë Botërore kujton festimin e tij të parë të pasluftës në vitin 1945.

Marshalli sovjetik Georgy Zhukov në paradën e parë të fitores pas Luftës së Dytë Botërore në Moskë në 1945. Foto: Wikimedia.



Shtatëdhjetë e dy vjet më parë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, një serb i ri i quajtur Petar Matiq «Dule» ishte në Sheshin e Kuq të Moskës duke parë festimin e parë të Ditës së Fitores Sovjetike – një shfaqje masive e 40,000 trupave të Ushtrisë së Kuqe dhe pothuajse 2,000 automjete ushtarake, që u mbajt për të shënuar dorëzimin e Gjermanisë naziste një muaj më parë në maj 1945.

Si një komunist i ri nga qyteti Irig në provincën veriore të Vojvodinës në Serbi, Matiq ishte i përfshirë në Luftën e Dytë Botërore që nga fillimi i saj dhe u plagos dy herë.

Kur mbaroi lufta, ai u befasua kur Josip Broz Tito e dërgoi atë dhe 14 jugosllavë të tjerë në Moskë për paradën e fitores së Stalinit.

«Ky ishte një moment historik. Diçka e mrekullueshme. Ne pamë ushtrinë që fitoi luftën botërore – të mirë organizuar, të trajnuar mirë … Në Sheshin e Kuq në Moskë kishte aq shumë njerëz, saqë për mua ishte një skenë dramatike, sepse pashë gëzimin dhe trishtimin në të njëjtën kohë në një vend», tha Matiq, tani 97 vjeç, në një intervistë për BIRN.

Vendet ish-komuniste e shënojnë Ditën e Fitores më 9 maj, duke përkujtuar mposhtjen e Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore – por për Matiqin, koha e tij në kryeqytetin sovjetik ishte e mbushur me trishtim.

Ai kujton se ishte në një stacion hekurudhor në Moskë dhe shikonte njerëzit duke pritur me një shpresë të dëshpëruar që të dashurit e tyre të ktheheshin në shtëpi.

«Pashë nëna, fëmijë, të afërm të tjerë që prisnin anëtarët e familjes së tyre, por shumë prej tyre u kthyen në shtëpi pa heroin e tyre. Ky ishte një moment shumë i dhimbshëm, plot hidhërim. Vetëm disa nga ata luftëtarë u kthyen gjallë nga lufta», kujton ai me lot në sy.

Ai beson se sovjetikët festuan fitoren e tyre, por edhe jugosllavët ishin fitimtarë.

«Sigurisht që ishim fitimtarë! Përveç Jugosllavisë dhe vendeve të tjera nga Perëndimi që kishin ushtri të mëdha, vetëm Greqia dhe Shqipëria po luftonin për liri. Ndonjëherë kishte 20, 30, 50 divizione armiku kundër nesh. Ne kishim një ushtri të respektuar, rreth 300 mijë luftëtarë u vranë, fshatra u dogjën në të gjithë Jugosllavinë, por po luftonim ende të gjithë kundër fashizmit», shpjegoi ai.

Para vitit 1944, Matiq ishte një luftëtar partizan komunist, i cili e kaloi luftën kryesisht duke mbrojtur Vojvodinën dhe zonën e saj administrative të Sremit.

«Vojvodina ishte ndër radhët e atyre që kanë bërë pjesën më të madhe në betejën për liri», këmbënguli ai.

«Edhe pse nuk ishte qendra e ngjarjeve të luftës, Vojvodina siguroi disa njësi të pajisura mirë që luftuan në territorin e Bosnjës dhe morën pjesë në Operacionin Mbrojtës Strategjik të Beogradit në vitin 1944. Dhe ne ishim aq të bashkuar, saqë njësi të tjera s’mund të krahasoheshin me ne», shtoi ai.

Matiq kishte qenë aktiv në Partinë Komuniste që nga viti 1941 dhe pas luftës ai ishte anëtar i presidencës së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë.

Ai u nderua me një medalje nderi dhe mori statusin e heroit kombëtar në vitin 1951.

«U nderova dhe isha krenar, por s’jam mburrur kurrë për këtë. Në luftë kishte shumë heronj dhe mendoj se edhe disa prej tyre meritonin medalje», tha ai.

Të mbrosh një Jugosllavi të bashkuar

Heroi kombëtar jugosllav Petar Matiq Dule në shtëpinë e tij në Beograd. Foto: BIRN.

Ai dha dorëheqjen nga posti i tij si kreu i SUBNOR, organizata që përfaqëson ish-partizanët, në vitin 1988, ndërsa Sllobodan Millosheviqi filloi të ushtronte ndikimin e tij në politikat në ish-Jugosllavi. Matiq mbrojti idenë e një Jugosllavie të mbrojtur deri në fund të karrierës së tij profesionale.

Ai risjell në mendje se disa anëtarë të SUBNOR-it nga Serbia në atë pikë kishin filluar të shprehnin pikëpamje nacionaliste.

«Pata një debat me anëtarë të tjerë të SUBNOR-it dhe kuptova se nuk kishte më vend për mua, sepse ata filluan të ndaheshin. Edhe sikur të kisha mbështetjen e disa anëtarëve sllovenë, kroatë dhe boshnjakë, grupi nga Serbia qendrore tashmë ishte i përgatitur të përhapte ndikimin e tyre dhe ata ia dolën mbanë», tha ai.

Ai tha se Millosheviqi e shënoi atë si një person «që nuk ishte mjaftueshëm serb», edhe pse ata nuk ishin takuar kurrë.

«Mendoj se ai nuk ishte i vetmi fajtor për të gjitha ato që i ndodhën Jugosllavisë. Kur shoqëria jonë ishte gati për transformim, idetë demokratike filluan të dominonin, por nacionalistët gjithashtu po rriteshin në popullaritet. Ata vendosën se në cilin drejtim duhet të shkonte shoqëria jonë dhe ata ruajtën idenë që ne serbët duhet të ishim të gjithë në një vend dhe se ne jemi më të mirë sesa të tjerët», shpjegoi ai.

Përsa i takon trashëgimisë së Titos, Matiq sugjeron që sot lideri komunist ndoshta do të shihej si një autokrat, por në periudhën e pasluftës ai nuk mund të kishte vepruar si një demokrat për shkak të rrethanave të vështira të kohës.

«Demokracia nuk ishte e mundur. Nëse mendoj për diskutimet që ai pati me liderët provincialë dhe ata nga ish-republikat jugosllave, do të shikoni se ai gjithmonë përpiqej t’i dëgjonte të gjithë, të mendonte për problemet, të merrte këshilla dhe të merrte një vendim të pranueshëm për të gjithë. Ai përfundimisht nuk ishte një autokrat», këmbënguli ai.

Shoku Dule, siç e quanin atë partizanët gjatë luftës, tani i kalon ditët e tij në zonën e qetë të Senjakut në Beograd.

Ai është ende i interesuar në çështjet e përditshme politike dhe përpiqet të jetë i azhurnuar me lajmet e fundit nga Ballkani dhe nga e gjithë bota. Ai zakonisht dëgjon lajmet në radio dhe gruaja e tij ndonjëherë i lexon atij gazetën.

Matiq mendon se Partia qeverisëse Progresive Serbe dhe lideri i saj, kryeministri dhe tashmë kreu i zgjedhur i shtetit Aleksandër Vuçiq, është politikisht më pranë mënyrave të vjetra të Millosheviçit, pjesë e qeverisë së të cilit Vuçiq ishte në vitet 1990.

«Pavarësisht atyre që mendon kushdo për Vuçiqin dhe regjimin e tij, unë mendoj se qasja e tij është produkt i atij sistemi të vjetër dhe është më pranë atij sesa është demokratike», këmbënguli ai.

Pavarësisht të gjithë kësaj, heroi kombëtar jugosllav dhe veterani i luftës kundër fashizmit parashikoi se shpirti demokratik do të lindë përsëri në Serbi.

«Një rizgjim do të ndodhë, por do të dojë shumë kohë», tha ai.

(https://www.reporter.al/heroi-jugosllav-i-luftes-se-dyte-boterore-kujton-diten-e-fitores-ne-1945/)