Heroi i ri i Kosovës

Deputeti i pakicës rome Kujtim Paçaku detyroi zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet të kërkojnë falje për fyerjet e bëra ndaj romëve, të cilat dëgjohen në përgjimet e publikuara së fundi.

Kujtim Paçaku, poet rom.

Ja «Martin Luther Kingu i Kosovës», njoftuan disa gazetarë më 1 shtator, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës. Heroi i ri quhet Kujtim Paçaku, deputet i pakicës rome. Ai e pati kurajon të këmbëngulë publikisht për kërkimfalje për shprehjet e përdorura në përgjimet e aferës «Dosja e shefave». Në këto incizime të publikuara gjatë kësaj vere nga gazeta online «Insajderi«», dëgjohen zyrtarët më të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, duke i cilësuar romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët e Kosovës, me terma pezhorativ, si «magjup» ose «gabel».

«Jam deputet, anëtar i Kryesisë së Kuvendit, shkrimtar i komunitet rom, jo shkrimtar i komunitetit magjup dhe gabel. Këto dy thënie i kemi dëgjuar në Insjaderin e famshëm, ku flisnin zonja e nderuar Hadërgjonaj dhe Grabovci. Nuk kam fuqi të ngre ndonjë akt juridik, por nuk largohem nga kjo foltore pa kërkuar falje», ka thënë Kujtim Paçaku në foltore. I duartrokitur nga të gjithë deputetët, ai e pranoi në fund kërkimfaljen nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe dy të zgjedhurit e PDK-së.

«Nuk jam ndier mirë kur kam dëgjuar kualifikime të tilla. Kjo më kujtonte ditët e para në shkollë, kur më cilësonin si ‹magjup› ose ‹gabel›, shpjegon Kujtim Paçaku. «Kosova e sotme nuk duhet të ketë ende ‹magjup› dhe as ‹gabel›. Ajo duhet të jetë një shtet ku të gjithë janë të barabartë. Kam ndjerë shumë krenari kur jam duartrokitur nga deputetët, si nga ata të shumicës, ashtu edhe nga ata të opozitës». Ai shton me humor se do të dëshironte të jetë «Martin Luther Kingu i tërë Kosovës dhe jo vetëm i romëve».

Me prejardhje nga Prizreni, «kryeqyteti kulturor» i Kosovës, Kujtim Paçaku është zgjedhur deputet i Partisë së re të Romëve gjatë zgjedhjeve parlamentare në qershor 2014.

Duke përfituar nga Korniza Kushtetuese e Kosovës e cila favorizon përfaqësimin parlamentar të pakicave, ai është deputet i zgjedhur me më së paku vota, me 280 sosh. Por kjo nuk e ka penguar të jetë një nga parlamentarët më aktivë të pakicave joserbe.

Poet, shkrimtar, gazetar, ish-bashkëpunëtor i Courrier des Balkans, 57 vjeçari Kujtim Paçaku është angazhuar gjithherë për të drejtat e komunitetit rom në Kosovë. Pasioni i tij mbetet megjithatë poezia, ku i këndon jetës dhe sidomos dashurisë. «Kultura është si një aeroplan ushtarak. Është arma ime», thotë shpesh ai.

Gjithnjë aktiv në promovimin e kulturës dhe gjuhës rome, ai është angazhuar në politikë në një kontekst të vështirë politik dhe shoqëror. Romët e Kosovës kanë përfunduar në «kurthin» e përplasjes serbo-shiptare. Komuniteti rom është zvogëluar gradualisht pas luftës së vitit 1999: vetëm 30’000 romë konsiderohet se jetojnë ende sot në Kosovë. «Komuniteti ynë meriton më shumë dhe më mirë, në të gjitha fushat, veçmas në banim», pohon Kujtim Paçaku. «Kualifikimet pezhorative kanë penguar historikisht integrimin e romëve, qoftë në shkollë, në spitale ose në rrugë».

Deputeti karizmatik i Kuvendit të Kosovës kërkon sot thjeshtë zbatimin e Kushtetutës dhe të legjislacionit ekzistues për pakicat.

«Romët përfaqësojnë vetëm 0,01 për qind të të punësuarëve në sektorin publik. Nuk po respektohet ligji që parasheh 10 për qind përfaqësim të pakicave. Serbët e Kosovës kanë një trajtim më të mirë se pakicat tjera», nënvizon ai.

Në Kosovën e tronditur nga tensionet e fuqishme të brendshme politike dhe të bllokuar nga rezultatet e zbehta të procesit të «normalizimit» të marrëdhënieve me Serbinë, sfida e Kujtim Paçakut për t’i përmirësuar të drejtat e komunitetit rom duket e vështirë. Siç e ka dëshmuar afera e «Dosjes së shefave», pjesëmarrja e romëve në qeveri nuk e ndryshon shumë gjendjen e tyre, përkundër disa posteve që i takojnë partive të pakicave joserbe, të bashkuar në grupin «6+», i cili është pjesë e shumicës parlamentare. Kjo pjesëmarrje duket të ketë edhe atribute të «Sindromit të Stockolmit », ku partitë e pakicave nuk guxojnë pothuajse kurrë ta kritikojnë veprimet e qeverisë.