«Hendikosi» në Lipjan në gjendje të mjerueshme

Barakë e cila tash e 11 vjet funksionoi si zyrë për shoqatën «Handikos», tregon për gjendjen e personave me aftësi të kufizuara në komunën e Lipjanit.




Derisa numri i këtyre personave në Lipjan shkoi duke u rritur përgjatë viteve, e njëjta gjë nuk ndodhi edhe me privilegjet edhe me subvencionet që do të duhej shteti t’ua siguronte, raporton KTV.

Në këto zyre të improvizuara të shoqatës, pa ujë dhe kushte elementare, ata ndihen të harruar nga shoqëria.

Komuna vite më parë ndau një pjesë të tokës, por ata asnjëherë nuk arritën të gjejnë zgjidhje për sistemim.

Me pensionin për aftësi të kufizuar, Fatmir Sopa mban anëtarët e tjerë të familjes.

Aplikimi i tij për punë në komunën e Lipjanit si person me aftësi të kufizuara nuk i ndihmoi fare.

Kryetari i komunës së Lipjanit thotë se komuna nuk arriti t’i transferojë në llogari bankare subvencionet, për shkak të paqartësive që patën mes vete shoqatat.

Ai gjithashtu nuk është në dijeni nëse komuna që ai udhëheq ka të punësuar ndonjë person me aftësi të kufizuara.

Kjo shoqatë, e cila numëron një numër të konsiderueshëm të personave me aftësi të kufizuar në Lipjan, për momentin nuk ka asnjë donator dhe i vetmi aktivitet i saj është shpërndarja e librezave për ata që vijnë të anëtarësohen, transmeton Koha.net.

Në Kosovë janë rreth 150 mijë persona me aftësi të kufizuara të llojeve të ndryshme.