Helmhedhësi i Vladimir Putinit

Nikolai Patrushev është shef i të gjitha shërbimeve sekrete ruse. Rrjedhimisht, ai është dora e djathtë e Vladimir Putinit dhe kryeideolog antiperëndimor. Patrushev ka vizituar Beogradin - për të thelluar bashkëpunimin mes shërbimeve sekrete dhe për të diskutuar për Kosovën. Portret i një politikani luftënxitës.

Nikolai Patrushev nga viti 1999 deri më 2008 ka qenë shef i shërbimit të brendshëm sekret rus FSB. Që nga viti 2008 ai është sekretar i Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse - ose me fjalë të tjera: shef i të gjitha shërbimeve sekrete të Rusisë.

Më 31 dhjetor 1999 Boris Jelcini paralajmëroi se do t’i drejtohet popullit me një fjalim; shumë njerëz në Rusi mendonin se presidenti do t’u uronte atyre jo vetëm ndërrimin e moteve, por edhe të mijëvjeçarëve. Jelcin, ndërkaq, befasoi publikun duke dhënë dorëheqje dhe emëruar kryeministrin Vladimir Putin, atëbotë 47-vjeçar, në postin e presidentit të përkohshëm. Disa muaj më vonë në Rusi u mbajtën zgjedhjet presidenciale dhe Putin, një agjent i KGB-së, u bë pasardhës i Jelcinit. Qe 16 vjet Putini është politikani më i fuqishëm rus. Rrethi i tij i ngushtë përbëhet prej miqve të tij, të cilët kryesisht rrjedhin nga Shën Petërburgu (ish-Leningradi) dhe në të shumtën e rasteve kanë punuar me Putinin në shërbimin sekret sovjetik.

Eksperti i Rusisë Andrew Monaghan, i cili punon për thinktankun e njohur britanik Chatham House, në një analizë të publikuar vitin e fundit kishte përmendur pesë persona që përbëjnë rrethin më të besueshëm të Putinit. Ata janë: Nikolai Patrushev, Sergej Ivanov, Dmitri Medvedev, Aleksej Kudrin, Igor Seçin. Në këtë pesëshe këshilltari i parë, bashkëpunëtori më i rëndësishëm dhe më i besueshëm është Nikolai Patrushev. I lindur më 1951 në Leningrad, ai nga viti 1999 deri më 2008 ka qenë shef i shërbimit të brendshëm sekret rus FSB. (Në vitet ’90 shef i FSB-së ka qenë edhe Putini). Që nga viti 2008 Patrushev është sekretar i Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse – ose me fjalë të tjera: shef i të gjitha shërbimeve sekrete të Rusisë. Si Putini edhe Patrushev ka filluar karrierën në shërbimin sekret sovjetik KGB.

Patrushev është kryeidologu antiperëndimor i Rusisë. Në mediat perëndimore ai është bërë i njohur me një citat të falsifikuar të ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright, e cila, sipas tij, gjoja ka thënë se është e padrejtë që Rusia zotëron aq shumë territor me aq shumë resurse. «Ju kujtohet me siguri fjalia e ish-ministres së Jashtme të SHBA-së Madeleine Albright, e cila ka thënë se Rusisë nuk i takon as Siberia, as Lindja e Largët». Nuk ka asnjë dëshmi me shkrim apo tonike që Albright të ketë thënë diçka të tillë. Duke u nisur nga ky citat i rremë Patrushev thotë se qëllimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është të zhdukin Rusinë nga faqja e dheut.

Patrushev përmendet edhe si organizator i vrasjes me helm (Polonium-210) të ish-agjentit të KGB-së, Aleksander Litvinenko, në Londër. Sipas gjykatësit britanik Robert Owen, i cili ka shkruar një raport të gjatë hetues për këtë rast, vrasja me helm e Litvinenkos në nëntor të vitit 2006 ishte miratuar nga shefi i atëhershëm i FSB-së Nikolai Patrushev – «me gjasë me lejen e Putinit». Pas raportit të Robert Owenit, i cili u publikua në janar të këtij viti, e veja e Litvinenkos deklaroi: «Jam e gëzuar që fjalët që i ka thënë burri im në shtratin e vdekjes, kur e akuzoi zotin Putin për vrasje, dolën të vërteta. (…) Kërkoj sanksione të drejtpërdrejta ekonomike dhe ndalim të hyrjes së njerëzve të caktuar (në Britaninë e Madhe) – edhe për Patrushevin dhe Putinin».

Në letrën e tij lamtumirëse Aleksander Litvinenko e kishte akuzuar drejtpërdrejtë Vladimir Putinin se qëndron pas vrasjes së tij: «Ndërsa po qëndroj këtu, gjithnjë e më shumë po e dëgjoj jehonën e krahëve të engjëllit të vdekjes. Ndoshta edhe njëherë do t’i shpëtoj atij, por më duhet të them se këmbët e mia s’janë më aq të shpejta, siç do të doja. Prandaj, mendoj se ka ardhur koha t’ia them dy-tri gjëra atij njeriu, i cili është përgjegjës për gjendjen time aktuale. Ju (Putin) ndoshta do t’ia dilni të ma mbyllni gojën, por kjo heshtje ka një çmim. Ju u dëshmuat aq barbar dhe i pamëshirshëm siç kanë thënë armiqtë tuaj më të ashpër. Ju treguat se nuk keni respekt për jetën, për lirinë apo ndonjë vlerë tjetër të civilizimit. Ju jeni dëshmuar si i padenjë për postin që keni, i padenjë për të gëzuar besimin e burrave dhe grave të civilizuara. Ju ndoshta do t’ia dilni t’ia mbyllni gojën një njeriu. Por protesta nga mbarë bota, zoti Putin, do të jehojë në veshët tuaj sa të jeni gjallë».

Vrasja e Aleksander Litvinenkos, siç dihet, nuk pati ndonjë konsekuencë konkrete ndaj Putinit dhe Patrushevit. Tek pasi Moska pushtoi siujdhesën ukrainase të Krimesë BE dhe SHBA vendosën sanksione kundër Rusisë. Patrushev shquhet për retorikën e ashpër kundër Ukrainës. Në një intervistë dhënë gazetës «Moskovski Komzomolec» në fillim të këtij viti ai tha se «udhëheqja e Ukrainës» përbëhet prej «vasalëve të SHBA-ve, të cilët zbatojnë vullnetin e të huajve». Ky kurs, sipas tij, do të çojë në «shpërbërjen e Ukrainës».

Patrushev është i bindur se Rusisë i kanosen dy rreziqe: terrorizmi ndërkombëtar dhe «revolucionet shumëngjyrëshe», siç quhen në Rusi lëvizjet demokratike në ish-republikat sovjetike. Kremlini është i bindur se pas protestave në Gjeorgji (2003) dhe Ukrainë (2004, 2013, 2014) qëndron Washingtoni. Qëllimi, sipas palës ruse, është të instalohen qeveri properëndimore. Patrushev nuk atakon vetëm amerikanët. Për të europianët janë «të pavullnetshëm … dhe SHBA duan të dominojnë botën. Këtë qëllim e kanë të definuar në doktrinat e tyre».

Ndërkohë që në Mal të Zi dhe në Serbi po shtohen zërat që supozojnë se shërbimet ruse mund të jenë të involvuara në një aksion për grusht shteti në Podgoricë kundër Milo Gjukanoviqit, të mërkurën në Beograd qëndroi Nikolaj Patrushev. Ai takoi ministrin e Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq, ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiq, dhe kryetarin serb Tomislav Nikoliq. Portali rus «Sputnik» citoi një bashkëpunëtor të Patrushevit, i cili tha se qëllimi i vizitës në Beograd është zhvillimi i diskutimeve mbi terrorizmin ndërkombëtar dhe «Kosova, e cila ende është vatër e ekstremistëve, që po shtojnë ndikimin në të gjitha drejtimet, gjë që, natyrisht, shqetëson edhe Këshillin Rus të Sigurisë».

Në Beograd Patrushev propozoi nënshkrimin e një Memorandumi të mirëkuptimit mes Këshillit të Sigurisë të Rusisë dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë në mënyrë që të vendoset komunikimi i rregullt mes shërbimeve sekrete. Autoritetet serbe mohuan se vizita e Patrushevit është caktuar pas arrestimit të 20 serbëve në Mal të Zi, të cilët dyshohet të kenë bërë plane për të rrëzuar nga pushteti kryeministrin malazez Milo Gjukanoviq dhe për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Disa nga këta serbë janë nga pjesa veriore e Kosovës. Dyshimet se ekstremistët serbë kanë qenë të përkrahur nga Rusia i ka përforcuar vetë kryeministri Aleksandar Vuçiq, i cili në një konferencë për shtyp të martën në mbrëmje deklaroi se Beogradi ka «dëshmi të pamohueshme» se në territorin e Serbisë janë përgatitur aktivitete të paligjshme kundër Malit të Zi. Vuçiq tha se janë konfiskuar 125 mijë euro dhe uniforma, por nuk tregoi se për çfarë uniforma bëhej fjalë. Personat e arrestuar në Serbi, sipas Vuçiq, e kanë vëzhguar Gjukanoviqin dhe kanë deponuar informacione mbi vendndodhjen e tij. Kryeministri i Serbisë tha se të arrestuarit nuk kanë asnjë lidhje me politikanë serbë apo malazezë, por me një «shtet të tretë». Për shumë vëzhgues «shteti i tretë» është Rusia.

Gjatë vizitës në Beograd kryeagjenti rus Nikolaj Patrushev të mërkurën nuk u takua me Aleksandar Vuçiqin, i cili nga Kremlini konsiderohet properëndimor, ndërsa si «njerëz të Rusisë» në Beograd llogariten ministri i Jashtëm Ivica Daçiq dhe kryetari Tomislav Nikoliq. (Një takim mes Patrushevit dhe Vuçiqit pritej të realizohej të enjten). Ish-çetniku Nikoliq ka shprehur ambicie për një mandat të dytë presidencial dhe po përpiqet të mobilizojë shtresat nacionaliste me retorikë antiperëndimore dhe kërcënime ndaj Kosovës. Gjatë vizitës në Beograd Patrushev dha një mesazh që mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Sipas tij gjendja gjeopolitike në botë po ndryshon dhe është shumë dinamike – përfshirë edhe ndryshimet dinamike në Ballkan.

Me rënien masive të çmimeve të naftës në tregun ndërkombëtar viteve të fundit janë shterur dukshëm edhe të hyrat në buxhetin rus. Edhe sanksionet e Bashkimit Europian dhe të SHBA kundër Rusisë po tregojnë efekte. Rrjedhimisht, pala ruse duket shumë e interesuar të konfrontohet në mënyra të ndryshme me Perëndimin. Në këtë mënyrë qytetarët rusë detyrohen të rreshtohen në «frontin patriotik përballë rrezikut të jashtëm» – tamam si në kohën e Bashkimit Sovjetik. Për dallim nga shumica e rusëve, të cilët gjithnjë e më shumë po ballafaqohen me frigoriferë të zbrazët, Patrushev dhe miq të tjerë të Putinit nuk kanë arsye të merakosen për vete. Djali i madh i Patrushevit Andrej punon në drejtorinë e Gazprom-Neft, një ndërmarrje e madhe ruse e naftës. Djali tjetër Dmitri ka qenë zëvendësdrejtor i bankës shtetërore VTB, ndërsa tani është shef i «Rosselchozbank», një bankë ruse e specializuar për sektorin agrar.