Heiko Maas pritet të jetë ministër i ri i Jashtëm i Gjermanisë

Pak ditë para se parlamenti gjerman të zgjedhë Angela Merkelin kancelare, socialdemokratët kanë paralajmëruar se shef i ri i diplomacisë së Gjermanisë do të jetë Heiko Maas, deri më tani ministër i Drejtësisë. Kreu i deritanishëm i diplomacisë Sigmar Gabriel është ndëshkuar për shkak të sjelljeve ngatërrestare ndaj kolegëve të partisë.

Heiko Maas me partneren e tij Natalia Wörner.



Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD) duket se ka vendosur që ministër i ri i punëve të Jashtme të jetë Heiko Maas. Gazeta «Süddeutsche Zeitung» dhe revista «Der Spiegel» kanë njoftuar se të premten SPD do të bëjë publike listën e ministrave. Në postin e rëndësishëm të shefit të diplomacisë nuk do të jetë më Sigmar Gabriel, por Heiko Maas, deri më tani ministër i Drejtësisë.

Kryetari i përkohshëm i SPD-së Olaf Scholz, i cili në kabinetin e ri të Merkelit do të jetë ministër i Financave, dhe kandidatja për shefe të SPD-së, Andrea Nahles, kanë njoftuar Sigmar Gabrielin të enjten se nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Gabriel u bë ministër i Jashtëm para një viti, pasi Frank-Walter Steinmeier u zgjodh president i Gjermanisë. Në të njëjtën kohë Gabriel braktisi postin e shefit të partisë. Në vend të tij u zgjodh Martin Schulz, ish-kryetar i Parlamentit Europian.

Para dhe gjatë fushatës elektorale në Gjermani, Gabriel u shqua për veprime kokë më vete, për kritika dhe intriga ndaj Schulzit. SPD i humbi zgjedhjet e 24 shtatorit. Për këtë humbje Gabriel nuk ishte fajtori i vetëm, mbase ishte më së paku fajtor. Sidoqoftë, kritikat e tij ndaj Schulzit dhe kolegëve të tjerë të partisë, ndikuan që ai të humb mbështetjen në parti. Raporti i Gabriel me kryesinë e partisë është acaruar dukshëm javëve të fundit. Kur e kuptoi se mund të mos jetë më ministër, ai filloi të tallet me kryetarin e partisë Schulz, i cili dëshironte të bëhej ministër i Jashtëm – në vend të Gabrielit. Gazeta «Süddeutsche Zeitung» e quan Gabrielin «autokrat me orar të kufizuar të punës». Si pasojë e konflikteve të brendshme partiake dhe nga frika se anëtarët e partisë në një referendum brendapartiak do të refuzonin koalicionin me konservatorët e Merkelit, Schulz hoqi dorë nga ambicia për të qenë ministër i Jashtëm.

Nga ky kaos duket se fitimtar do të dalë Heiko Maas, i cili nuk ka ndonjë përvojë diplomatike, por së paku si ministër i Drejtësisë shpeshherë ka qenë i shkathtë në zgjidhjen e konflikteve me kolegët konservatorë sa i përket ligjeve të sigurisë së brendshme. Ndërsa konservatorët angazhoheshin për ashpërsimin e tyre, Maas përpiqej të ruante frymën liberale. Maas vjen nga Saarlandi, krahina më e vogël gjermane në kufi me Francën. Atje ai ka qenë sekretar shteti, ministër i Ambientit, ministër i ekonomisë dhe nënkryetar i qeverisë. Që nga viti 2000 është shef i degës së SPD-së në Saarland. Si ministër i Drejtësisë Maas ka kritikuar ashpër të djathtën ekstreme në Gjermani dhe në këto qarqe ai urrehet si një politikan tjetër. Në kutinë postare të adresës private ai ka gjetur edhe një plumb 9-milimentra. Por Maas ruan qetësinë. Mediat gjermane përmendin stilin e tij elegant të veshjes, retorikën solide dhe praninë e konsiderueshme në media dhe rrjete sociale. Maas, jurist me profesion, flet nga pak frëngjisht dhe një anglishte të pranueshme. Agjencia gjermane e lajmeve DPA jo pa ironi shkruan se në postin e ri Maas mund të përkrahet nga partnerja e tij Natalia Wörner, e cila si aktore ka luajtur rolin kryesor në serinë «Diplomatja».