Haziri lavdëron investimet në Gjilan

Nën organizimin e klubit të gazetarëve «Beqir Musliu», është mbajtur sot debati me temën «Çfarë pritet të përfitojë nga projektet infrastrukturore Gjilani në vitin 2016», ku panelist ka qenë kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, përfaqësues nga shoqëria civile dhe kryetarët e këshillave të fshatrave, njofton kumtesa komunale, transmeton Koha.net.

Haziri ka thënë se sivjet veç kanë nisur projektet e mëdha, e që kapin shumë e 26.5 milionë euro investime në infrastrukturë, kryesisht nëntokësore.

«Këto investime Gjilani nuk i ka pasur për 15 vjet», ka thënë Haziri para të pranishmëve.

Duke folur për ndërtimin e hyrje-daljeve të qytetit, kreu i gjilanasve ka pohuar se kjo do të jetë një zgjidhje shumë e mirë për qytetarët, duke parandaluar edhe kolonat e mëdha në trafik, por në të njejtën kohë, tha se po bëhen sipas standardeve të larta.

«Programi i rrugës Gjilan-Bujanoc tashmë është duke u realizuar dhe do të ndërtohet deri tek «Drini», pra me buxhet komunal. Ndërkaq, dy rrugët tjera, ajo Gjilan-Prishtinë (nga kanali e deri tek penda e Livoqit) dhe Gjilan-Livoq i Ulët-Cërnicë Kllokot (prej rrethit në qytet) do të ndërtohen me buxhet të Ministrisë së Infrastrukturës dhe BERZH-i», u shpreh Haziri.

Haziri tha se gjatë viteve 2015-2016 janë realizuar projekte të mëdha infrastrukturore në qytet dhe fshatra, duke përfshirë kanalizimet, ujësjellësin, ndërtimin e rrugëve të reja, hapje të rrugëve, rrugët e arave etj.