Haziri: Kosova e pavarur është gjysma e ëndrrës së dëshmorëve

Për nder të 15 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Gjilanit, Kuvendi Komunal ka mbajtur të mërkurën seancë solemne. Me këtë rast fjalë rasti kanë mbajtur kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, si dhe ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, tani rektor i UPGJ.

Njëherësh, Haziri e Rexhepi-Bunjaku ia kanë dorëzuar çmimin «Nderi i Qytetit» boksierit Erzen Rrustemi, të cilin një ditë më parë Kuvendi Komunal e ka nderuar, së bashku me futbollistin Xherdan Shaqirin si dhe ndërkombëtarin Joseph Robinette Beau Biden III, i cili ka shërbyer në Kosovë, në sektorin e sundimit të ligjit dhe ka dhënë kontribut në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, transmeton Koha.net.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se 12 Qershorin e kremtojmë të gjithë në Kosovë. 12 -17 qershori kanë qenë ditët më të lumtura për shumicën e atyre njerëzve që janë gjetur në qytet si dhe për luftëtarët që janë gjetur në male, në epokën e gjatë të rezistencës dhe luftës së armatosur për liri.

Natyrisht, jo të gjithë ata patën fatin të kthehen në qytetin e çliruar, pasi që disa prej tyre ranë lë luftë, për t`u bërë gurthemel i lirisë së vendit, ka thënë Haziri.

Duke i bërë një vështrim rrugës së kaluar deri këtu, në 17 vjet liri, Haziri ka thënë se rezultatet janë të dukshme, por sigurisht se ky vend e ky shtet ka nevojë për më tepër.

«Kosova e pavarur është gjysma e ëndrrës së dëshmorëve. Ne kemi për obligim që të vazhdojmë tutje rrugën e tyre», ka thënë Haziri.

Ai solli në vëmendje edhe kontributin e ndërkombëtarëve në lirinë dhe shtet-ndërtimin e Kosovës. Sivjet kemi zgjedhur të nderojmë Joseph R. Biden III, djalin tani të ndjerë të nënpresidentit të SHBA–ve, i cili ka qenë pjesë e misionit civil në Kosovë dhe ka ndihmuar në ndërtimin e institucioneve të sundimit të ligjit.

Boksieri Erzen Rrustemi e futbollisti Xherdan Shaqiri, janë dy të emrat tjera, me suksese kulminante, që ne i kemi nderuar me çmimin «Nderi i Qytetit» në këtë përvjetor. «Ne jemi popull falënderues dhe mirënjohës për ata që arrijnë suksese», ka thënë Haziri.

Ndërkaq, Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se 15 qershori, kjo ditë e veçantë na kthen kujtesën në të kaluarën, na kthen te kujtimi për brezat që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës, na kthen te kujtimi për luftën heroike të UÇK-së, na kthen te kujtimi për presidentin Ibrahim Rugova, i cili tërë jetën e vetë ia kushtoi lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës dhe njëkohësisht kjo datë na shërben si ditë falënderimi për aleatët tanë, SHBA-të, NATO-n dje gjithë popujt e botës së civilizuar, të cilët e ndihmuan luftën tonë për liri.

Kësaj dite që ndan në epoka historinë e Gjilanit i paraprinë ngjarje të tjera të lavdishme, ku gjenerata të tëra derdhën djersë, lot e gjak. Ky gjak i derdhur për liri, këto vuajtje e sakrifica të mëdha këtij populli, janë porosi e qartë që ne të punojmë me përkushtim të madh për ndërtimin e një jete sa më të mirë për qytetarët tanë, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.

Gjilani i dalë nga lufta, 17 vjet më parë, sot është një qytet me ndërtime të larta, me rrugë e shkolla të reja, me infrastrukturë moderne në qytet dhe fshatra. Sivjet do të ketë edhe më shumë investime. «Ne nuk do të ndalemi duke punuar për qytetarët», ka thënë ajo.

Bajram Kosumi, ish-kryeministër dhe aktualisht rektor i Universitetit «Kadri Zeka» në Gjilan, ka thënë se dita e lirisë është festa më e shenjtë që ka një popull, sepse i bën bashkë njerëzit e lumtur dhe njerëzit e dëshpëruar.

Ndërkaq, boksieri Erzen Rrustemi, i cili është falënderuar për çmimin «Nderi i Qytetit», ka thënë se kjo ditë e ktheu dinjitetin e popullit shqiptar, para të cilit unë përulem përjetësisht. «Qëllimi ynë si sportistë është që ta prezantojmë sa më denjësisht kombin tonë në botë», ka thënë Rrustemi.

Programi i ditës së çlirimit ka vazhduar me manifestime të tjera.