Havolli: Gjuriq ka halucinacione




Këshilltari për ekonomi i kryeministrit Isa Mustafa, Sokol Havolli, i është kundërpërgjigjur Drejtorit të Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili tha se Shtërpca e ka mjedrën më cilësore në Serbi.

Havolli vlerëson se Gjuriqi me sa duket ka pësuar halucinacione nga shija e mirë e këtyre mjedrave duke i shkaktuar edhe hamendje gjeografike.

«Gjuriqi paska thënë se në Shtërpcë zhvillohet mjedra më cilësore në Serbi. Është e vërtetë se mjedrat në përgjithësi në Republikën e Kosovës janë të shijshme, sidomos në Malet e Sharrit. Aq të mira sa që i paskan shkaktuar dëlir nga shija e tyre e mirë dhe i paskan shkaktuar hamendje gjeografike», ka thënë Havolli në reagimin e tij.

Tutje, këshilltari i Mustafës është habitur se si Gjuriqi nuk ka komentuar edhe për kualitetin e sushit në Tokio të Japonisë, sepse, sipas tij, «edhe ashtu i përshtatet me deklaratat e tyre të para disa viteve se Serbia është deri në Tokio, deklarata që ose i thua jerëm në gjumë ose kur teprohet me pije».

«Paramendo kur t’i shijon dredhëzat e malit…», ka përfunduar Havolli.

Ndryshe, Marko Gjuriq ka qëndruar gjatë ditës së djeshme në Shtërpcë ku ka folur, veç tjerash, për AKS-në, për fëmijët serbë që e po e popullojnë gjithnjë e më shumë këtë komunë dhe për ndihmat që Serbia do të vazhdojë t’i sjellë për serbë në Kosovë.