Hashlama

Fjalë për fjalë e kokërr për kokërr, Hashlama është tregimi më i ruajtur i sojit tim. Ky gatim është kodi kolektiv burimor mbi të cilën janë të shkruara të gjitha rrëfimet e Prizrenit.

Pamje nga Prizreni.



Ajo ishte shoqëruesja ime e parë në jetë. Ditën e tretë mbas Bumit të Madh që më solli në botën e tyre, familja ime shtroi drekë për miq e dosta dhe sipas adetit të kamotshëm, të ftuarve ua prezantuan pjesëtarin më të ri të kabiles së tyre. Mbi sofrën, ku hahej Hashlama me tarator, mysafirëve të ngazëllyer u kam kaluar nga dora në dorë duke marrë bekimin e tyre me një Mashallah të pëshpëritur në vesh, ndërsa tradita e pagëzimit e përcjellë me këtë gatim të jashtëzakonshëm në mënyrë simbolike shprehte dëshirën e tyre që të rritesha në mirëqenie e me ymër sa vetë kupa malore e kokrrave të saj në tepsi.

Shtytja e parë me Hashlamë m’i shtonte gjasat për mbijetesë, prandaj shumësia e pjesëmarrësve në ceremoni ishte më se e dëshirueshme. Familjet prej dyerve të mëdha dhe të vjetra organizonin ndeja të mëdha, sepse sa më shumë tepsi që shërbeheshin aq më i bereqetshme pritej të ishte jeta e vogëlushit. Por në rastin tim, me takat të familjes, por edhe meqë ishte dimër, qenë pjekur vetëm nja tri tepsi të gatuara nga gruaja e kojshisë sonë të parë Igball hanëmit, në mutfak, te skaji i kundërt i oborrit tonë, në Mëhallën e Tabakëve. Aty, pas pjekjes, shtresoren e përforcuar më pas e kishin kokrruar nuset e reja me një ritëm që u merrte kohë për aq sa shternin të gjitha llafet. Kur më në fund muhabetet ishin shoshitur, gati se ish kry mbasditja. Para të se shërbehej, u kishte mbetur që ta derdhnin vetëm tlynin e shkrirë mbi «kupën malore» në sasi që përcaktonte shijen dhe shkëlqimin e duhur të kokrrave të imtësuara me shumë terbije. Të qeshurat e papërmbajtura që vinin duke u shpeshtuar prej mutfakut ishin isharet se së shpejti do të shtrohej sofra, ndërsa unë mezi prisja shfaqjen time të parë para të ftuarve.

Natyrisht, nga gjithë ky manifestim, në mbamendjen time nuk është regjistruar asgjë, por hiq protagonistët dhe mëhallën, përjetimin tim të parë fjalë për fjalë ka mund t’ju tregonte edhe gjyshi im prej rrëfimeve të prindërve të tij, apo baba, e bile edhe vogëlushi im; pasi që ritualin e ndjelljes së bereqetit për fillim të mbarë të jetës e kemi tregim të përbashkët. Sa për stërgjyshin nuk jam i sigurt, bën vaki që ai edhe nuk ka le në këtë shehër, mirëpo për ne katër brezat që e pasuam atë, shoqëruesja jonë e parë mbeti po ajo e njëjta.

I pari im, sikur edhe të gjithë ardhacakët tjerë, gatimin e saj e kishte përvetësuar si diçka të vetëkuptueshme. Adeti në të cilin zateti kishte vjetërsi përrallore – thuhej se të vegjlit e të gjithë brezave të këtij shehri ishin të mirëseardhur në jetë me Hashlamë në sofër. E kush nuk do t’i besonte një bereqeti të tillë që me shekuj i ka shoqëruar fëmijët e këtij qyteti të vjetër?! Po si ka mbijetuar gjithë kohën pa u tjetërsuar, është diçka për t’u admiruar – bile edhe rituali i gatimit i ka mbetë i njëjtë! Prej se dihej, Hashlama ishte ushqim gëzimi e shprese që simbolizonte plleshmërinë e bereqetin, ndërsa shërbehej për babina dhe si ushqim i parë që nusja ua gatuante dasmorëve. E pa bereqet të bollshëm zor se do të mbijetonte qyteti, vjetët e tij të shumta. Kështu sikur për gjeneratat para meje, edhe kjo Hashlamë mbeti e pandryshuar; haje me shumë pak përbërës (vetëm miell, ujë të vluar, pak krypë e tëlyen), e kokrruar në një si elementare dhe krejtësisht aromatike në dukje – një kryevepër e minimalizmit gastronomik.

Por përkundër kësaj modestie të shquar, ajo është më tepër se ushqim i pashëm e i shijshëm, e më tepër se miraz i bereqetit për një qytetar të ri. Fjalë për fjalë e kokërr për kokërr, Hashlama është tregimi më i ruajtur i sojit tim. Një tregim i pashkëputur qysh prej fillimit të kohës sonë. Po pra, nuk janë as urat që rindërtohen pas çdo vërshimi, as kalaja që çdo herë mban emrin e sunduesit të fundit, as leckat e zbehura të flamujve të shteteve të kaluara, as fasadat e shpifura me modën e kohës, as ninullat për carrokë, as edhe lumi i ndotur pa peshq, as dini e as imani, por është vetëm Hashalama, e mbijetuara e vetme e të gjitha tranzicioneve të këtij qyteti. Ky gatim është kodi kolektiv burimor mbi të cilën janë të shkruara të gjitha rrëfimet e Prizrenit. Prandaj çdo herë që në qytet bën Bum një foshnje, ajo ma nduk një kujtim.

* * *

Atë pasdite paraloja e gatuar në mutfak, bukur mirë kishte ndez festën tonë familjare. Bashkë me kokrrat e Hashlamës, ato në shtëpi kishin futur gëzimin e harenë, për t’i dhënë hov tutje kallaballëkut të burrave hareshuar me pije organike. Por mua, të mbështjellurin kat kat me tyrlifar plafa të pispillosur, më kishin lënë me prit si hut. Igball hanëmi që duhej të më paraqiste para dostave papritmas ishte zhdukur. I dëgjoja se si e kërkonin.

Por e di unë se ku është Xhixhja ime. I vyn asaj edhe një trohë kohë për veti. Para pasqyrës në mutfak, flokëve të saja të zeza, të përmbledhura në një mëqik të madh pas kokës, është duke ua shtuar do lule ngjyrë vjollce për anash. Se ku i ka gjetur ato në mes të muajit shkurt, një Zot e di.

Ama e bukur është medet.