Hashim Thaçi dekoron 118 figura nga Maqedonia – revoltë në prag të fushatës zgjedhore

Në mesin e personaliteteve që Presidenti i Kosovës i ka dekoruar për kontributin për Kosovën dhe afirmimin e vlerave kombëatare ishin edhe liderët e dy partive shqiptare, Ali Ahmeti i BDI-së dhe Menduh Thaçi i PDSH-së. Dekorimi edhe i disa kandidatëve për deputetë nga dy partitë në vigjilje fushatës zgjedhore në Maqedoni ka ngritur dyshime për këtë gjest.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën ka qëndruar në Shkup, ku në një manifestim solemn ka dekoruar 118 personalitete nga Maqedonia për kontributin e dhënë për çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës, si dhe për afirmimin e vlerave kombëtare kudo në botë. Në mesin e personaliteteve të dekoruara ishin ish luftëtarë dhe përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, figura politike, artistë, gazetarë dhe veprimtarë nga sfera të ndryshme.

«Lista me personalitete që ne nderojmë këtu është simbolike, sepse një popull i tërë shqiptar në Maqedoni meriton mirënjohje, respekt, falënderim dhe medalje. Por jam i bindur se nëpërmjet juve nderojmë qindra e mijëra vëllezër e motra, pa të cilët ne nuk do të ishim ku jemi sot si Kosovë e lirë dhe e pavarur», tha mes tjerash presidenti Thaçi.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe ai i PDSH-së, Menduh Thaçi, ishin poashtu në mesin e politikanëve të shumtë të dekoruar nga Maqedonia. «Faleminderit nuk i thuhet askujt që ka punuar në arë të vetë. Ne kemi qenë argat, kemi punuar. I kemi pasur qëllimet e përbashkëta, nuk jemi ndarë në krahina. Të them të vërtetën, unë më mirë e njoh krahinën e Hashimit se sa timen, sepse në ilegalitet më kanë bajtur në Drenicë. Unë jam krenar dhe i lumtur që këta bashkëveprimtarë, me të cilët kemi punuar, sot të jenë në krye të shtetit të Kosovës, në krye të shtetit që aq shumë është sakrifikuar dhe aq shumë është luftuar; ja që ishte brezi ynë ishte ai i cili ijetësoi të gjitha ato qëllime dhe ideale», u shpreh Ali Ahmeti.

Menduh Thaçi vlerësoi kontributin e presidentit të Kosovës, si në kohë të luftës, ashtu edhe në kohën e pasluftës. «Është e qartë lufta, dhe është e qartë gjithçka me çlirimin e Kosovës, por nuk mund të rri pa e thënë se vlera e vërtetë e Hashim Thaçit është se ai diti që shqiptarët në Kosovë mos t’i lejojë të ndahen në ata që kanë luftuar dhe ata që nuk kanë luftuar. Hashim Thaçi është meritori që ndau pushtetin me ata që nuk kanë luftuar, dhe mua nuk më ngel tjetër, vetëm se të them që kjo do të ishte një mënyrë e mirë, një model shumë i mirë për të gjithë liderët të cilët veprojnë në tokat shqiptare. Kjo mënyrë e qasjes, e moslejimit të eskalimit të marrëveshjeve politike në konflikte mes nesh, besoj do të jetë udhërrëfyes për mëtutje», deklaroi Menduh Thaçi.

Por, ky manifestim, i cili u tha se është zhvilluar në prag të festës së alfabetit, 22 nëntorit, u pa me dyshim nga opinioni vendor në Maqedoni, pasi u realizua në ditën e hapjes së fushatës parazgjedhore në Maqedoni. Edhe më të dyshimtë atë e bëri fakti se në mesin e të dekoruarve kishte edhe shumë kandidatë për deputetë, kryesisht nga partia shqiptarë në Qeveri, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Dekorimi ka ngjallur reagime edhe te një pjesë e ish luftëtarëve të UÇK-së, të cilët e kanë refuzuar mirënjohjen, sikurse edhe disa që nuk u ftuan në këtë manifestim. Bilall Sherifi me origjinë nga Tetova, aktualisht zyrtar i lartë në partinë «Nisma për Kosovën», njoftoi edhe publikisht se e ka refuzuar dekoratën. «Arsyet e refuzimit kanë të bëjnë me bindjen time se Hashim Thaçi, dikur drejtues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk i ka kryer detyrimet e tij për të mbrojtur luftën e drejtë të popullit tonë dhe as Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si udhëheqëse e luftës për pavarësinë e Kosovës. Detyrimet e tij nuk i ka kryer as në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, ku ishte plot shtatë vite dhe nuk është duke i kryer as tani në cilësinë e presidentit të Kosovës», ka sqaruar arsyet e refuzimit përmes profilit të tij në Facebook, Bilall Sherifi. Ish luftëtari i dy UÇK-ve, në Kosovë dhe Maqedoni, Ruzhdi Matoshi, njëherësh edhe ish deputet në Kuvendin e Maqedonisë, në profilin e tij në Facebook ka publikuar një fotografi nga aktiviteti i tij në luftën e vitit 1999 dhe ka shkrurar: «Isha për një Ideal dhe këtë nuk e ndërroj me asnjë medalje…»