Harrohet treni ekologjik, veturave s’u ndalohet hyrja në Gërmi

Premtime të shumta kishte për ndalimin e veturave në parkun e Gërmisë.

Dy vite më parë, në këtë park u vendos treni i quajtur ekologjik, për të parë se sa mund të funksiononte nëse veturave do t’u ndalohej hyrja, raporton 038 i KTV-së.

Por, që nga ajo kohë, ai tren nuk u pa më në parkun e Gërmisë, i cili vitin e kaluar përfundoi në garazhin e trafikut urban.

Vizitorët thonë se treni nuk ishte ekologjik dhe se nuk behët asnjë zgjidhje nëse ky tren vazhdon ta ndotë ambientin dhe se komuna e Prishtinës nuk po bën asgjë në këtë drejtim, për të ruajtur ndotjen e ambientit si nga veturat ashtu edhe nga ky tren.

Por, si duket, komuna e Prishtinës nuk ka ndonjë plan për t’i ndaluar veturat në këtë park, pasi që tash e disa javë ka filluar të zëvendësohet laura e vjetër me një të re, e cila do të regjistrojë çdo veturë që hyn në këtë park.

Kjo, sipas vizitorëve, është një zgjidhje e mirë për moskeqpërdorime, por ndalimi i veturave në këtë park prapë do të ishte zgjidhje më e mirë.

Ata të cilët përfituan më se shumti në këto ndryshime janë taksistët, të cilët gjithmonë ankoheshin që detyroheshin të paguanin 1 euro për të hyrë në park.

Drejtori i shërbimeve publike, Gent Begolli, thotë se këto ndryshime në parkun e Gërmisë po bëhen për t’u ikur sa më shumë keqpërdorimeve.

Për më tepër, komunarët premtuan se do të shtrenjtojnë çmimin për vetura, në mënyrë që vizitorët të udhëtojnë me tren, për të pasur një mjedis më të mirë, por as kjo nuk ka ndodhur.

Por, sipas Begollit, nuk është vendosur ende a do të shtrenjtohet çmimi pas këtyre ndryshimeve në parkun e Gërmisë.