Harmonia mbisundon në këtë kënd të Ballkanit

Trauma e të kaluarës së afërt duket se i frymëzon kosovarët teksa shfaqin energjinë e një populli të fiksuar për një të ardhme të sigurt




Takova një burrë nga Ballkani, i cili më tha se kishte qëndruar gjithë jetën në të njëjtën shtëpi, megjithëse kishte jetuar në katër shtete të ndryshme. Një shtet i ri u krijuar më 1999, kur NATO-ja vendosi të bombardonte Serbinë për shkak të përpjekjeve serbe për shpërnguljen e shqiptarëve etnikë nga rajoni i njohur si Kosovë.

Britanikët e mbajnë në mend si Tony Blair kishte inkurajuar NATO-n të vepronte pa rezolutë të Kombeve të Bashkuara, dhe si rezultat  i kësaj, ai konsiderohet hero prej të gjithë kosovarëve që i takoni.

Tani në vend mbisundon paqja, dhe përveç htatoreve të arta të heronjve të luftës, ka shumë pak gjëra që dëshmojnë se vendi ishte shkatërruar – minaret janë rindërtuar dhe turizmi është objektivi kryesor.

Është hequr qafe edhe betoni i komunizmit. Në qytetin universitar të Pejës, ku vinin mijëra britanikë kur ishte pjesë e Jugosllavisë së dikurshme, rrugët janë të mbushura me familje të diasporës që kanë ardhur për stinën e dasmave dhe të festave të ndryshme. Malet dhe kullosat janë fort afër, dhe në këtë vend të ngujuar midis maleve, ju mund të përjetoni kënaqësinë e ecjes në këmbë dhe ajrin e freskët që të sjell jeta këtu: ushqimi im më i preferuar janë specat e mbushur.

Në Bogën ngjitur – ku shihen shtëpitë e reja me kulme të mprehta që të mos rëndohen prej dëborës në dimër – muhabeti kryesor sillet rreth skijimit. Po flitet si të zgjerohen pistat e skijimit. Trauma e të kaluarës së afërt duket se i frymëzon kosovarët të dëshmojnë energjinë si një popull i fiksuar për një të ardhme të sigurt.

Unë erdha para së gjithash që të ecja maleve dhe mora vesh se puna e kufijve nuk ka rëndësi kur ngjiteni lart – mund të kaloni në Shqipëri a Mal të Zi derisa ngjiteni majave të Ballkanit. Malet me shumë ngjyra, liqenet me ujë të ftohtë dhe shija e paharrueshme e djathit që të shkrihet në gojë, si dhe mjalta e fermave majave të kodrave janë atraksionet që të lumturojnë. E imagjinoja jetën e gjuetarëve derisa po mblidhja maleve dredhëza dhe boronica, që shpeshherë mblidhen prej banorëve të zonës që t’i shesin në pazaret e qytetit poshtë.

Në një luginë të thellë takova një burrë që po ndërtonte shtëpi në tokën e trashëguar. Derisa po ziente perime në furrën jashtë, më tregon se gjyshi i tij prej respektit të madh do t’ia fshihte sëpatën nga frika se do t’ia shkurtonte lisat. Ende mbisundon lidhja harmonike me botën natyrore në këto kënde të Ballkanit.

Në qytezën e vogël të Junikut, gjumin e bëra në kullë – shtëpi prej guri – me tavane me dru të gdhendura me mjeshtri të madhe. Kryetari më këshilloi që të ngjitesha në majën më të lartë në Kosovë, Gjeravicë, sebepi i peizazheve panoramike.

Një ekip i një televizioni kosovar dokumentarësh vendosi që të më përcillte gjatë ngjitjes maleve, me shpresë se do të mund t’i frymëzoja të tjerët të bënin të njëjtën gjë.

Arrita në majë shumë kohë para tyre dhe vetëm pas disa orësh u takova me ta në vendin ku e kishim lënë takimin. Ende po e pres premierën e dokumentarit, por shpresoj se shumë të tjerë do të vizitojnë këto anë të bukura e të harruara.

«The Independent»
Foto: Attila JANDI / Shutterstock.com