Haradinaj në gazetën gjermane «FAZ»: Ndryshimi i kufijve shkakton tragjedi të reja

Në një bisedë me «Frankfurter Allgemeine Zeitung» kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kundërshton planin e Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit për ndarjen e Kosovës. Gazeta gjermane e quan proces poshtërues me kërkesa të çuditshme qasjen e Bashkimit Europian lidhur me liberalizimin e vizave. Për shkak të regjimit të vizave 20 mijë sipërmarrës të Kosovës po bëjnë biznes me Turqinë dhe 100 mijë po pushojnë në Turqi.




Dyluftimi mes Ramush Haradinajt dhe Hashim Thaçit lidhur me idetë e këtij të fundit për «korrigjimin» e kufijve të Kosovës po vazhdon. Para disa javësh Thaçi e propagandoi nismën për «korrigjim» të kufijve në gazetën britanike «Financial Times». Nuk vonoi kundërgoditja nga Ramush Haradinaj përmes një editoriali në «Washington Post», ku u deklarua kundër ndarjes së Kosovës. Tani Haradinaj ka vazhduar kacafytjen retorike me Thaçin në gazetën prestigjioze gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Haradinaj thotë se tragjeditë e Ballkanit mund të përsëriten nëse vihen në pyetje kufijtë në rajon. Nëse Serbia e Kosova fillojnë të flasin për këtë temë, atëherë edhe «krejt politikanët e mundshëm» në Ballkan do të kërkojnë të ashtuquajturat «korrigjime të kufijve».

Sipas «Frankfurter Allgemeine Zeitung» fjala «korrigjim» është një eufemizëm i Thaçit dhe Vuçiqit që ideja e tyre potencialisht e rrezikshme të duket e parrezikshme. Haradinaj është i mendimit se pas fjalëve për ndryshimin e kufijve mund të ketë edhe të shtëna. «Andaj unë jam me këmbëngulje kundër kësaj retorike dhe kundër kthimit te idetë e viteve ‘90». Gazeta gjermane shkruan se shumica e parlamentarëve të Kosovës janë të mendimit me Haradinajn sa i përket refuzimit të ndryshimit të kufijve dhe një marrëveshje për korrigjim e kufijve nuk ka shumicë në parlament. Kryeministri i Kosovës thotë se është «për të ardhur keq» që në disa kryeqytete nuk po vërehet rreziku nga debati për kufijtë.

Sipas «Frankfurter Allgemeine Zeitung» njerëzit në Kosovë, shqiptarët dhe serbët, presin qëmoti një vendim për heqjen e vizave. Kosova është i vetmi vend – me përjashtim të Rusisë dhe Bjellorusisë – që ballafaqohet me regjim të vizave në zonën e Schengenit. Madje edhe vende si Moldavia, Ukraina e Gjeorgjia gëzojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve të tyre – ndonëse nuk janë kampione të luftës kundër korrupsionit. Të drejtën e lirisë së lëvizjes e gëzojnë edhe banorët e vendeve fqinje të Kosovës – Maqedonia, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi. Gazeta gjermane e quan proces poshtërues me kërkesa të çuditshme qasjen e Bashkimit Europian lidhur me liberalizimin e vizave. «Frankfurter Allgemeine Zeitung» citon një deklaratë të Bajram Rexhepit nga viti 2010, kur ai thoshte se Kosova i ka plotësuar parakushtet për të marrë udhërrëfyesin për heqjen e vizave. Ndërkohë Bajram Rexhepi ka vdekur dhe vizat nuk janë hequr ende, ndonëse Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet, sipas Komisionit të BE-së dhe Parlamentit Europian. Gazeta gjermane lavdëron Kosovën, e cila, për dallim nga vendet e Afrikës veriore apo Pakistani, i pranon qytetarët e saj, të cilëve u refuzohet azili në vendet e BE-së.

Ndër vendet që po e bllokon Kosovën është Franca, shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Haradinaj apelon që disa europianë «t’i ndërrojnë syzet» dhe Kosovën të mos e shohin vetëm si problem. Ai thotë se në Kosovë janë gati 20 mijë sipërmarrës që bëjnë biznes përmes Turqisë, ku mund të udhëtojnë pa problem. «Vetëm pak biznesmenë tanë arrijnë të integrohen në ekonominë europiane», tha Haradinaj. Kryeministri nënvizoi se janë rreth 100 mijë njerëz në Kosovë që kanë rroga të tilla që ua mundësojnë të kalojnë pushimet në botën e jashtme. «Por, edhe ata po shkojnë në Turqi, sepse atje nuk u duhet vizë». Duke pranuar heqjen e vizave Franca nuk do të ketë më shumë azilkërkues e kriminelë, por më shumë klientë dhe turistë, theksoi Haradinaj. Gazeta gjermane citon Haradinajn, i cili thotë se pikë orientimi për kosovarët janë Amerika dhe Gjermania. Ai thotë se angazhohet që kampi i Bondsteelit të mbetet përgjithmonë në Kosovë, ndërsa në Europë janë vendet gjermanishtfolëse me të cilat Kosova synon të jetë e afërt, sepse atje jetojnë shumica e emigrantëve kosovarë, të cilët dërgojnë shumë para në atdhe. Ndër synimet e Haradinajt është hapja e një shkolle gjermane në Prishtinë. Kjo shkollë, thotë Haradinaj, na duhet «për komb dhe për ekonomi».
E.R.