Haradinaj në Deçan: Nënat na kanë edukuar ta duam kombin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me bashkëpunëtorë, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Deçan, me moton “Nënë Faleminderit”, e që për temë ka “Rolin e gruas shqiptare në edukimin e brezave”.




“Nënat tona të çmuara, gjithmonë na kanë edukuar që të jemi këta çfarë jemi sot, njerëz që e duam vendin dhe kombin, që nuk kursejmë asgjë për të mirën dhe për perspektivën e popullit tonë. Deçani gjatë gjithë historisë i ka dhënë shumë kombit dhe vendit tonë, po ashtu ju garantoj se Deçani do të vazhdojë që të jetë i tillë gjithmonë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj u ka premtuar nënave se shumë shpejt do të jetë edhe në angazhime tjera dhe do të ketë kujdes më të shtuar për to, sepse, siç ka thënë “ju e meritoni këtë më shumë se çdo kush tjetër”.

“Të jeni të sigurta se ditët e mira për popullin tonë dhe Kosovën janë duke ardhur dhe për këtë ju ftoj në angazhim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm”, tha mes të tjerash kryetari Ramush Haradinaj para nënave deçanase.

Gratë në Deçan i kanë përshëndetur edhe kryetarja e Aleancës së Gruas, Magbule Shkodra dhe deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Time Kadriaj.

Haradinaj më pas vizitoi disa biznese private të kësaj komune, ndër të cilat edhe fabrikën e prodhimit të dyerve dhe dritareve nga plastika, “Lokaj Plast”, e cila i ka 40 të punësuar dhe është një ndër kompanitë e suksesshme kosovare, e cila ka arritur që prodhimet e saj t’i eksportojë edhe në tregun evropian.