Haradinaj kërkon falje publike për fjalën «peder»




Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili sot gjatë mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme, takim në të cilin u debatua në lidhje me demarkacionin Kosovë – Mali i Zi, e quajti kryetarin e Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi, Murat Mehës, “peder”, ka kërkuar falje publike për fjalorin e tij.

«Cilësimi që i kam bërë sot Murat Mehës në Komisionin e Jashtëm Parlamentar, s’ka të bëjë me fjalor diskriminues ndaj asnjë kategorie njerëzore, e as ndaj komunitetit LGBT. Ajo që kam thënë ka të bëjë vetëm me karakterin e kryetarit të Komisionit për Demarkacion, por nëse dikush është ndier i fyer me këtë fjalë, u kërkoj falje publike», shkruan në kërkim faljen e Haradinajt.

Tutje, ai tha se dyshja politike Mustafa-Thaçi me veprimet e tyre po e rrezikojnë shtetin dhe tokën e Kosovës.

«Ata kanë angazhuar kriminelë ordinerë institucionalë në zbatimin e politikave të tyre që s’kanë si të jenë në interes të qytetarit, dhe përballë provokimeve të tyre, ndonjëherë është e pamundur që të ruhet qetësia», theksoi ai.