Hapja e dosjeve të ish-Sigurimit, politika mban peng zbatimin e ligjit

Pas një viti e gjysmë zvarritje, Parlamenti fut në kalendar ngritjen e Autoritetit për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit, por përfaqësuesit politikë mbajnë sërish peng votimin e kandidaturave duke zbehur shpresat e ish-të përndjekurve.

Maska e Vdekjes e diktatorit stalinist shqiptar Enver Hoxha është ekspozuar në një instalacion në Muzeun Historik Kombëtar në qendër të Tiranës nga artisti Ardian Isufi më 17 shtator 2015. Isufi i tha gazetës Panorama se instalacioni i tij i quajtur “Antihomazh” synonte të kapte reagimet e njerëzve të vendosur përballë një artefakti të tillë. Foto: Malton Dibra/LSA

I bllokuar prej një viti e gjysmë në Kuvendin e Shqipërisë, procesi për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit vazhdon të mbahet ende jashtë shinave ligjore. Ligji i qeverisë Rama, i miratuar me bujë më 30 prill 2015 parashikonte ngritjen e Autoritetit të Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit-një organ kolegjial prej 5 anëtarësh, brenda një muaji pas hyrjes së fuqi të tij.

Tetëmbëdhjetë muaj më vonë, 11 kandidatura qëndrojnë të ngrira në Kuvend pa u futur ende për votim në seancë.

Ndonëse i zvarritur tej çdo afati ligjor, Kuvendi i ka hapur së fundmi një dritë jeshile procedurës për zgjedhjen e anëtarëve që pritet të bëjnë të mundur hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Në programin e  punimeve të Kuvendit për periudhën 17 Tetor – 25 Nëntor 2016 është parashikuar edhe miratimi i Projektvendimit për zgjedhjen e anëtarëve të Autoritetit për Informimin për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Megjithatë, administrata e Kuvendit nuk shpreh optimizëm për zgjidhjen përfundimtare të ngërçit, brenda afatit të parashikuar në axhendë.

Albana Shtylla, sekretare e Përgjithshme e Kuvendit i tha BIRN se përgjatë një viti e gjysmë janë kryer procedurat për aplikimin e kandidatëve dhe pajisjen e tyre me certifikata të sigurisë. Ajo shpjegoi gjithashtu se aktualisht janë dhjetë kandidatë për katër postet e anëtarëve të Autoritetit dhe kryetarja e propozuar nga qeveria, Gentiana Sula që pritet të votohen në seancë plenare.

«Deri në këto momente nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë ligjore e parashikuar nga neni 8, i ligjit nr.45/2015…Në këto kushte, procedurat ligjore janë bllokuar, sepse mungon mbështetja ligjore me firmë nga 28 deputetë për kandidaturat që janë në konkurrim», tha Shtylla për BIRN.

Neni 8 i ligjit përcakton se mes pesë anëtarëve të Autoritetit, një propozohet nga Këshilli i Ministrave, dy nga Kuvendi, një nga shoqatat e të përndjekurve dhe një përfaqësues nga organizatat e të drejtave të njeriut. Për dy kandidaturat e fundit, ligji përcakton mbështetjen e tyre nga 28 deputetë të Kuvendit-gjë që ende nuk është realizuar.

Shqipëria është një nga pak vendet e ish bllokut të Europës Lindore që ka dështuar të trajtojë dosjet e policisë sekrete gjatë më shumë se katër dekadave të regjimit komunist. Përpjekjet e mëparshme kanë qenë të pjesshme dhe të diskutueshme, ndërkohë që ligji i fundit i qeverisë Rama nuk po gjen ende zbatim në realitet.

Zvarritja e gjatë e historisë së dosjeve të ish-Sigurimit ka zbehur shpresat e viktimave të shumta të represionit komunist në Shqipëri se ky proces do të bëhet një ditë.

Daut Gumeni, ish-i burgosur politik që pret të votohet nga Kuvendi si njëri prej anëtarëve të Autoritetit i tha BIRN se shkak i moszbatimit është mungesa e vullnetit politik.

«Zbatimi i Ligjit për Hapjen e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit nuk ka nisur ende qoftë edhe prej ngarkesës së madhe të Kuvendit me ndryshimet kushtetuese dhe ligjet përkatëse mbi Reformën në Drejtësi. Kjo ndoshta do të thuhej duke menduar më të paktën. Por nuk mund të lihet pa thënë në rastin e moszbatimit në kohën e duhur të Ligjit është vullneti politik i munguar», tha Gumeni.

Optimizëm dhe dyshime

Përfaqësues të qeverisë ngulmojnë se ligji do të vihet në zbatim, pa i dhënë një përgjigje pyetjes kur.

«Është në rrugë të drejtë dhe shumë shpejt do të fillojë nga puna dhe predispozita është e plotë, -shprehet për BIRN deputetja Vasilika Hysi, anëtare e Komisionit të Ligjeve. Është koha por edhe ka predispozitë të mirë që t’i shkohet deri në fund», shtoi ajo.

Krejt ndryshe mendojnë të përndjekurit politikë, që në një aktivitet të pak ditëve më parë «Ditët e Kujtesës-2016» të organizuar nga fondacioni Konraud Adenhauer janë shprehur hapur se procesi është tejet i vonuar, por edhe nuk ka gjasa të ndodhë para zgjedhjeve të 2017.

Daut Gumeni bën një analogji mes ligjit të dekriminalizimit dhe atij të hapjes së dosjeve, duke e vënë fokusin tek konflikti i interesit që politika ka me secilin prej tyre.

«Ndoshta jemi po në të njëjtën situatë edhe me miratimin e Ligjit mbi hapjen e Dosjeve të Diktaturës. Zbatimi i atij ligji nuk duhet parë si armë  e fushatave elektorale të radhës, por si një mundësi për të nisur fundin e tranzicionit tonë të shpifur e të zgjatur për të zgjatur kohën në pushtet të trashëgimtarëve të diktaturës», tha Gumeni për BIRN.

«Zbatimi i atij ligji të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë e të harruar aq gjatë nga i njëjti Kuvend, duhej parë si hapi i parë konkret për nisjen e realizimit të Reformës në Drejtësi dhe jo si kërcënim  i palëve politike për njëra-tjetrën», shton ai.

Zbatimi i këtij ligji, nëse do të arrihet krijon premisë për transparencën e kërkuar publike mbi ato fenomene të së kaluarës jo të largët, por që po kanë tendencën për t’u groposur sot, meqenëse shumica e informacioneve janë të klasifikuara.

Autoriteti besohet se do të vendosë në qendër të punës së saj fuqizimin e personave që kanë vuajtur shtypjen, duke u mundësuar atyre njohjen dhe asistencën për të kërkuar mbi informacionet që shteti-diktaturë me ndihmën e falangave të veta ka mbledhur për ta.

Gentiana Sula, e cila gjithashtu pret konfirmimin në Kuvend si kryetare e Autoritetit beson se një ndikim do të ketë edhe mbi persekutorët, duke i detyruar mbase të bëjnë një mea-culpa publike.

«Kam besim se zbatimi rigoroz i ligjit do të krijojë kushte që lehtësojnë kurimin e plagëve të diktaturës.  Gjithsesi ky do të jetë një proces afatgjatë dhe do të kërkojë dhe masat e tjera komplekse, të cilat padyshim ky ligj për informim do t’i katalizojë», tha Sula për BIRN.

Ligji për të drejtën e informimit mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka në themelin e vet Autoritetin. Megjithatë, ai parashikon gjithashtu ngritjen e një Sekretariati Teknik, i cili do të ketë në gjirin e tij arkivistë, juristë, hulumtues të historisë, si dhe një sektor administrate.

Pjesë e rëndësishme do të jetë edhe ekipi që do komunikojë me publikun, institucionet, mediat, personat e dëmtuar ose ato që kanë bashkëpunuar me ish-Sigurimit, si dhe do të lehtësojë projekte sensibilizuese të kujtesës.

Sula i tha BIRN se infrastruktura e Autoritetit do të inspirohet nga modelet më të mira bashkëkohore të institucioneve homologe.

«Bashkëpunimi me Rrjetin Evropian të strukturave për informim mbi ish-policitë sekrete në vendet e Evropës-Lindore dhe Qendrore, që sot për sot koordinohet nga Polonia, filloi që gjatë kohës së hartimit të ligjit nga grupi i punës, të cilin e drejtoja kur bëja pjesë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Atëherë u eksploruan dhe aspektet institucionale dhe implikimet e buxhetit të ngritjes së Autoritetit. Një buxhet fillestar është vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit 2016», shprehet ajo.

Nëse do të funksionojë si duhet, procesi do t’i hapë udhë shërimit të një plage të madhe mbi persekucionin gati gjysmë shekullor komunist. Ani pse sa më shumë ikën koha, aq më i pasigurt ndjehet publiku për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit.

(reporter.al: http://www.reporter.al/hapja-e-dosjeve-te-ish-sigurimit-politika-mban-peng-zbatimin-e-ligjit/)