Hapet shtegu drejt marrëveshjes

Zvicra i fillon negociatat me Kosovën për Marrëveshjen e re të Sigurimeve Shoqërore. Ngjallet shpresa e pensionistëve kosovarë, të cilët dëshirojnë t'i kthehen vendlindjes...

Foto: argus / Shutterstock.com

Lajmi për dhënien e mandatit nga Departamenti i Punëve të mbrendshme Entit Federal për Sigurime Shoqërore për fillimin e negociatave, publikuar më 16 nëntor 2016, me qëllim të arritjes së marrëveshjes ndërshtetërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës në rrafshin e sigurimeve shoqërore është një vendim edhepse i vonuar, i arsyeshëm dhe mirëseardhur.

Ky lajm paraqet një shkëndijë në fund të një tuneli mbi gjashtëvjeçar të diskriminit të shtetasve nga Kosova, të cilët kishin mbetur pa përfitimin e pensioneve dhe përfitimeve të tjera nga sigurimet shoqërore, pavarësisht kontributit të tyre për disa decenie me radhë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Zvicrës dhe pagimit të rregullt të kontributeve të detyrueshme në skemën e sigurimeve shoqërore në Zvicër.

Falë angazhimit të gjatë e të palodhshëm e të vazhdueshëm të përfaqësuesve të Sindikatës Unia, të ekspertëve të fushës, si dhe të përfaqësuesve politik dhe atyre të shoqërisë civile mund të thuhet se ky lajm paraqet një gurëthemel për arritjen e marrëveshjes të qëndrueshme të Sigurisë Shoqërore në mes të Kosovës dhe Zvicrës duke i kthyer dinjitetin shtetasve nga Kosova.

Kohëzgjatja e negociatave nuk mund të parashikohet dhe ajo varet nga disa faktorë, ndërsa pas arritjes së marrëveshjes, sipas komunikatës për media të Entit Federal për Sigurime Shoqërore llogariten edhe dy deri tri vite që ajo të ratifikohet nga Parlamenteti i Zvicrës dhe Kosovës, pastaj hyn në fuqi.

Kthimi i kontributeve

Shtetasit nga Kosova, të cilët kanë punuar në Zvicër, dhe për arsye të ndryshme janë kthyer në Kosovë, si dhe ata të cilët kanë vendosur të kthehen në Kosovë pas invaliditetit apo arritjes së moshës së rregullt të pensionit, në mungesë të marrëveshjes ndërshtetërore të Sigurisë Shoqërore, mund të kërkojnë kthimin e kontributeve në shumën 8,4 për qind (4,2 për qind punëmarrësi dhe 4,2 për qind punëdhënësi) nga të ardhurat bruto të realizuara gjatë viteve të punës në Zvicër.

Sipas Nenit 7 të rregullores për kthimin e kontributeve nga sigurimi i pleqërisë dhe trashëgimtarëve (AHV) për shtetasit e huaj (në mungesë të marrëveshjes ndërshtetërore), kthimi i kontributeve është i mundshëm më së voni deri pesë vite pas arritjes së moshës së rregullt të pensionimit, e që është sipas 65 për meshkujt dhe 64 për femrat. Duke marrë parasysh se mosha e pensionimit të rregullt për femra është mosha 64 vjeçare, e për meshkujt ajo 65 vjeçare i bie se tërheqja e kontributeve është e mundur deri në moshën 69 vjeçare për femrat dhe deri në moshën 70 vjeçare për meshkujt.

Mirëpo, deri sa negociatat për marrëveshje të re pritet të nisin, e duke marrë parasyshë se me arritjen e marrëveshjes dhe hyrjes së saj në fuqi do të ketë mundësi për eksportimitn e përfitimeve (pensioneve) edhe në Kosovë, është e udhës që ata të cilët nuk i kanë marrë kontributet të presin deri në hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje, në rast se nuk ndodhen larg nga mosha e parashkrimit të tyre.

Do të ishte e udhës që kthimi i kontributeve nga arka kompensuese në Gjenevë të ndërpritet për këtë kategori të personave dhe palët qysh në takimin e parë të bien dakord për hapat e përkohshëm (marrëveshje kalimtare) deri në hyrjen në fuqi të marrëveshjes ndërshtetërore për sigurimet shoqërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës. Si dhe të inforomohen shtetasit e Kosovës me vendbanim në Kosovë, të cilët kanë punuar në Zvicër dhe tani jetojnë në Kosovë; shtetasit e Kosovës, të cilët janë duke punuar në Zvicër dhe janë të prekur dhe mund të preken, apo të gjithë shtetasit e Kosovës për mundësitë e tyre në fazën kalimtare që mos të përsëriten veprimet e gabuara në mungesë të informacionit.

Marrëveshja ndërshtetërore si urë ndërlidhëse

Çelja e negociatave për marrëveshje të re paraqet pa dyshim gurëthemelin e ndërtimit të një ure ndërshtetërore në rrafshin e sigurimeve shoqërore si për shtetasit e Kosovës, ashtu edhe për popullin zviceran. Duke marrë parasysh periudhën mbi gjashtëvjeçare të mungesës së marrëveshjes dhe pasojave që ka sjellë mungesa e saj, mund të thuhet se veprim i Qeverisë zvicerane konsiderohet si një reflektim i arsyes për trajtimin e barabartë të shtetasve të Kosovës në rrafshin e sigurimeve shoqërore. Ura ndërlidhëse në mes të dy shteteve në këtë rrafsh mund të jetë e suksesshme vetëm nëse merren parasysh kërkesat e arsyeshme të palëve dhe të ndërtohet në baza të qëndrueshmërisë afatgjatë, duke marrë parasysh edhe zbatimin e saj në praktikë. Shpresoj se me arritjen e marrëveshjes dhe jetësimin e saj në praktikë do të merret një mësim se jetëgjatësia e marrëveshjeve ndërshtetërore varet nga zbatimi i tyre në praktikë.

Njoftimi për nisjen negociatave paraqet themelin e urës ndërlidhëse në rrafshin e sigurimeve shoqërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës, themel ky që i kthen dinjitetin shtetasve të Kosovës. Njëkohësisht kjo duhet të shërbejë edhe si model për arritjen e marrëveshjeve të tjera ndërshtetësore me shtetet tjera, ku jetojnë e veprojnë shtetasit nga Kosova.