Hamiti: Shpend Ahmeti, peng i komiteteve ideologjike të «Vetëvendosjes»

Shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Sami Hamiti, në një intervistë për «Kohën Ditore», e ka cilësuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, peng të komiteteve të «Vetëvendosjes.




Ai konsideron se komitetet e tilla po e mbajnë të bllokuar edhe funksionimin e institucioneve komunale, shkruan sot «Koha Ditore».

Pasi e quan situatën në KK si paradoksale, për faktin që «Shpend Ahmeti nuk ka arritur ta krijojë shumicën e nevojshme në KK» dhe se «pretendimi i tij se do të mund të qeverisë vetëm me dhjetë anëtarët e VV-së pa koalicione është i gabuar», Hamiti ka thënë se hendeku më i madh në KK është krijuar nga vetë kryetari. Shefi i Grupit të LDK-së në KK thotë se ai bëhet peng «për shkak të pafuqisë, të mungesës së guximit, apo padijes së tij».

Si komitete ai i quan sektorët e organizimit politik të VV-së, që, sipas tij, «janë tipike ideologjike».

«Njërin nga këto komitete e udhëheq edhe Liburn Aliu», është shprehur ai. LDK-në, ndërkaq, e vlerëson si subjekt që nuk i ka kontribuar hendekut.

«Përkundrazi, është përpjekur të gjejë rrugë veprimi dhe komunikimi në të mirë të qytetarëve të kryeqytetit», ka thënë ai.