Hamiti: Është normale që rregullat fetare rishikohen

Profesori i Fakultetit për Studimet Fetare, Xhabir Hamiti i ftuar në emisionin Rubikon në KTV ka folur për ndryshimin dhe përshtatjen e rregullave sheriatike dhe fetare gjatë ndryshimit të kohërave.




Gjatë kohës së pelegrinazhit në Mekë ndodhi një tragjedi ku pati shumë viktima dhe kjo nxiti mjaft reagime, ku njëri nga ta ishte edhe studiuesi shqiptar i islamit, Xhabir Hamiti, transmeton Koha.net.

Ai pati shkruar se duhet të ketë ndryshime dhe përshtatje në proporcion në kohën që jetojmë, të rregullave fetare.

«Ka qenë e para për lexuesit shqiptarë sepse ky debat është që shumë kohë në vendet tjera. Rregullat mund të jenë të sakta për një kohë por nuk do të thotë që nuk duhet të rishikohen në ndryshim të kohës dhe rrethanave», tha Hamiti.

Ai dha edhe shembuj konkretë që duhet të ketë ndryshime.

«Gjendja reale për shembull është në Polin e Veriut gjatë Ramazanit duhet të agjërohet rreth 23 orë dhe është patjetër e nevojshme për ndryshime dhe përshtatje», shtoi Hamiti.

Sipas tij, tragjedia që ka ndodhur sivjet në Mekë ka qenë një rikonfirmim që duhet të ketë ndryshime sepse kur janë shkruar këto rregulla vendi ku gjuhet me gurë është vizituar nga shumë më pak njerëz kurse sot numri varion tek 2-3 milionë.