Halle zvicerane: a duhet të mbajnë lopët brirë apo jo? Së shpejti për këtë vendoset në referendum

Shumicës së lopëve në Zvicër bujqit ua presin brirët. Një bujk ka mbledhë 100 mijë nënshkrime kundër kësaj procedure të dhimbshme. Më 25 nëntor zviceranët vendosin në referendum për këtë çështje.

Foto: Shutterstock



Sipas ekspertëve në Zvicër shtatë prej dhjetë lopëve helvetike nuk kanë brirë. Arsyeja përse bujqit ua presin lopëve brirët është e thjeshtë: duan të evitojnë që lopët të lëndojnë njëra-tjetrën dhe njerëzit përreth. Po ashtu lopët pa brirë zënë më pak vend në ahur. Procedura është e dhimbshme për lopët: pas prerjes, një metal i skuqur i djegë në rrënjë brirët, të cilët pastaj s’rriten më.

Ekspertët e bujqësisë dhe blegtorisë në Zvicër thonë se brirët janë të rëndësishëm për sjelljen sociale të lopëve. Brirët në tufën e bagëtive shërbejnë si organ komunikimi dhe autoriteti; me brirë lopa e demonstron edhe rangun e saj brenda tufës. Nëse sulmohet, atëherë lopa i përdorë brirët për të shmangur goditjet e palës tjetër. Brirët i ndihmojnë lopës edhe për t’u kruar në ato pjesë që nuk i mbërrin ndryshe. Të gjitha këto i thonë ekspertët zviceranë të bujqësisë, madje detajet mbi funksionin e bririt i kanë përmbledhur brenda kapakëve të një libërthi.

Megjithatë, në livadhet dhe stallat e Zvicrës ka gjithnjë e më pak lopë me brirë. Kjo gjendje është e padurueshme, mendoi një ditë bujku Armin Capaul. Ai është 67-vjeçar, por ende dëshiron të sillet si në vitin 1968, kur ishte student dhe pjesëtar i lëvizjes majtiste, që synonte të rrëzonte krejt sistemin (kapitalist). Capaul me vite të tëra luftoi me mjete politike për të ndikuar te politikanët që t’i ndihmojnë bujqit me mjete financiare për t’ua lënë lopëve brirët në kokë. Por, Capaul nuk pati sukses.

Si çdo qytetar zviceran që nuk pajtohet me shtetin edhe Capaul ndërmori hapin e fundit demokratik: ia filloi të mbledhë nënshkrime për nismën e tij që lopëve të mos u hiqen brirët. Brenda një kohë të shkurtër Capaul dhe përkrahësit e tij mblodhën 100 mijë nënshkrimet e domosdoshme për të organizuar një referendum – një referendum për apo kundër brirëve? Capaul thotë se në këtë mision e kishin ndihmuar edhe lopët, me kërkesat dhe lutjet e tyre. Më 25 nëntor zviceranët do të vendosin në referendum nëse lopët mund të mbajnë brirët e tyre dhe nëse ata bujq që ua lënë brirët shtazëve të tyre duhet të marrin subvencione nga ana e shtetit. Së fundi Capaul ka mbajtur një konferencë për media në Bernë, aty ku zakonisht flasin ministrat. Para gazetarëve Capaul solli edhe një shkop metalik, të nxehur në 700 gradë, i cili përdoret për t’ua rrafshuar brirët lopëve.

Socialdemokratët zviceranë përkrahin iniciativën e brirëve, shoqata e bujqve nuk e kundërshton, ndërsa për këtë nismë janë edhe disa bujq që janë anëtarë të Partisë Popullore të Zvicrës (SVP). Nëse pranohet iniciativa, atëherë e drejta e lopës zvicerane për të pasur brirë hyn në Kushtetutë. Disa zviceranë thonë se kjo është paksa absurde. Por, bujku Capaul thotë se nisma e tij do të kalojë me 80 për qind të votave. Anketat parashikojnë miratim me pak mbi 50 për qind. Nëse ndodhë kjo, atëherë çdo bujk zviceran do të marrë nga 190 franga subvencion nga shteti – çdo vit dhe për çdo lopë.