Hahn thotë se Kosova nuk është më vend origjinë i migrantëve

Bashkimi Evropian vazhdon të përballet me dramën e refugjatëve ndërkohë që nuk po arrin të gjejë konsensus për mënyrën se si të ndajë më mirë barrën e këtij problemi mes shteteve anëtare. Pas mbylljes pothuajse hermetike të kufirit mes Hungarisë dhe Serbisë, Kroacia është bërë vendi ku numri më i madh i refugjatëve po hyn në territorin e Bashkimit Evropian. Ata vijnë nga Serbia e cila tash po i drejton nga kufiri me Kroacinë.




Komisioni Evropian ka diskutuar për ndihmën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryesisht të Serbisë dhe Maqedonisë që të përballen me sfidën e ardhjes së refugjatëve.

Për këtë ka folur të enjten në konferencë për shtyp Komisionari për fqinjësi dhe zgjerim Johanes Hahn, raporton korrespodenti i Kohës Ditore në Bruksel. Ai ka tërhequr vërejtjen se problemi është evropian dhe global dhe nuk do të ishte e drejtë sikur barrën për këtë ta bartin vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat edhe ashtu kanë shumë probleme të veta.

Sipas komisionarit Hahn, Ballkani Perëndimor, e bashkë me të edhe Kosova, më nuk është burim i krizës dhe i refugjatëve, por është shndërruar në enklavë brenda Bashkimit Evropian e cila po bëhet zonë transiti për refugjatët që të shkojnë prej një vendi të BE-së në një vend tjetër.

«Ne nuk guxojmë të lejojmë që Ballkani perëndimor të shndërrohet në vendparkim apo në vend të askujt për refugjatët. Ky do të ishte një gabim gjeostrategjik prandaj kemi nevojë për koka të ftohta dhe jo për retorikë të ashpër», ka thënë Johanes Hahn. Ai në mënyrë indirekte ka kritikuar Hungarinë për «perden e hekurt» që ka ndërtuar duke thënë se në zyrën e tij Hahn mban një pjesë të «perdes së hekurt» që ndante gjatë luftës së ftohtë Hungarinë dhe Austrinë, e të cilën e kishin shkatërruar kryeministrat e dy vendeve pas rënies së komunizmit në Hungari. «Pos perdeve dhe mureve ka rrezik që të krijohen edhe perde dhe mure të padukshme mes vendeve të Evropës. Unë do të punoj që kjo kurrë të mos ndodhë» ka thënë Hahn.

Hahn foli edhe për vendimin e Komisionit Evropian që të përshpejtojë dhënien e mjeteve financiare për vendet e Ballkanit e që janë të dedikuara për çështje migrimi. Mjetet e ndara janë për vendet kandidate për anëtarësim dhe ata aspirantë. Në këtë mënyrë për Kosovën janë të ndara 7.1 milionë euro, ndërsa në krye të listës së përfitueseve janë Serbia dhe Maqedonia me 54 përkatësisht 24 milionë euro. Mjetet ishin të dedikuara për periudhën shumëvjeçare financiare prej 2014 deri në 2020.

I pyetur nga gazetarët se, nëse Ballkani nuk është më burim i migrantëve, si atëherë kosovarët ende në Gjermani përbëjnë numrin më të madh të azilkërkuesve, Hahn tha se «këto shifra në Gjermani duken ashtu sepse ende nuk janë përmbyllur procedurat e shqyrtimit të kërkesave të kosovarëve të cilët në numër të madh kishin ardhur në fund të vitit të shkuar dhe fillim të këtij viti». Por sipas tij numri i azilkërkuesve nga Kosova tashmë pothuajse është ndalur tërësisht pas një bashkëpunimi mes Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian.