Hahn në Shkup: Protesta nga qytetarë dhe injorim nga presidenti

Porosia e Johannes Hahn dje në Shkup: Në një demokraci, të gjithë duhet ta pranojnë shumicën parlamentare. Ne e inkurajojmë presidentin e shtetit që ta rishqyrtojë urgjentisht vendimin e tij. Nuk ka kohë për të humbur! Por kjo nuk e tundi Ivanovin nga qëndrimi i tij për të mos i dhënë mandatin për qeverinë Zoran Zaevit. Presidenti e bojkotoi komisarin Hahn duke mos e pranuar në takim.

Johannes Hahn. Foto: Nazar Gonchar / Shutterstock.



As vizita e komisarit të lartë për zgjerim dhe fqinjësi i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn nuk solli ndonjë përparim në Maqedoni, ku situata sa vjen e ndërlikohet. I shoqëruar nga tre deputet të Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, Knut Flenckeshteinn dhe Ivo Vajgl, komisari Hahn ka takuar përfaqësuesit politik të Maqedonisë. Në agjendën e takimeve të sotme ishte edhe presidenti i Maqedonisë Gjorgji Ivanov, por ai nuk ka pranuar të takojë komisarin Hahn. Pas përfundimit të takimeve me liderët partiakë, Hahn i dërgoi porosi të drejtëpërdrejtë presidentit Ivanov që të rishqyrtojë vendimin e tij dhe të respektojë kushtetutën dhe shumicën e re parlamentare: «Në një demokraci, të gjithë duhet të pranojnë shumicën parlamentare. Kështu që ne e inkurajojmë Presidentin e shtetit që të rishqyrtojë urgjentisht vendimin e tij. Nuk ka kohë për të humbur. Ne presim nga liderët partiakë dhe nga institucionet që të lejojnë të rrjedhin proceset demokratike, në interes të qytetarëve», thuhet mes tjerash në këtë komunikatë, ku theksohet se vonesat e shkaktuara në muajt e fundit, tanimë shkaktojnë dëme për ekonominë e vendit.

Edhe më i drejtpërdrejtë ka qenë shefi i tij i kabinetit, Majkll Karniçnik. Në një postim në profilin e tij në Twitter, ai ka zbuluar detaje nga takimi i përfaqësuesit të lartë të BE-së me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ku mes tjerash tha se Hahn ka kërkuar formimin urgjent të qeverisë. «Është e nevojshme që sa më shpejtë të formohet qeveria e re. Duhet të shihni se ekziston shumica parlamentare. Patjetër të respektohet kushtetuta», ka shkruar Majkll Karniçnik. Gruevski nuk u prononcua pas takimit, ndërsa paraprakisht nuk lejoi mediat as të regjistrojnë pamje nga fillimi i takimit. Në vend të tij është prononcuar deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, i cili tha se për ta ekzistojnë dy mënyra për zgjidhjen e krizës: Mënyra e parë është që Zaev të formojë Qeverinë, por të heqë dorë nga platforma e përbashkët e partive shqiptare, mënyra e dytë është mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare, kërkesë kjo e cila është shtruar nga VMRO-DPMNE që nga përfundimi i zgjedhjeve të 11 dhjetorit. «Për shkak se kemi zgjedhje lokale për dy ose pesë muaj, i tërë shteti do të jetë në atmosferë parazgjedhore, dhe është e rëndë të punohet në projekte. Prandaj do të ishte më mirë me një harxhim të organizohen zgjedhjet, që të mund çdo qytetar të jetë i sigurt në përzgjedhjen e tij», tha Milloshoski.

Por për kreun e LSDM-së, Zoran Zaev, mesazhet që ka përcjellur komisari Hahn në takimet e sotme janë të qarta. Ai tha se tanimë Maqedonia nuk guxon të humbë kohë dhe se nevojitet formimi urgjent i qeverisë. «Jemi dakorduar se proceset duhet të vazhdojnë. Një ditë e humbur për Maqedoninë, është ditë e humbur për të gjithë qytetarët, edhe për perspektivat evropiane të vendit. Përshpejtimi i proceit nuk do të thotë se duhet të mos jemi të kujdesshëm ndaj të gjitha provokimeve që ndodhin nga ana tjetër. Por një gjë është e qartë: Duhet të përshpejtojmë», deklaroi Zaev pas takimit me Hanin.

Sipas kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, përfaqësuesit e BE-së kanë shfaqur interes për normalizimin e institucioneve, duke filluar nga ai ligjvënës. «Ata shfaqën një interesim të jashtëzakonshëm mbi zhvillimet dhe kërkonin mundësi se si mund të tejkalohet situata dhe vendi të kthehet në normalitet me institucione funksionale, duke filluar nga kuvendi deri tek konstitutimi i qeverisë. Mesazhet ishin shumë miqësore, që vendi t’i tejkalojë të gjitha mosmarrëveshjet dhe të marrim obligim të gjitha forcat politike në vend deri në konstituimin e suksesshëm të institucioneve», deklaroi Ali Ahmeti.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, tha se Bashkimi Evropian përmes komisarit Hahn ka dhënë mbështetje për daljen nga kriza dhe përparimin e Maqedonisë në procesin euro-integrues, por se përgjegjësinë për këtë e mbajnë partitë politike në vend. Ai tha se delegacionin e BE-së e kanë njoftuar me mbështetjen që kjo parti i jep procesit të zhbllokimit të institucioneve. «Në këtë drejtim janë edhe aktivitetet  e Besës, pa shikuar interesat partiake ne shikojmë se si të dalim nga kjo krizë. Vlerësojmë se ka faktorë të cilët dëshirojnë që këtë krizë institucionale ta thellojnë dhe ta shndërrojnë në krizë interetnike. Përkrahja e eurodeputetëve është e një rëndësi të veçantë», ka thënë Kasami.

Kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, pas takimit të realizuar dje porositi presidentin Gjorgje Ivanov se nuk mund të marrë vendime duke u mbështetur në vlerësimet e tij personale, ndërsa shtoi se BE është e brengosur thellë për situatën në Maqedoni.  «Presidenti i shtetit mund të ketë qëndrimin e tij, megjithatë ai është i obliguar t’i ja jep mandatin atij që ka shumicë. Në lidhje me këtë ai nuk ka të drejtë që ketë mendim personal, por ka obligim të japë mandatin. Duhet të vazhdohet seanca, të zgjidhet kryetari i kuvendit dhe të informohet presidenti se ka shumicë dhe ai nuk ka të drejtë të mohoj këtë shumicë», tha Sela.

Kuvendi i Maqedonisë vazhdon të mbetet i bllokuar, pasi partitë në kordinimin që zhvilluan të martën gjatë gjithë ditës nuk gjetën gjuhë të përbashkët për formimin e komisionit për zgjedhje dhe emrim. Për këtë komision që është më i rëndësishmi dhe kusht për konstituimin e plotë të kuvendit, partitë deri në fund të ditës mbajtën qëndrime të ndara për atë se kujt i takon kreu i këtij komisioni.

Parparakisht katër partitë që kanë grupe parlamentare u dakorduan për numrin e anëtarëve që do të kenë në komision. Sipas kësaj marëveshje, VMRO-DPMNE do të ketë gjashtë anëtarë, LSDM pesë, ndërsa BDI dhe Besa nga një anëtar. Por, bisedimet u bllokuan në pikën e kryetarit të komisionit, pasi VMRO-DPMNE dhe LSDM me interpretime të ndryshme të rregullores pretendonin të marin postin e të parit të komisionit për zgjedhje dhe emrim. Nga LSDM thanë se kanë bërë kompromis duke i dhënë VMRO-së numrin më të madh të anëtarëve edhe pse si thanë, atyre iu kishte takuar kjo. Oliver Spasovski akuzoi se VMRO tani ka nxjerr kusht të ri, atë për kryetarin e komisionit me qëllim që të zvarrisë rifillimin e punës së Kuvendit. «Kemi pranuar që VMRO të ketë gjashtë përfaqësues. Pasi që u pranua edhe ajo, tani parashtrohet një kusht tjetër, që kryetari për zgjedhje dhe emërime të jetë anëtarë i VMRO-DPMNE-së. Nëse kjo nuk ndodh nuk do të ketë vazhdim të seancës konstitutive dhe përzgjedhje të kryetarit të Kuvendit. Kjo tregon edhe njëherë se VMRO-DPMNE në kundërshtim me të gjitha dispozitat demokratike po mban peng Maqedoninë dhe institucionet e saj», tha Spasovki.

Ndërkaq nga VMRO thanë se numri i anëtarëve në komision është caktuar sipas ligjit dhe rregullores, e jo sipas vullnetit të LSDM-së. Deputeti i VMRO-së, Ilija Dimovski, u kërcënua se nëse LSDM dhe partitë shqiptare votojnë me shumicë kryetarin e komisionit nga partia e Zaevit, atëherë do të ketë pasoja të rënda politike. «Por nëse partitë tjera qëndrojnë në vendimin për të formuar ndonjë shumicë, apo edhe ndonjë qeveri, pa pjesëmarrjen e partisë më të madhe parlamentare, duhet të jenë të vetëdijshëm se një  veprim i tillë, do të bart pasojë politike edhe juridike», deklaroi Dimovski.

Të mërkurën partitë do të mblidhen përsëri në mesditë në mbledhje kordinuese me kryetarin e deritanishëm të Kuvendit, Trajko Veljanovski për të provuar edhe një herë të arrijnë marëveshje për kryetarin e komisionit për zgjedhje dhe emrim. Nëse dakordohen për këtë pikë, atëherë Veljanovski duhet të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive, në të cilën pritet të zgjidhet edhe kryetari i ri i Kuvendit.