Gurakuqi, eksperti shqiptar i «elektromobilitetit»

«Elektromobiliteti» është teknologji e re e cila edhe pse ka histori të gjatë, ka arritur të aplikohet vonë në industrinë e automobilave.




«Elektromobiliteti» është teknologji moderne që përshkruan elektrifikimin – zëvendësimin e motorëve me djegie të brendshme me motor elektrikë të cilët furnizohen me energji elektrike, shkruan sot «Koha Ditore»

Kështu e shpjegon teknologjinë e re të automobilizmit, inxhinieri shqiptar Gurakuq Dajaku, i cili ka përvojë shumëvjeçare në këtë drejtim. Ai ka studiuar në Fakultetin Elektroteknik në Universitetin e Prishtinës dhe ka mbrojtur temën e doktoraturës në Universitetin Ushtarak të Mynihut.

Nga viti 2007 ai është bashkëpunëtor shkencor në Qendrën Hulumtuese për Ngasje Elektronike në FEEAM, që funksionon në kuadër të Universiteti Ushtarak. Dajaku është ligjërues në këtë universitet si dhe në UP. Deri më tani në lëmin e ngasjeve elektronike ka zhvilluar rreth 20 patenta që janë patentuar apo janë në aplikim, si dhe ka publikuar një numër të konsiderueshëm të punimeve shkencore nëpër konferenca të ndryshme ndërkombëtare dhe revista shkencore.

Gurakuqi në intervistë për gazetën tregon se «elektromobiliteti» është teknologji shumë e pastër që nuk e ndot ambientin dhe nuk gjeneron zhurmë. Ai thotë se kjo teknologji në të ardhmen do ta bëjë shoqërinë të pavarur nga rezervat e kufizuara të naftës.

Sipas tij, «elektromobiliteti» ofron inteligjencë dhe më shumë siguri se automobilat modernë. «Është diçka e re që sjell shumë e shumë të mira dhe ka një të ardhme të sigurt», nis rrëfimin e tij për «elektromobilitetin», Gurakuq Dajaku.