Guérot: Na duhet një Evropë ndryshe

Kriza aktuale me refugjatët sirianë dhe krizat e tjera të kohëve të fundit para saj, prej asaj me Greqinë e deri tek lufta në Ukrainë, imigrantët nga Ballkani, niveli i demokracisë, apo raportet me Rusinë dhe SHBA-në, kanë nxitur debate e polemika të shumta brenda vetë Bashkimit Evropian, të cilat e theksojnë faktin se unioni i shteteve evropiane, i menduar si një projekt paqe, tolerance e bashkimi mbi vlerat e demokracisë liberale, duket se nuk kuptohet njëjtë nga të gjithë evropianët, shkruan sot Koha Ditore.




Madje edhe vetë qeveritë e vendeve anëtare bien në kundërshtim në çështje që shumëkush i konsideron si qenësisht evropiane, sikur që ishte së fundi rasti me mospajtimet mes shteteve të BE-së nëse duhet hapur dyert për refugjatët sirianë, në emër të solidaritetit, si vlerë bazike mbi të cilën është ndërtuar BE-ja.

Ky debat tashmë ka nxitur edhe diskutime të gjera jo vetëm brenda qarqeve politike dhe institucionale të BE-së, por edhe në radhët e intelektualëve, analistëve, shkollarëve dhe shtresës së gjerë të shoqërisë në shumë vende evropiane, që , në fakt, po e shtrojnë pyetjen se nga po shkon dhe nga duhet të shkojë Evropa në të ardhmen.

Ulrike Guérot është një prej intelektualeve të tilla evropiane. Ajo ka 20 vjet që merret me çështjen e idesë dhe të demokracisë evropiane, dhe është themeluese dhe drejtoreshë e «European Democracy Lab» (Laboratori Evropian i Demokracisë), një institut hulumtimesh i përkushtuar për të ardhmen e demokracisë evropiane, në Shkollën Evropiane të Qeverisjes në Berlin.

Në intervistë me «Kohën Ditore» flet për të tashmen e Bashkimit Evropian, për nivelin e demokracisë në BE, për arsyet e ngritjes së ekstremeve politike, qëndrueshmërinë e idesë evropiane, të ardhmen e paqartë, si dhe për nevojën që projekti i BE-së të kalojë në duart e qytetarëve evropianë, ku ajo përfshin edhe vendet që nuk janë ende anëtare të BE-së, sikur që është Kosova.