«Guardian»: Bashkimi Europian të vë dorën mbi Ballkanin

Çështja si të stabilizohet Ballkanit, të rrënjoset aty demokracia dhe të afrohet rajoni me Bashkimin Europian vazhdon të mbetet sfidë urgjente, duke pasur parasysh mungesën e vëmendjes.

Foto: Shutterstock



Detyra e zgjerimit të Bashkimit Europian vazhdon të mbetet dëshpërimisht e papërfunduar: krahu juglindor i bllokut është buzë greminës. Pothuajse njëzetë vite pas përfundimit të luftërave në Ballkan, ka një boshllëk në rritje në hartë, rrethuar prej Kroacisë, Rumanisë dhe Greqisë. Kriza e refugjatëve e vitit 2015 vuri në pah lehtësinë e rikthimit të flakëve të nacionalizmit në rajon. Përderisa qindra-mijëra njerëz po marshonin në drejtim të veriut, vullnetarët ndihmonin me ofrimin e ushqimit dhe veshmbathjeve për refugjatët. Por plasi sherri i tensioneve ndërmjet qeverive, madje edhe trupat u dërguan në disa kufij. Kanë kaluar dy vite, dhe rruga e Ballkanit vazhdon të mbetet kryesisht e mbyllur, por ende vazhdojnë të çojnë krye problemet e rajonit.

Çështja si të stabilizohet Ballkanit, të rrënjoset aty demokracia dhe të afrohet rajoni me Bashkimin Europian vazhdon të mbetet sfidë urgjente, duke pasur parasysh mungesën e vëmendjes. Aktivistët e shoqërisë civile në Ballkan janë përherë e më të shqetësuar për shkallën e lartë të papunësisë, korrupsionit dhe ikjes së trurit, derisa rinia e shkolluar dhe me perspektivë po largohet në kërkim të vendeve më të mira të punës në Europë. Ata thonë se është qenësore të ringjallet perspektiva për anëtarësim në Bashkimin Europian për Serbinë, Bosnjën, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi për të inkurajuar më shumë reforma të nevojshme. Dhe kanë të drejtë. Ballkani ka rëndësi për Europën jo vetëm shkaku i çështjes së emigrantëve, por edhe për shkak të rrugëve të energjisë, sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar. Dhe shumë pak është bërë për adresimin e këtyre problemeve të theksuara.

Lajmi i mirë është prekur në ngritjen e vëmendjes s nevojshme. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, ka deklaruar së fundi se nëse BE-së dëshiron të sigurojë më shumë stabilitet në fqinjësinë e vet, «atëherë duhet të ruajë perspektivën e besueshme të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor». Më 2018, Mbretëria e Bashkuar pritet të mbajë një samit special për Ballkanin Perëndimor – një nismë e prezantuar prej qeverisë si dëshmi se «Britania po largohet nga BE-ja, por jo edhe nga Europa». Dhe kur presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri të ditura planet e tij për të ardhmen e Evropës, tha se «BE-ja duhet ta hapë veten për shtetet e Ballkanit» kur ato t’i përmbushin kushtet, sepse kjo do të ndihmonte konsolidimin e «paqes dhe stabilitetit në kontinentin tonë». Ai deklaroi më tej se duhet të mos lejohen shtetet e Ballkanit që t’ia «kthejnë shpinën Europës dhe të rrëshqasin kah Rusia ose Turqia, ose drejt fuqive autoritare».

Po aq sa lidhet me konkurrencën më të gjerë ndërkombëtare, çështja e Ballkanit, është e lidhur edhe me vlerat europiane. BE-ja po përballet me konkurrencë të fortë të fuqive të jashtme që kërkojnë t’i ngulin këmbët para derës së saj dhe ta kapitalizojnë dobësinë e rajonit. Rusia luan me lidhjet ortodokse dhe sllave, dhe Turqia mundohet ta promovojë vizionin «neo-osman». Por aktorë më të largët, përfshirë Kinën dhe Arabinë Saudite, janë përherë e më aktive në rajon. Një aktivist i shoqërisë civile në Beograd e përshkruan këtë si «lojë të pabesueshme politike që nuk mund të merrej me mend më 1989», kur nisi të shembej blloku komunist.

Dhe derisa BE-ja flet për dhënien e një shtytje të re projektit të para gjashtëdhjetë viteve, duhet njëherësh të ndërtojë arkitekturë të qëndrueshme rajonale për Ballkanin. Kanë kaluar disa vite me zbehje të perspektivës së anëtarësimit. Studimet tregojnë se ka rënie të përkrahjes publike për BE-në në mesin e qytetarëve të rajonit. Kjo vetëm sa ndihmon polarizimin dhe popullizmin, me regjimet e korruptuara që përfitojnë prej ekonomisë në krizë. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës tregon se çfarë mund të ofrojë Europa. Më shumë fonde të BE-së duhet të investohen në rajon për joshje.

Churchilli kishte deklaruar dikur se «Ballkani prodhon histori më shumë se sa mund ta konsumojë». Nëse kjo çështje lihet pa u adresuar, qeverisja e keqe dhe belatë e vjetra do të mund të shpërthenin përsëri. Pasojat do të ndiheshin përtej rajonit. Leksionet nga historia e Ballkanit tregojnë padyshim se krejt Europa ka interes që të sigurohet se Ballkani nuk do të shndërrohet në oborr tensionesh, por të ndihmohet që të modernizohet dhe një ditë t’i bashkohet klubit europian.