«Guardian»: Avokatia akuzon diplomatët britanikë për injorim të dëshmive të BE-së për korrupsion në Kosovë

Maria Bamieh, e cila ka qenë prokurore e EULEX-it në Kosovë dhe tani punon si avokate në Londër, thotë se diplomatët e Britanisë së Madhe nuk i morën parasysh pretendimet për marrëveshje mes zyrtarëve të Misionit të BE-së dhe të dyshuarve për krime në Kosovë.




Sipas dokumenteve të prezantuara të hënën para një gjykate në Londër diplomatët e Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe u përpoqën të bindin prokuroren e EULEX-it të mbyllë njërin sy sa i përket dëshmive për korrupsion në Kosovë, raporton gazeta «Guardian». Maria Bamieh, avokate në Londër, tha se diplomatët britanikë refuzuan të ndërmarrin hapa për të mbështetur pretendimet e saj për marrëveshje mes zyrtarëve të BE-së dhe të dyshuarve për krime në Kosovë. Në vend të kësaj, sipas Bamieh, zyrtarët e kishin këshilluar të injorojë dëshmitë për pagesa ilegale.

Një dokument me akuza përkatëse u dorëzua në një gjykatë në Londër. Për këto akuza kundër EULEX-it për herë të parë raportoi «Guardian» në vitin 2014. Bamieh deklaroi se është detyruar të largohet nga posti i prokurores pasi kishte gjetur dëshmi se zyrtarë të lartë të EULEX-it kishin marrë ryshfet dhe kishin bashkëpunuar me vrasës. Që nga stacionimi në Kosovë në vitin 2008 EULEX-i ka kushtuar më shumë se një miliardë euro para të taksapaguesve europiane. Në fillim të mandatit Misioni europian kishte premtuar arrestimin e «peshqve të mëdhenj» në mesin e politikanëve kosovarë, të cilët gjoja ishin aktiv në krim të organizuar. Pretendimet e Bamieh dhe dokumentet komprometuese në mediat kosovare forcuan përshtypjen se EULEX-i është shndërruar në pjesë të problemit në Kosovë. Bamieh thotë se në lidhje me këtë i kishte informuar zyrtarët britanikë në qershor 2012. Bamieh kishte organizuar një takim në një bar me shefin e kontingjentit të Britanisë së Madhe në Kosovë. Në bazë të dokumenteve rezulton se zyrtarë të ministrisë së Jashtme të Londrës hodhën poshtë pretendimet mbi ekzistimin e marrëveshjeve mes zyrtarëve të EULEX-it dhe politikanëve kosovarë. Bamieh deklaroi se shqetësimet e saj i kishte ndarë edhe me ambasadorin e atëhershëm britanik në Kosovë Ian Cliff. Ata ishin takuar në gusht të vitit 2014.

Ekipi i avokatëve të Bamieh ka dorëzuar një ankesë kundër vendimit të një gjykata britanike, e cila vitin e kaluar njoftoi se nuk lejoheshin paditë kundër EULEX-it në Mbretërinë e Bashkuar. Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme britanike i ka hedhur poshtë pretendimet e Bamieh. (dp)