Grupi Mediatik Serb ngre 150 padi duke pretenduar shtypje nga shteti

Grupi Adria Media ngriti 150 padi kundër zyrtarëve të shtetit dhe pronarëve të mediave të tjera, me pretendimin e «represionit» qeveritar dhe një fushate «negative» kundër shefit të kompanisë Aleksandër Rodiq.

Adria Media Group. Foto: Kompania.



«Të gjithë punonjësit e Adria Media Group dhe gazetës së përditshme Kurir po punojnë në kushte skandaloze të shtypjes nga autoritetet», tha për BIRN shefi i komunikimit të Grupit Adria Media, Zhelimir Bojoviq, duke shpjeguar shkallën e gjerë të veprimeve ligjore të ndërmarra nga kompania.

Grupi i medias njoftoi se kishte ngritur gjithsej 150 padi kundër presidentit serb Aleksandër Vuçiq, ministrit të brendshëm Nebojsha Stefanoviq, punonjësve të administratës tatimore, redaktorëve dhe pronarëve të disa tabloidëve serbë dhe shumë të tjerëve.

Veprimi erdhi si reagim ndaj një fushate përbaltjeje të mediave pro-qeveritare ndaj tabloidit kryesor të Adria, Kuririt dhe pronarit të grupit, Aleksandër Radiq.

Kurir ka qenë dikur shumë pro-qeveritar, por në muajt e fundit filloi të kritikonte administratën serbe dhe Vuçiqin, bashkë me disa media të tjera të të njëjtit grup.

Paditë qenë gjithashtu një reagim ndaj vendimit të Administratës Tatimore për të ngrirë llogaritë bankare të kompanisë më 7 korrik me justifikimin e borxheve tatimore, megjithëse shuma që Adria detyrohej nuk u zbulua.

Bojoviq këmbëngul se «AMG nuk ka borxhe tatimore».

Ai tha se gazetarët e grupit po vazhdonin të luftonin për «atë që qeveria po përpiqet ta cenojë përgjithmonë, të drejtën e raportit të lirë dhe shkrimin kritik për të gjitha lëvizjet skandaloze dhe veprat penale nga krerët e qeverisë».

Me më shumë se 820 punonjës, AMG është një nga kompanitë më të mëdha të mediave në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka 57 botime të printuara dhe 26 dixhitale, plus 21 kanalet YouTube në Serbi, Maqedoni dhe Kroaci, dhe ka licencën për botimet serbe të National Geographic, Cosmopolitan, Men’s Health dhe Elle.

Përpara se llogaritë t’i ngriheshin, Kurir pretendoi se u përball me dhjetëra përpjeke inspektive taksash.

Bojoviq tha se Adrias iu tha jozyrtarisht se «llogaritë e saj bankare duhet të bllokohen deri në përfundim të procedurës».

Ai tha se kjo procedurë mund të zgjasë për muaj, duke pretenduar se ishte e qartë se qëllimi i autoriteteve është të marrë asetet e kompanisë.

Më 1 gusht, grupi njoftoi se nuk do të publikojë më botimin lokal të Newsweek edhe pse ka një licencë për ta bërë këtë deri në vitin 2024, duke e quajtur mbylljen «viktima e parë e persekutimit».

«Nëse vazhdon shtypja e tillë brutale kundër AMG, mund të pritet që edhe botime të tjera të mbyllen», tha Bojoviq.

Adria gjtihashtu lajmëroi më 4 gusht se më shumë se 800 punonjës të saj nuk kishin marrë rrogat për shkak të asaj që e quajti «bllokim ilegal» të llogarive të kompanisë.

«Nuk ka asnjë mënyrë veçse ta çojmë pakënaqësinë tonë në gjykatë», tha Bojoviq.

Rodiq, kreu i grupit mediatik e akuzoi Vuçiqin dhe miqtë e tij të afërt disa herë se janë përgjegjës për situatën e rëndë financiare të kompanisë.

Ai gjithashtu lajmëroi në qershor se do t’i hynte politikës.

Por Vuçiq i përshkroi letrat e hapura të Rodiqit, të cilat ai i publikoi në uebsajtin Kurir si «idiote».

(https://www.reporter.al/grupi-mediatik-serb-ngre-150-padi-duke-pretenduar-shtypje-nga-shteti/)