Grupet e ekstremit të djathtë në Ballkan lulëzojnë në internet

Të përjashtuar nga mediat kryesore, përmbajtja e të cilave mbikëqyret më rreptësisht, përkrahësit e ideologjive ekstreme po i përhapin mesazhet e tyre të frikës dhe urrejtjes në rrjetet sociale.




Kryesisht pak të mbuluar në mediat tradicionale, grupet e ekstremit të djathtë në Ballkan i janë drejtuar gjithnjë e më shumë internetit për të shpërndarë mesazhin e tyre ekstrem.

Në rajon mund të gjenden më shumë se 60 faqe interneti që promovojnë idenë e shteteve të pastra etnikisht, neo-nazizmin, homofobinë e dhunshme dhe politika të tjera radikale të krahut të djathtë.

Në Kroaci, Frano Cirko, lideri 27-vjeçar i partisë së ekstremit të djathtë Brezi i Rinovimit, tha për BIRN se lëvizje si e tija i kanë bërë të kuptojnë se ata duhet të ngrenë lojën e tyre në mediat sociale nëse dëshirojnë të tërheqin ndjekës.

«Ne përqendrohemi tek votuesit më të rinj dhe pjesa më e madhe e marketingut dhe marrëdhënieve tona publike bëhen nëpërmjet internetit», tha ai.

Cirko thotë se është e vështirë të tërheqësh votues nëpërmjet teknikave tradicionale siç janë lobimi derë më derë apo tubimet publike. Interneti kushton më pak, është më i thjeshtë, më i sigurt edhe më efikas.

Cirko po përpiqet gjithashtu të shumëfishojë ndikimin e tij duke përdorur kanale të ndryshme. Përveç drejtimit të një partie, ai drejton edhe një faqe lajmesh në internet. Ideja është që faqja e internetit të krijojë një OJQ që përkrah një mishmash çështjesh kulturore si edhe pikëpamje politike të ekstremit të djathtë.

I lindur në fillim të konfliktit që rezultoi në luftën e Kroacisë për pavarësi nga Jugosllavia, njësoj si shumë të tjerë nga brezi i tij, ai anon më shumë nga idetë që janë më radikale sesa nga ato që ndanë ish-Jugosllavinë.

Ai u bë i famshëm jashtë shtetit pasi u shfaq në dokumentarin franko-gjerman «Rechts, Zwei, Drei» ku ai u përshkrua si përkrahës i ideve fashiste, edhe pse s’e përmend këtë term.

«Ne nuk i kushtojmë vëmendje stigmave dhe etiketimeve që marrim, ne s’jemi një grup budallenjsh që mblidhen dhe sillen si tifozë futbolli», tha Cirko për BIRN, duke shtuar se etiketimi «fashist» vihej shumë lehtë.

Përsa i takon politikës, ai mbështet martesën tradicionale, duke e bërë të jashtëligjshëm abortin dhe pavarësinë e kroatëve në Bosnjën fqinje. Ajo çka është më kontroversiale është se ai dhe mbështetësit e tij shpesh valëvitin flamurin e lëvizjes fashiste ustashe të Kroacisë gjatë kohës së luftës.

Ndërsa vetëm pak vite më parë, grupe të tilla do të ishin fyer rëndë, në atmosferën më populiste të ditëve të sotme, pikëpamje të tilla tashmë janë më të zakonshme në të gjithë Ballkanin.

Grupe të vjetra dhe të reja të ekstremit të djathtë ndajnë ide

Brezi i Rinovimit nuk ishte partia e parë politike të cilës iu bashkua Cirko.

Që prej vitit 2008 ai është përfshirë gjithashtu në Partinë e Parë Kroate e të Drejtave të Njeriut, HCSP, e vetmja parti e ekstremit të djathtë që ka arritur t’i bashkohet rrjedhës kryesore në politikën kroate dhe anëtarët e të cilës janë këshilltarë në komunat lokale.

Çdo vit, partia feston në mënyrë të paturpshme 10 prillin, ditën në vitin 1941 që u krijua shteti ustash pro-fashist në Kroaci nën sundimin e fuqive të Boshtit.

Anëtarët e HCSP-së shpesh janë të spikatur në protesta kundër tubimeve të homoseksualëve dhe në ato që sulmojnë kujtimin e kampit të përqendrimit të drejtuar nga ustashët në Jasenovac.

Përveç HCSP-së së vjetër dhe Brezit të Rinovimit, në Kroaci operojnë edhe grupe të tjera të ekstremit të djathë, kryesisht të bashkuar nga admirimi për lëvizjen e vjetër ustashe si edhe duke kundërshtuar abortin, homoseksualitetin dhe pakicën serbe. «Vritini serbët» është një brohoritje e zakonshme.

Si për ironi,  grupet e ekstremit të djathtë ndiejnë se ata dhe vlerat e tyre janë ato që po sulmohen.

Drazhen Kelemineq, lideri i të djathtës ekstreme të ekstremit të djathtë, Partia Kroate e të Drejtave,  A-HSP, e cila përdor sloganin ustash «Za dom spremni» («Gati për atdhe»), tha për BIRN se Kroacia ishte viktimë e «agresionit të brendshëm», i projektuar për t’i portretizuar të gjithë kroatët si «fashistë, nazistë, të udhëhequr nga ustashët dhe gjenocidial».

Kelemineq këmbëngul se «Za dom spremni» nuk është një slogan fashist, por një nderim tradicional kroat.

Ai mbron gjithashtu lëvizjen ustashe të viteve 1940 në kampin e të cilëve në Jasenovac u vranë më shumë se 83,000 serbë, hebrenj, romë dhe antifashistë, si një reagim i natyrshëm ndaj shtypjes që kroatët pësuan në Mbretërinë e Jugosllavisë të udhëhequr nga serbët.

«A po shkaktojmë ne trazira në Kroaci? A po sulmojmë ne ndonjë? A po sulmojmë ne pakicat?» pyeti ai. «Kjo është një demokraci, jo një sistem totalitar», shtoi Kelemineq.

Zëri më i shquar i ekstremit të djathtë në televizion në Kroaci është ai i prezantuesit televiziv Velimir Bujaneq, programi i të cilit, Bujica, transmetohet në disa stacione televizive lokale.

Pavarësisht pikëpamjeve të tij ekstreme, ai i ka pritur të gjithë në programin e tij, që nga ekstremistët më të ngurtë të djathtë e deri te presidentja Kolinda Grabar Kitaroviq në vitin 2014, gjatë fushatës së saj të suksesshme për zgjedhjet presidenciale.

Por pikëpamjet e ekstremit të djathtë në Kroaci ndahen më shpesh në internet, ku shteti nuk merret me trajtimin e bisedave dhe thirrjeve të hapura për dhunë.

Faqet e internetit të ekstremit të djathtë lulëzojnë në Serbi

Situata është e ngjashme në Serbi, ku më shumë se 30 faqe interneti në gjuhën serbe promovojnë pikëpamjet nacionaliste të ekstremit të djathtë.

Normalisht, këto mohojnë ose denoncojnë pavarësinë e Kosovës, kërkojnë bashkimin e të gjithë popujve serbë në një shtet, denoncojnë BE-në dhe përkrahin Rusinë e krishterë ortodokse.

Shumica e tyre mbështesin fuqimisht luftën e Rusisë në Ukrainë dhe marrjen e saj të Krimesë.

Srpska.tv në shkurt, për shembull, publikoi një video të një murali që po lyhej në kujtim të Mihail Tolstij Givi, komandanti i vrarë i luftëtarëve rusë në Ukrainën lindore, nga aktivistë të të ashtuquajturve grupe «patriotike» si Lidhja Serbe dhe Lëvizja Popullore Serbe 1389.

Lideri i Lidhjes Serbe Aleksandar Gjurgjev dhe një kompani private Feedback Consulting & New Media Production, e cila është e lidhur me të, regjistruan portalin Srpska.tv më 25 janar të këtij viti. Në korrik 2016, ai regjistroi gjithashtu një tjetër portal, poredak.rs.

Shumica e partive të ekstremit të djathtë në Serbi veprojnë nën mbrojtjen e të ashtuquajturit blloku Patriotik.

Gjurgjev tha se mediat tradicionale të printuara përqendrohen shumë në çështje të tilla si BE-ja, duke pretenduar se Serbia nuk ka «asnjë alternativë» tjetër veçse anëtarësimit dhe duke mos i dhënë asnjë hapësirë pikëpamjeve të tjera.

«Interneti si një media multimediale, me të gjitha mundësitë e tij, është shndërruar kanali ynë dominues i komunikimit», tha ai.

Gjurgjev tha se Lidhja Serbe i shfrytëzon mirë rrjetet sociale, portalet dhe gazetat në internet.

Interneti është gjithashtu një platformë për njerëzit që kërkohen nga autoritetet serbe, si lideri i Makinerisë Kombëtare neo-Naziste Goran Davidoviq, i cili së bashku me një anëtar tjetër të grupit të tij po gjykohet në mungesë në Serbi për nxitje urrejtjeje dhe intolerance kombëtare, racore dhe fetare.

Ndërsa Davidoviq jeton në Itali, falë internetit, ai është ende shumë i pranishëm në Serbi, falë faqes së tij të internetit dhe profileve të mediave sociale.

Të gjithë dakord për një copë nga Bosnja

Pavarësisht agjendave konfliktuale nacionaliste të grupeve të ekstremit të djathtë në Kroaci dhe Serbi, ata ndajnë një dëshirë për pjesë të Bosnjës dhe promovojnë vendosmërinë ose pavarësinë e kroatëve dhe serbëve në Bosnje, për të krijuar një Kroaci të Madh apo Serbi të Madhe.

Të djathtët serbë bëjnë thirrje për bashkimin e Serbisë së sotme me entitetin serb të Bosnjës, Republika Srpska, dhe me pjesë të Kroacisë që dikur mbizotëroheshin nga serbët.

Në Bosnje, grupet «çetnike» të ekstremit të djathtë  mbështeten kryesisht te lëvizja Ravna Gora, që vitin e kaluar hapi një zyrë në qytetin veriperëndimor të Prijedorit.

Ata janë gjithashtu aktivë në internet dhe faqet e tyre të internetit kanë 4,000 vizita çdo ditë ndërsa numri i tyre i përgjithshëm i vizitave është rreth 3 milion.

Ata kanë disa grupe në Facebook, por janë kryesisht grupe të mbyllura.

Faqja e internetit i lëvizjes kryesore ustashe të Bonjës është regjistruar në Kassel, Gjermani, dhe ofron historinë e saj të shtetit kukull nazist të kohës së luftës, Shteti i Pavarur i Kroacisë, një pjesë mbi «gënjeshtrat e vërtetuara serbe» dhe një listë këngësh patriotike.

Grupet neo-ustashe në Bosnje janë aktivë sidomos në zonat pranë kufirit në Kroaci, ku incidentet etnike shpërthejnë midis popullsisë me shumicë kroate dhe myslimanëve boshnjakë.

Megjithatë, boshnjakët kanë grupet e tyre të ekstremit të djathtë. Shumica janë të lidhur me islamin radikal. Por gjatë viteve të fundit kanë lindur gjithashtu lëvizje të reja, siç është Lëvizja Boshnjake e Krenarisë Kombëtare, BPNP, e cila promovon identitetin e boshnjakëve, por pa parashtesë fetare.

Ata përkrahin një shtet boshnjak laik ndërsa deklarojnë një listë të gjerë grupesh, përfshirë hebrenj, romë, komunistë, homoseksualë dhe jo të bardhë si armiq të Bosnjës.

Moderatori i faqes së internetit të këtij grupi është nga Sarajeva dhe tani banon në Suedi dhe punon nën pseudonimin e një ish-oficeri SS nga Ballkani.

Kjo faqe ka gjithashtu një forum, por mund të bëhesh pjesë e saj vetëm pasi t’i përgjigjesh pyetjeve.

Një nga liderët e saj tha për BIRN në kushte anonimiteti se qëllimi i tyre ishte t’i jepnin fund «diktaturës» së komunitetit ndërkombëtar mbi Bosnjën, të mos lejojnë serbët dhe kroatët t’ia dalin mbanë dhe të bllokojnë ndërhyrjen e Moskës dhe Stambollit në çështjet e Bosnjës.

«Unë iu bashkova kësaj lëvizjeje kur isha 21 vjeç. Fillova të lexoja për historinë e Bosnjës dhe boshnjakëve dhe pashë se sa shumë kishin vuajtur boshnjakët dhe se si shumë pushtete u përpiqen ta shfarosnin popullin tonë», tha ai.

«Doja të mbroja popullin tonë dhe BPNP-ja ishte mundësia e vetme pasi ata nuk kanë frikë të thonë të vërtetën», tha ai për BIRN.

Lidhje me organizata të ekstremit të djathtë në Europe

Pothuajse të gjitha organizatat që nxisin ide të ekstremit të djathtë ose nacionalistët në Ballkan kanë lidhje me organizata të ngjashme në Europë.

Sipas anëtarit të BPNP-së me të cilin foli BIRN, kjo organizatë ka lidhjet më të forta me organizatat në Skandinavi dhe Ukrainë, por ai u tregua misterioz se saktësisht çfarë lloj marrëdhëniesh dhe bashkëpunimi kanë ata.

Në Serbinë fqinje, partitë dhe lëvizjet e ekstremit të djathtë kanë gjithashtu partnerë në Ukrainë, në anën tjetër të konfliktit, me rusët.

Në emër të vëllazërisë ortodokse, disa shtetas serbë madje kanë luftuar në anën ruse në konflikt.

Disa prej këtyre organizatave kanë gjithashtu portale të regjistruara në Rusi.

Organizata të tjera serbe të ekstremit të djathtë, si Lëvizja Kombëtare Serbe 1389, përdorin faqet e tyre të internetit për të promovuar grupe Facebook-u siç janë «Polakët për Kosovën Serbe», Slovenske Hnutie Obrody dhe Oboz Wielkiej Polski.

1389 thotë se ajo bashkëpunon me organizatën Bashkimi i Polakëve në Amerikën e Jugut dhe me organizata të ekstremit të djathtë nga Rusia.

Partitë kroate të ekstremit të djathtë besohet të kenë lidhje të forta me partnerë europianë.

Në mars,  Brezi i Rinovimit mori pjesë në një takim në Hungari që mblodhi përfaqësues të disa partive të ekstremit të djathtë nga Europa Qendrore dhe ajo Lindore, përfshirë Jobbik të Hungarisë, Aleancën Kombëtare Letoneze, Solidariteti Polak i viteve ‘80, Partia Popullore Konservatore të Estonisë dhe Lëvizja Kombëtare Bullgare, VMRO.

Lëvizjet kroate kundër abortit si «Në emër të familjes» dhe «Vigilare» janë gjithashtu të lidhura me organizata të ngjashme në Poloni, Republikën Çeke, Sllovaki dhe Hungari, edhe pse ato mohojnë të kenë pikëpamje ekstreme.

Klima populiste rrit profilin e ekstremit të djathtë

Bojan Perkov, nga Fondacioni Share, një OJQ që merret me lirinë dhe monitorimin në internet, thotë se ideologjia e ekstremistëve të djathtë po arrin tek të rinjtë, të cilët zakonisht mësojnë rreth botës përreth tyre nëpërmjet internetit.

«Duke pasur parasysh se organizatat e ekstremit të djathtë pothuajse nuk kanë asnjë qasje në median tradicionale, informimi i njerëzve të interesuar nëpërmjet rrjeteve sociale duket si një zgjedhje e thjeshtë», tha Perkov.

Ai theksoi se si grupe si Fronti Kombëtar Serb i përdorin shumë rrjetet sociale si Facebook, YouTube dhe Twitter.

Perkov shtoi se komuniteti i internetit karakterizohet nga fakti se anëtarët e tij shpesh mblidhen rreth një ideje, sesa një vendbanimi, profesioni apo ndonjë karakteristike tjetër personale.

Ai theksoi gjithashtu se si forumi Stormfront, një nga forumet e përmendura më shpesh në internet që lidh ekstremistët e djathtë dhe neo-nazistët, ka një seksion të veçantë serb.

Elvis Fejziq, nga Fakulteti i Shkencave Politike të Sarajevës, tha se aktivitetet e këtyre lëvizjeve duhet të monitorohen me kujdes.

«Idetë e lëvizjeve ekstreme të krahut të djathtë janë të rrezikshme, pasi ata nuk janë aktorë institucionalë kështu që është shumë e vështirë të kontrollosh aktivitetet e tyre», tha ai për BIRN.

Fejziq shtoi se këto lëvizje ishin bërë më të njohura pjesërisht për shkak të vështirësive ekonomike dhe sociale në rritje. Ai tha se situata nuk ishte dramatike, por se duhej mbajtur nën kontroll.

Në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ekstremizmi në internet duhet të rregullohet nëpërmjet ligjeve mbi gjuhën e urrejtjes dhe thirrjeve për dhunë. Por shumë pak çështje arrijnë ndonjëherë deri në gjykatë.

Isidora Stakiq, nga Qendra në Beograd për Politikë Sigurie, tha për BIRN se interneti kishte bërë të mundur që organizatat e ekstremit të djathtë të lidhen më lehtësisht dhe shteteve u mungonte vullneti për të luftuar këto kërcënime.

«Shtetet nuk po vënë në zbatim ligje për gjuhën e urrejtjes dhe aktet e urrejtjes», tha ajo, duke shtuar se shpesh ata reagojnë vetëm pasi incidentet e dhunës kanë ndodhur.

Lidhjet maqedonase me kroatët e ekstremit të djathtë
Javën e kaluar mediat sociale u mbushën me fotografi burrash të maskuar që hynë me dhunë në parlamentin maqedonas me qëllim të ndalonin votimin e deputetëve për kryetarin e ri të parlamentit.Ndër ta ishte një burrë i veshur me një bluzë të shoqatës së veteranëve kroatë të ekstremit të djathtë të Këshillit Kroat të Mbrojtjes, HOS.

Burri, që në Facebook u prezantua si Vlado Georgiev Chernozemski, përkrah hapur aleancën e ekstremistëve kroatë dhe ata nga Maqedonia.

Gjatë muajve të fundit, një grup OJQ-sh të reja «patriotike», qëllimet e deklaruara të të cilave janë mbrojtja e integritetit dhe karakterit unitar të Maqedonisë, po ndryshojnë formën e shoqërisë civile – në përputhje me dëshirat e partisë qeverisëse.

Brenda vetëm pak ditësh, tre shoqata të reja qytetare patriotike i janë shtuar regjistrit kombëtar të organizatave të Maqedonisë, shoqata «Lavovi», (Luanët), nga Manastiri, shoqata «Metodija Patce» nga Ohri dhe shoqata «Nepokor» (Të papërulurit) nga Struga.

«Metodija Patce», për shembull, përveçse qëndrimit për ruajtjen dhe afirmimin e trashëgimisë së revolucionarit maqedonas të epokës osmane Metodija Patce, shkruan në statutin e saj se ajo qëndron për «vazhdimësinë e plotë të historisë së Maqedonisë» që nga koha e Aleksandrit të Madh deri te mbreti mesjetar Samoil dhe kështu me radhë.

Shoqata qëndron gjithashtu për afirmimin dhe nderimin e personave të gjykuar në kohët komuniste për idealet e tyre të VMRO-së, duke iu referuar organizatës klandestine të kohës otomane, Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase ose VMRO.

Emblema e shoqatës, e cila tashmë është promovuar në rrjetet sociale, përmban sloganin historik të VMRO-së, «Liri a vdekje», bashkë me një pushkë të kryqëzuar me një shtizë, një granatë dore dhe një kafkë njeriu.

Rrjetet sociale në të cilat është postuar kjo emblemë janë të mbushura me komente si «Vdekje a liri për armiqtë e mallkuar dhe përçarjet midis popullit maqedonas».

Shfaqja e papritur e një OJQ-je të re «patriotike» vjen direkt pasi ish-kryeministri dhe lideri i sotëm i partisë VMRO DPMNE, Nikola Gruevski, në dhjetor bëri thirrje për ta «de-Soros-izuar» Maqedoninë, duke iu referuar organizatave centriste të dyshuara se financohen nga financieri miliarder amerikan George Soros.

Partia, e cila ka qenë në pushtet që prej vitit 2006, tani kundërshton ashpër edhe krijimin e lajmëruar të një qeverie koalicioni të udhëhequr nga opozita Social Demokrate, LSDM.

Ajo thotë se nëse LSDM vjen në pushtet, kjo do të ishte një fatkeqësi për Maqedoninë, për shkak të pranimit të dyshuar të opozitës të një pakete me kërkesa nga shqiptarët etnikë të njohur si «Platforma Shqiptare».

«Nepokor» me bazë në Strugë u krijua nga Ivica Tomovski, Rade Sajnoski, Antonio Meckaroski, Nikola Pentidis dhe Bojan Blazheski.

Shumica e këtij grupi, përsa i takon informacioneve të sugjeruara në rrjetet sociale, janë anëtarë të «Bashkimi i Forcave të Reja» të partisë VMRO DPMNE nga i njëjti qytet.

Edhe para se shoqata e tyre të shtohej në regjistrin qendror, të pesë themeluesit kishin postuar emblemën në profilet e tyre në Facebook.

Edhe ajo, të kujton emblemën historike të VMRO-së, që përmban revolverin e kryqëzuar me kamën, me një slogan «Gjithmonë për Strugën, Gjithmonë për Maqedoninë».

Njësoj si shoqatat e ngjashme me të nga Ohri, kjo shoqatë citon se ajo qëndron për afirmimin e personave që janë neglizhuar apo abuzuar nga regjimi i vjetër komunist jugosllav si edhe ata që u gjykuan nga regjimi komunist për besnikërinë e tyre ndaj idealeve të VMRO-së.

Statuti i shoqatës së tretë, «Lavovi» nga Manastiri, a cila u shtua në regjistrin qendror ditën e hënë, thotë se ajo qëndron për «ruajtjen e integritetit territorial, unitetit dhe karakterit unitar të Maqedonisë, ruajtjen e integritetit kombëtar të Maqedonisë, të gjeneve maqedonase nga antikiteti deri në ditët moderne, ruajtjen e linguistikës kombëtare dhe karakteristikave kombëtare kulturore, fetare dhe tradicionale maqedonase».

Kjo shoqatë citon gjithashtu se ajo do të qëndrojë për mbrojtjen e të drejtave të «mbrojtësve» – që do të thotë të veteranëve të policisë dhe ushtrisë nga konflikti i vitit 2001 me rebelët etnikë shqiptarë – ruajtjen e fitimeve të arritura nga NOB (Lufta Nacional Çlirimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore), si edhe për krijimin e një lobi të fortë maqedonas që synon mbrojtjen e interesave maqedonase.

Një nga themeluesit dhe kryetari i saj është Petar Hristovski, një ish-punonjës policie nga Manastiri dhe tani punonjës në një agjenci private sigurimi.

«Ne jemi një shoqatë krejtësisht qytetare, një shoqatë patriotike. Nuk kemi asnjë lidhje me asnjë parti politike. Shumë kohë më parë isha anëtar i një partie, por tani jam jashtë politikës», tha Hristovski për BIRN.

(https://www.reporter.al/grupet-e-ekstremit-te-djathte-ne-ballkan-lulezojne-ne-internet/)