Gruevski, prangat dhe grilat

Ai e nisi karrierën si modernizues i Maqedonisë dhe e shndërroi këtë vend pothuaj në pronë private me të gjitha fenomenet e egra ballkanike - korrupsion, klientelizëm dhe nepotizëm. Tani Nikola Gruevski mund të përfundojë në burg. Ky është një sinjal edhe për liderët e tjerë të rajonit.

Në shënjstër të drejtësisë: Nikola Gruevski.



Kriza politike në Maqedoni ka hyrë në vitin e tretë. Një betejë e ashpër mes partisë konservatore-nacionalste VMRO dhe opozitës së prirë nga socialdemokratët e ka paralizuar vendin. Në fillim të vitit 2015 lideri socialdemokrat Zoran Zaev i prezantoi opinionit disa përgjime, të cilat tregonin se qeveria e kryeministrit Nikola Gruevski me vite të tëra kishte keqpërdorur sistematikisht pushtetin. Rreth 20 mijë qytetarë mendohej se ishin përgjuar, mes tyre edhe politikanë dhe zyrtarë të sistemit të drejtësisë. Gruevski e nisi karrierën si modernizues i Maqedonisë dhe e shndërroi këtë vend pothuaj në pronë private me të gjitha fenomenet e egra ballkanike – korrupsion, klientelizëm dhe nepotizëm. Tani Nikola Gruevski mund të përfundojë në burg.

Prokuroria speciale e Maqedonisë ka njoftuar se ka filluar dy procedura kundër Gruevskit për shkak të dyshimit për korrupsion masiv. Ai dyshohet të jetë personalisht përgjegjës që ndërmarrjet maqedonase paguanin ryshfet për të fituar tenderë publikë nga qeveria. Sipas prokurorisë me paratë që ua merrte ndërmarrjeve Gruevski financoi partinë e tij VMRO. Madje edhe selia e partisë mendohet të jetë financuar me para ilegale. Në rastin e dytë të hapur kundër Gruevskit bëhet fjalë për 115 milionë euro, të cilat dyshohet të jenë vjedhur nga një tender për ndërtimin e një autostrade.

Këto dy procedura hetimore të hapura kundër Gruevskit konfirmojnë parashikimet e shumë analistëve se arsyeja e vetem përse VMRO bllokonte krijimin e qeverisë së re të udhëhequr nga socialdemokratët është frika nga drejtësia. Gruevski dhe ekipi i tij kanë arsye të jenë të frikësuar nga prangat dhe grilat për shkak të dyshmeve për korrupsion masiv, manipulim të zgjedhjeve, kontroll të drejtësisë dhe mediave.

Në një intervistë për «Huffington Post» ish-kryeminsitri maqedonas Lupço Georgievski deklaroi se presidenti aktual maqedonas Ivanov, kryeministri shumëvjeçar Gruevski dhe shumë funksionarë të VMRO-së me vite të tëra kanë keqpërdorur pushtetin, duke përgjuar mediat, gjykatat dhe institutet e ndryshme, por edhe politikanët, intelektualët dhe biznesmenët, përfshirë edhe ministrat e qeverisë, kur këta kanë folur për biznese kriminale. Sipas Georgievskit bëhet fjalë për 50 mijë protokolle përgjimi.

Hetimet që po zhvillohen kundër Gruevskit janë një sinjal edhe ndaj politikanëve të tjerë të rajonit: me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos të SHBA-ve dhe BE-së, herët apo vonë edhe politikanët më të fuqishëm mund të përfundojnë në pranga. Pas presionit ndërkombëtar në Maqedoni u themeluar Prokuroria Speciale. Po ashtu ishte presioni i madh i BE-së dhe SHBA-ve që detyroi partitë kryesore politike në Shqipëri të miratojnë një reformë zgjedhore, e cila, nëse zbatohet, mund ta pastrojë sistemin e drejtësisë të dominuar nga gjykatës e prokurorë të korruptuar deri në fyt.