Gruevski një orë para skadimit të mandatit, s’ka marrëveshje BDI-VMRO

Edhe një orë i kalon afati Gruevskit për ta prezantuar kabinetin e ri. Ndërohë nuk ka asnjë sinjal për një dakordësi me Bashkimin Demokratik për Integrim. Kundër një koalicioni me VMRO-në thuhet të jenë nënkryetarët e BDI-së.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.



Kreu i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski hyn në orën e fundit të afatit ligjor për formimin e Qeverisë. Për 60 minutat e ardhshme ai duhej të nënshkruajë marëveshje me BDI-në dhe deputetët të nisen drejt Kuvendit, të hyjë në procedurë dhe më pas të votohet propozimi për kabinetin e Qeverisë.

Në këtë periudhë kaq të shkurtër kohore nga selia e BDI-së nuk ka sinjale për ndonjë koalicion me Gruevskin dhe partinë e tij. Më herët zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, edhe zyrtarisht njoftoi se nuk ka as vendim të kryesisë, e as ndonjë marëveshje për koalicion qeveritar. Osmani tha se edhe më tej mbeten në tavolinë të gjitha skenaret.

Ndërkohë burime brenda BDI-së njoftojnë se çdo propozim që vjen nga VMRO-DPMNE hidhet në mënyrë kategorike poshtë nga tre nënkryetarët Nevzat Bejta, Izet Mexhiti dhe Teuta Arifi, si dhe anëtarët e tjerë të kryesisë qëndrore që janë kundër koalicionit me Nikolla Gruevskin.

Nëse deri në mesnatë nuk votohet Qeveria e re, atëherë nesër Gruevski duhet t’ia kthejë mandatin presidentit Gjorgji Ivanov dhe ky i fundit duhet tia japë një mandatari tjetër. Kushtetuta obligon që mandati t’i jepet partisë ose koalicionit që do të sigurojë shumicën në Kuvend. az