Gruevski largohet para zgjedhjeve, shqiptarët mbesin duarthatë

Pushteti maqedonas, opozita dhe faktori ndërkombëtar janë shprehur të kënaqur me marrëveshjen e arritur mes liderëve të katër partive më të mëdha politike në Maqedoni. Kjo marrëveshje pritet t’i japë fund krizës politike disa mujore në Maqedoni. Të vetmit që dolën të dëshpëruar janë shqiptarët, të cilët nuk fituan as vendimmarje me konsensus, as buxhet proporcional e as zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Shqiptarët humbën edhe dy zëvendësministra, në polici dhe financa.

Nga Arben ZEQIRI

Shkup

Nga data 1 shtator opozita maqedonase do të kthehet në parlament, ndërsa më 15 shtator do të zgjidhet prokurori i ri me pajtimin e të gjitha partive parlamentare. Ai do të ketë autorizim të plotë të hetojë të gjitha materialet e publikuara nga bisedat e përgjuara. Këto biseda mujave të fundit janë bërë publike nga shefi i opozitës socialedemokrate Zoran Zaev. Më 20 tetor do të caktohet një Ministër Teknik i Brendshëm, me propozim të partisë socialdemokrate LSDM dhe me aprovim të partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski VMRO DPMNE-së si dhe të partisë shqiptare BDI. Ministri i punës dhe politikës sociale do të zgjidhet vetëm me propozim të LSDM-së. Në këto dy ministri VMRO-DPMNE do të ketë dy zëvendësministra, ndërsa LSDM zëvendësministra do të ketë në ministrinë e financave, bujqësisë dhe administratës publike. Zëvendësministrat do të kenë të drejtë vetoje. Por, zhvillimet më thelbësore në Maqedoni pritet të ndodhin në fillim të janarit 2016, kur, sipas marrëveshjes, Qeveria do të japë dorëheqje në Kuvend në mënyrë që të lejojë formimin e Qeverisë së re. Kjo pritet të bëhet më 15 janar të vitit 2016, 100 ditë përpara zgjedhjeve që do të mbahen më 24 prill. Këto janë detajet kryesore të marrëveshjes mes partive politike të Maqedonisë, pas negociatave të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian. Marrëveshja parasheh që kryeministri Gruevski të largohet nga posti dhe qeverinë e re ta udhëheqë një kryeministër nga radhët e VMRO DPMNE-së.

Në opinionin shqipar në Maqedoni kjo marrëveshje e arritur natën nga e marta në të mërkurën ka shkaktuar reagime negative për shkak se nuk shihet ndonjë përparim sa i përket të drejtave të shqiptarëve apo rolit të tyre në jetën institucionale. Një marrëveshje e arritur më herët, më 2 qershor, parashihte që pushteti të obligohej në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. «Pikat që ndërlidhen me reformat sistemore, zgjedhjet, marrëdhëniet ndëretnike dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe integrimin euroatlantik, janë miratuar që më 2 dhe 19 qershor. Këto janë gjithashtu subjekt i punës së grupeve punuese të ndërmjetësuara nga BE dhe SHBA», deklaroi Artan Grubi, shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti.

Por, në marrëveshjen e re nuk gjetën fare vend vendimmarja me koncensus, ndarja proporcionale e buxhetit, përdorimi i gjuhës shqipe dhe simboleve. Kjo, sipas shumë figurave publike, intelektualëve, analistëve dhe partive më të vogla opozitare shqiptare flet për dështim të dy partive shqiptare BDI dhe PDSH që morën pjesë në negociata. Analisti Kim Mehmeti deklaroi se Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi nuk kanë përfaqësuar shqiptarët, por në bisedime kanë mbrojtur padronin e tyre, Nikolla Gruevskin. «BDI-ja dhe PDSH-ja bënë punën për të cilën paguhen dhe që e kanë bërë me vite: i ndihmuan punëdhënësit e tyre – qarqeve kriminele policore e politike të VMRO-së – që ‹shumë-etnikisht› t’i përballin sulmet e opozitës njëetnike! Kjo domethënë se nga shqiptarët e këtushëm kërkohet t’i harrojnë të gjitha të këqijat që ua bëri regjimi VMRO-BDI dhe të vazhdojnë të bëjnë atë që kanë bërë gjer më tani: të votojnë për BDI-në apo PDSH-në dhe kështu, me dorën e tyre, t’i zgjedhin vasalët shqiptarë», thotë Mehmeti.

Çka mbetet nga teprica e gostisë?

Publicisti Emin Azemi marrëveshjen e vlerëson si të «pastër maqedonase» dhe pa asnjë element me interes për shqiptarët. «Kur është mirë Gruevski e Zaevi, është mirë krejt Maqedonia deri në Grupçin, paçka se askujt s’po i intereson se çka po ndodhë përtej Grupçinit, përtej ‹Lagjes së Trimave› në Kumanovë, përtej urës së Bit Pazarit! Përfundimisht kemi një marrëveshje brendamaqedonase. Sa për shqiptarët, si zakonisht, duhet pritur çka po ngel nga teprica e gostisë», vlerëson Azemi. Ai në reagimin e tij u ka bërë thirrje të dy partive, që nëse nuk mund të bëjnë më shumë, t’ua lejojnë hapësirën forcave dhe kuadrove të reja politike shqiptare.

Kanë reaguar edhe partitë më të vogla politike shqiptare. Sipas Lëvizjes për Reforma në PDSH, e cila drejtohet nga Ziadin Sela, Ahmeti dhe Thaçi në takimet e liderëve kanë përfaqësuar vetëm interesin personal dhe as atë partiak, as të popullsisë shqiptare. «Lëvizja për Reforma në PDSH që në fillimin e aferës së përgjimeve pati reaguar se tendenca është ndërrimi i një pushteti me një pushtet tjetër, por esenca e qeverisjes karshi shqiptarëve me këtë lloj marrëveshjeje ngelet e pandryshuar. Nuk i pamë as shtatë kërkesat ‹e forta› të Menduh Thaçit dhe as Marrëveshjen e Ohrit të Ali Aliut. Pamë aktorët e procesit të montuar politik të Sopotit si LSDM dhe VMRO tek merren vesh për të vazhduar diskriminimin ndaj shqiptarëve dhe gishtat që shkuan më pas në takim për të nënshkruar vuajtjen e shqiptareve këtu në Maqedoni», thuhet në reagimin e LR-PDSH.

BE e vlerëson marrëveshjen

Sipas lëvizjes Besa problem kryesor për shqiptarët në Maqedoni paraqet sistemi dhe pikërisht këtu duhej të kërkoheshin ndryshime. «Derisa në atë marrëveshje nuk thuhet asgjë se do të ndryshojnë mekanizmat e funksionimit të shtetit, veçmas në aspekt të marrëdhënieve ndëretnike, ka pak ose aspak shpresë se kjo krizë nuk do të na përsëritet edhe në të ardhmen», vlerëson Lëvizja Besa. Më tujte ky grupacion vlerëson se marrëveshja duhej të parashihte edhe regjistrimin e popullsisë, zbardhjen e rastit të Kumanovës dhe të rasteve të tjera të montuara politike («Monstra», «Sopot», «Brodec»), përdorimin e gjuhës shqipe, vendimmarrjen konsensuale, shpërndarjen e drejtë të buxhetit dhe pika të tjera. Rilindja Demokratike Kombëtarë gjithë krizën e ka cilësuar si një teatër, ndërsa për zbatimin e marrëveshjes kërkon prani të faktorit ndërkombëtar, sidomos atij amerikan.

Katërshja evropiane Han, Hovit, Kukan dhe Vajgëll e kanë vlerësuar marrëveshjen si një hap i rëndësishëm për tejkalimin e krizës aktuale dhe sfidave kryesore me të cilat ballafaqohet vendi. Ata janë zotuar se BE do të monitorojë dhe ndihmojë në zbatimin e përpiktë të marrëveshjes. «Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian do të ndjekin me vëmendje zbatimin e kësaj marrëveshje në muajt e ardhshëm», thuhet në deklaratën e përbashkët. Marrëveshjen e përshëndeti edhe ambasadori i SHBA-ve, Xhes Bejli, i cili ka qenë i pranishëm në të gjitha takimet. «Maqedonia fitoi. Dua t’i lavdëroj liderët që e arritën marrëveshjen mbrëmë dhe i favorizuan qytetarët para interesave politike të partive. Vetë marrëveshja nënkupton shumë punë dhe plotësimi i rregullave nga kjo marrëveshje nënkupton që Maqedonia fuqishëm të lëvizë kah NATO dhe BE-ja», deklaroi Bejli.

«E vërteta për Maqedoninë»

Përveç që nuk fituan diçka të re dhe më madhore shqiptarët në Maqedoni me këtë marrëveshje humbën edhe dy poste të zëvendësministrave. Nuk bëhet fjalë për poste çfarëdo qofshin, por për funksionae në polici dhe financa të cilat partneri shqiptar në Qeveri BDI i kishte shpallur si arritje gjatë formimit të koalicionit qeverisës. Sipas marrëveshjes e cila Ministrinë e Punëve të Brendshme ia jep LSDM-së, posti i zëvendësministrit që tani mbahet nga Zemri Qamili do t’i takojë VMRO-DPMNE-së. Ndërkaq sipas marrëveshjes në fjalë, LSDM do të marrë postin e zëvendësministrit të finansave. Këtë post e ushtron tani Adrian Xheladini, kuadër i BDI-së. Nuk ka ndonjë njoftim nëse BDI do të marrë si kompensim ndonjë pozicion tjetër. Humbësi më i madh politik nga kjo marrëveshje është vlerësuar lideri i PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi. Për dallim nga opozita maqedonase, PDSH nuk arriti të marrë asnjë ulëse në Qeverinë teknike.

Kryeministri Nikolla Gruevski tha para mediave se e ka detyruar LSDM-në të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të prillit, që sipas tij opozita tentonte t’i shmangte me çdo kusht. Si Gruevski edhe Zaev opinionit iu drejtua në orët e para të mëngjesit, disa minuta pas nënshkrimit të marrëveshjes. Edhe ai shpalli fitore duke thënë se dorëheqja e Gruevskit deri në fund të vitit konfirmon qeverisjen e tij kriminale dhe vjedhjen e zgjedhjeve. «Me marrëveshjen e sotme u konfirmua gjithçka që unë, LSDM-ja dhe koalicioni opozitar e zbuluam me projektin ‹E vërteta për Maqedoninë› – se Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë qeverisin në mënyrë kriminale dhe korruptive, dhe se nuk fitojnë, por i vjedhin proceset zgjedhore. Nikolla Gruevski do të japë dorëheqje dhe nuk do ta udhëheqë Qeverinë që do t’i organizojë dhe realizojë zgjedhjet», deklaroi Zaev. Presidenti i vendit Gjorgje Ivanov ka shfrytëzuar rastin që të kërkojë nga Bashkimi Evropian që pas marrëveshjes t’i lejojë Maqedonisë fillimin e negociatave për anëtarësim.

Nuk ka më «bomba» të Zaevit

Arritja e marrëveshjes politike nënkupton edhe ndërprerjen e fushatës së publikimit të bombave të opozitës. Kjo ka ngjallur reagim edhe tek shqiptarët të cilët gjatë gjithë kohës kanë pritur materialet e përgjuara që kanë të bëjnë me rastin «Monstra», ku gjashtë shqiptarë janë dënuar me burg të përjetshëm. «Ju mund të jeni marrë vesh edhe për të varrosur përgjimin për procesin e montuar ‹Monstra› dhe me këtë të varrosni fatin edhe të dhjetëra familjeve shqiptare, por shqiptarët nuk do t’ju lejojnë, këtë mos e harroni», ka deklaruar Ziadin Sela të mërkurën pas arritjes së Marëveshjes. Por, lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, gjatë konferencës për shtyp u mundua të qetësojë shqiptarët. Ai tha se opinioni do ta mësojë të vërtetën gjatë trajtimit juridik të përgjimeve nga prokurori dhe komisioni parlamentar. «Prokurori i ri publik, me autorizime plotësisht të reja, në emër të projektit ‹E vërteta për Maqedoninë›, në mënyrë transparente do t’i pranojë materialet, ku në mënyrë transparente do të procedohen. Paralelisht përmes komisioneve parlamentare, përmbajtja e tyre do të arrijë te opinioni», ka premtuar Zaev.