Grueja me qorapë të larme dhe parfem Tuscany. Buqeta.

Foto: Shutterstock



(Per A.)

Ajo ishte grue flutur
Hyjdiste flokët manash si krahë fluture,
I lidhte me nji fjongo – flutur
vizatonte thojt me pikla margaritarësh p’ej flut’re
kombinonte bluzën me buzëkuqin
sytë me dekoltenë dhe qorapët e larme me gjithçka tjetër …

Sekush i tha ‘të dua’
Dhe ajo deshti me e besue
Sekush e vrau si në filmat e dobët triller
s’e di…

dhe û e kam dashtë hove-hove me ngé njat çast të amshueshëm
kam ikë frike
se ia prish spektrin nji flut’re…

Ajo ende thonë se vërtitet në univers si buqetë në pazarin e luleve
Në rrugë bjen në sy me hapin e saj teatral
Me shikimet e buta, t’folmen dramatike dhe ndjenjat e saj nokturne

Është vepër arti lëvizja e saj nervoze e krahëve, duerve…

Njat buqetë aromash Kosove përzie me Tuscany-n fatal
të paharrueshmen aromë grejfrutësh dhe lulash
në një bri buelli në kohë bollëku
që hapet ndaj aromave tjera, psh. duke e tretë erën e keqe të dioksidcarbonit të Obiliqit
Dhe pluhnin e gurit n’Han t’Elezit!???

Tuscany thonë që mbanë brenda nji livash të tanë lulash
ngrohtësi e ëmbëlsueme me mjaltë, aromë farash luledielli

thjesht kimi hyjnore

Nëntë lula erëmojnë në zemrën e këtij parfumi.
Lulemjalti, dorëZoja, trëndafili, lulë – portokallja, vjollca, jasemini, Ylang-Ylang, zambaku i lugajave dhe bozhuri.
(përveç ktyne përmban edhe erë zymbyli me ekspozim të naltë.)

Pasi lulet thahen e zbehen aroma ndërpritet paksa e të vjen si të ishte larg në syrgjyn
Të vjen çuditshëm e bukur dhe asht radha jote me u dorëzue
Sikur shtriheshim dikur në barin e njomë në livadhet mbi lagjen e Spitalit
Dhe trupat na miklonin lulet e zambakut
(Livadh i bamë sall për ne çilim fluturues.)

Kur A-jo kalon nëpër qytet hala njerëzit e kthejnë kryet me pa
njat univers ngjyrash fare pranë shkatrrimit

Njat spektakel aromash me e ndijue

Sa i ngjanë pemes indoneziane përjetësisht t’blerueme Cananga
e pashmangshmja
e vjel(dh)un nga hardhia ylang-ylang me nji etimologji impressive
që në fakt do të thotë shkretëtirë!

Të gjithë ndalen. Unë ik.
Kam frikë.