Greqia pranon të ekstradojë të dyshuarit për përgjimet në Maqedoni

Dy ish-oficerë të policisë sekrete në Maqedoni, të dyshuar në lidhje në përgjimin masiv të paligjshëm të regjimit Gruevski, ekstradohen në atdheun e tyre. Kështu vendosi një gjykatë greke.

Goran Grujevski dhe Nikola Boshkoski. Foto: Ministria e Brendshme Maqedonase.



Një gjykatë greke në Selanik miratoi kërkesën e palës maqedonase për ekstradim të dy ish-punonjësve të policisë sekrete lidhur me skandalin e përgjimit që përfshiu dhe rrëzoi qeverinë e mëparshme të Maqedonisë. Dy ish-oficerët e policisë, Goran Grujevski dhe Nikola Boshkoski, kanë pohuar se jeta e tyre mund të jetë në rrezik nëse ekstradohen në Maqedoni. Ata janë ankuar kundër vendimit në Gjykatën Supreme të Greqisë, sipas Agjencisë Maqedonase të Informacionit, njoftoi MIA.

Grujevski dhe Boshkovski kërkoheshin prej tre muajsh pasi gjykata penale e Shkupit urdhëroi ndalimin e tyre më 18 korrik. Greqia i arrestoi ata në tetor në aeroportin e Selanikut. Ata u kapën me pasaporta të rreme, në përpjekje për t’u larguar diku tjetër. Dy ish-punonjësit e policisë sekrete janë paditur nga Prokuroria Speciale e Maqedonisë, SJO, lidhur me rolin e tyre të dyshuar në skandalin e përgjimit të paligjshëm që shkaktoi një krizë politike në Maqedoni.

Ata akuzohen, ndër të tjera, në çështjet e koduara me emrin «Fortesa», «Fortesa 2» dhe «Shënjestra», për përgjim të paligjshëm dhe për shkatërrimin e pajisjeve të mbikqyrjes pasi skandali u zbulua nga Social Demokratët më herët në vitin 2015. Dëshmitë e tyre para gjykatës penale të Shkupit mund të hedhin dritë të rëndësishme mbi përgjegjësit në thelb të krizës politike. Në vitin 2015, Socialdemokratët akuzuan ish-kryeministrin Nikola Gruevski, se së bashku me kushëririn e tij, shefin e policisë sekrete, Sasha Mijalkov drejtuan mbikëqyrjen e rreth 20’000 njerëzve, përfshirë edhe ministrat e Gruevskit. Gruevski i ka mohuar akuzat. Megjithatë, problemi largoi dhe vendi u zhyt në një krizë politike dy-vjeçare që përfundoi vetëm në maj 2017 me rënien përfundimtare të Gruevskit dhe partisë së tij VMRO DPMNE. Një qeveri e re e udhëhequr nga Social Demokratët vazhdoi qeverisjen e vendit. Ndërsa Gruevski nuk është paditur drejtpërdrejt mbi pretendimet e mbikëqyrjes masive, kushëriri i tij Mijalkov dhe disa prej ish-vartësve të tij tashmë janë në gjyq për këtë çështje. (BIRN)