Grekët kanë zgjedhur varfërinë, mos u përzini

Është e qartë se qytetarët e Greqisë nuk kanë apetitit për modernizimin e shoqërisë, shkruan një profesor italian në gazetën e njohur «Finantial Times»




Ka më shumë se pesë vite që Greqia ka qenë shqetësimi më i madh i Evropës. Në vend se vëmendja e kontinentit të përqendrohej në punësim, imigrim ose në sfidën e Rusisë së Vladimir Putinit, Evropa ka kthyer gjithë vëmendjen kah një shtet që paraqet 1.8 për qind të prodhimit ekonomik të eurozonës. Do të ishte interesante të kalkulohej se sa orë ia ka kushtuar Angela Merkel Athinës gjatë pesë viteve të kaluara.

Imagjinojeni presidentin Barack Obama duke marrë pjesë për muaj me radhë në diskutime të niveleve të larta, ku në agjendë do të ishte gjendja e shtetit të Tennessees. Kjo në fakt ka qenë ajo me çfarë janë marrë krerët e Evropës.

Bota ka ndryshuar gjatë këtyre pesë viteve. Kina dhe India po kryejnë transformime të themelta. Xhihadistët e «Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit» (ISIS) paraqesin kërcënime të reja dhe serioze për Perëndimin, sikur se edhe revanshizmi i Putinit. Por krerët e Evropës, në vend se t’i përkushtohen në samitet e tyre gjetjes së kundërpërgjigjes më të mirë në mbrojtje të interesave tona ekonomike dhe ushtarake, ata janë në agoni çfarë të bëjnë me Greqinë.

Pesë vite negociata që virtualisht nuk kanë arritur asgjë, pak reforma që kanë nisur të zbatohen, si puna e reduktimit të vogël të numrit të të punësuarve në sektorin publik, janë bërë deri tani nga koalicioni i prirë prej Syrizas. Është e qartë se grekët nuk kanë apetit për modernizimin e shoqërisë së tyre. Ata nuk po lodhen fort për ekonominë që po rrënohet prej patronazhit.

Evropianët gjithashtu kanë bërë gabime. Prej momentit kur Athina iu bashkua unionit monetar, i kemi huazuar Greqisë jo më pak se 400 miliard euro, ose 1,7 herë më shumë se bruto prodhimi i brendshëm i vendit më 2013. Është koha që të vihet kontroll: ato kurrë nuk do të shpaguhen. Dhe është iluzion të mendosh, siç bëjnë nganjëherë finlandezët, që ne të marrim kompensim në njëfarë forme duke kërkuar disa ishuj grekë. Ka marrë fund epoka kur këtë do të mund ta bënte perandoria britanike. E shkuar, e harruar. Sa më shpejt që do ta kuptojmë dhe t’i harrojmë huat, aq më mirë do të jetë për ne.

Nëse grekët nuk dëshirojnë ta modernizojnë vendin e tyre, ne duhet të pajtohemi me këtë. Sipas mënyrës se si votuan shumica e grekëve për qeverinë e re gjashtë muaj më parë, shihet më së miri perceptimi i tyre. Popullariteti i madh i qeverisë së re në elektorat sinjalizon dëshirën që vendi të mbetet një shtet me të ardhura për kokë banori sa gjysma e Irlandës, dhe më pak se ato të Sllovakisë. Brenda disa vitesh, Greqinë do ta shkelë edhe Kili. Vetëm shpresoj se askush në Athinë nuk ëndërron se falja e borxhit dhe dalja nga eurozona ofron alternativë drejt rritjes ekonomike.

Pa reforma sociale dhe ekonomike, Greqia do të vazhdojë të mbetet një vend i varfër. Por nuk është punë e pjesës tjetër të Evropës që ta shtyjë Greqinë të ndërmarrë reforma. Evropa duhet ta bëjë të qartë kristal se pa reforma serioze, nuk do të ketë as hua të reja. E vetmja mënyrë që t’i huazohen para Athinës do të jetë që të bindet se tregjet do ta paguajnë faturën e tyre. S’ka më garanci të BE-së. Kjo duhet thënë troç.

Ne duhet të kthejmë gishtin kah vetja dhe të pyesim nëse është kaq e rëndësishme që ta mbajmë Greqinë brenda BE-së. (Duke pasur në mendje ndryshimin e traktatit, dalja prej eurozonës, nënkupton dalje prej BE-së.) Kriter nuk duhet të jetë mbrojtja e kredisë tonë: ka marrë fund kjo punë, ju pëlqeu a jo. As nuk duhet të ngulmohet fort se dalja do të ishte me pasoja të mëdha për pjesën tjetër: falja aksioneve Bankës Qendrore Evropiane.

Krerët evropianë nuk duhet të heqin dorë prej trajtimit të problemit grek si të ishte një çështje krejtësisht financiare. Lidhet me zemrën e integrimit evropian. Nuk ka asnjë fije dyshimi se projekti është zgjeruar si rezultat i unionit monetar (vetëm mendojeni vendimin për të hequr mbikëqyrjen bankare prej kontrollit kombëtar).

Por euroja nuk mund të jetë zëvendësim për integrim të mëtejshëm politik. Në të vërtetë, pa integrim të tillë, euroja nuk mund të mbijetojë – dhe sot, Greqia është pengesë në këtë rrugëtim.

(Autori është profesor i ekonomisë në Universitetin Bocconi në Milano)