Gratë në Gjilan ankohen për përfaqësimin minimal në media

Komiteti për Barazi Gjinore (KBGJ) ka vlerësuar se gratë e kësaj komune kanë përfaqësim minimal në media.




Gjylshen Berisha, kryetare e këtij komiteti, ka thënë se këshilltaret komunale fare pak janë prezente në media, shkruan sot «Koha Ditore».

Këto komente ajo i ka bërë gjatë mbledhjes së KBGJ-së, ku ka kërkuar më shumë punë në mënyrë që të arrihet promovimi i të drejtave të grave.

«Roli i medias në një shoqëri demokratike është i pazëvendësueshëm. Mediat mund të ndihmojnë shumë në promovimin e grave të suksesshme, përkatësisht në afirmimin e sukseseve të tyre, nëse hapësirën e tyre e ndajnë në mënyrë të barabartë. Burrat dominojnë ende jo vetëm në politikëbërje, në vendimmarrje, në kulturë, sport e gjetiu, por edhe në media. Hulumtimet kanë treguar se mediat që drejtohen nga gratë u kanë dhënë më shumë hapësirë grave. Ato që drejtohen nga burrat, janë treguar më të kufizuara», ka thënë ajo

Ndërsa ka paralajmëruar edhe një debat me këshilltaret komunale, por edhe me gratë e tjera në mënyrë që të identifikohen edhe ngecjet që kanë vetë gratë në këtë drejtim dhe pas këtij debati të dalin me konkluzione se çfarë duhet të bëhet në të ardhmen. «Po, ne do të bëjmë një debat dhe të shikojmë se ku janë ngecjet. Sepse për të pasur prezencë në media duhet të jetë një lajm dhe të trajtohet një problem. Në këtë kuadër ne do të bëjmë një bashkëbisedim edhe me gratë, në mënyrë që të shohim ku janë ngecjet dhe më pas të dalim me një strategji si do të ecim më tutje», ka thënë ajo

Ndërsa anëtari i Komitetit, Sabri Rexhepi, ka inkurajuar gratë që të lëvizin në promovimin e të drejtave të tyre në mënyrë që ato të kenë një rol më të madh në shoqëri. Ai ka thënë se kuota për përfaqësim gjinor ka krijuar që disa gra të jenë pasive në rolin e tyre. «Gruaja nuk duhet të presë prej dikujt tjetër që t`ia sigurojë barazinë, por duhet të jetë vetë më aktive. Kuota ka krijuar mundësi të përfitojnë edhe gra pasive», ka thënë ai

Por anëtari tjetër i Komitetit, Renan Imami, nuk është pajtuar me deklarimet e Rexhepit. «Pa kuotë, gratë nuk do të arrinin më shumë se 3-4 vende në Asamblenë Komunale, ndërsa tani i kanë 13 nga gjithsej 35», ka thënë Imami

Kurse Burim Elezi, zyrtar për integrime evropiane, ka thënë se historikisht gratë janë treguar të afta të udhëheqin procese të rëndësishme. Sipas tij, grave duhet krijuar hapësirë të barabartë për konkurrencë, sepse kuota nuk siguron përfaqësim cilësor.

Ndërkaq sa u përket emërtimeve të rrugëve, shesheve dhe bulevardeve, Gjylsene Berisha ka thënë se komisioni ka përfunduar punën e tij dhe është shprehur e kënaqur me respektimin e kriterit gjinor, duke nënvizuar se 120 rrugë, sheshe e bulevarde do të mbajnë emra të personaliteteve të gjinisë femërore.

Ajo ka thënë se deri tani emra të femrave kanë pasur vetëm 11 rrugë. Për këtë arsye, KBGJ-ja kishte kërkuar nga komisioni që të marrë parasysh më shumë emra të femrave gjatë procesit të emërtimit të rrugëve, shesheve dhe bulevardeve dhe kjo është përfillur aq sa ka qenë e mundur. Berisha tha se në fshatra kanë munguar propozimet.