Gratë e vendit tim




Si t’ju këndoj?
Bukurinë tuaj të famshme
të «gruas zezake»?
T’i këndoj lëkurës suaj
të zezë si mesnata
të çelur si okër?
Më shumë kam dëshirë të këndoj:
për sytë e tuaj të njomur,
që qajnë mbi fëmijët tuaj që vdesin
për duart tuaja me kallo
të zhytura thellë në ujë të ndotur
ose të futura në tokë
për të mbjellë ardhmërinë tuaj

barku i madh me fëmijën që po rritet
do ta shumojë bashkësinë
që sëmundja e ka ligështuar
dhe lufta e ka gjunjëzuar
puna juaj skllavëruese
do të shpërblehet me skllavërim të ri.

Unë i këndoj qëndresës suaj
madje edhe përballë terrorit
tirania mposhtet
nga rrufeja e durimit.

Motra, kur të vijë koha
rrufeja juaj
si ulërimë luani
durimin do ta shndërrojë në padurim
dhe do t’i ndezë drutë e njoma
me zemërimin e pafrenueshëm
dhe qëmoti të shtypur.

Përktheu: Enver ROBELLI