«Grande Ivica»

Në politikën ballkanike Ivica Daçiqi hyn në mesin e palaçove më të mëdhenj. Një kronikë mbi diplomacinë muzikore serbe, presidentin që i fton kinezët të vijnë të «binden» sa të bukura janë serbet dhe shefin e Kishës Ortodokse, i cili ka një kërkesë për gratë e Serbisë.

Aleksandar Vuçiq dhe një dhuratë nga Vladimir Putini: Ivica Daçiq. Karikaturë nga Corax.



Surinami e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kështu po thotë ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiqi. Këtë hap shteti në Amerikën Latine e paskësh ndërmarrë pas punës intensive të diplomacisë serbe, domethënë «pas punës sime» (Daçiqi në veten e parë). Nga Prishtina gjithçka përgënjeshtrohet. Shpifje, mashtrim, gënjeshtër e Daçiqit, sepse Surinami nuk e ka tërhequr njohjen. Në një portal kosovar një zyrtar i qeverisë citohej sot të ketë thënë se «raportet mes shtetit të Surinimat janë të mirë». Në këtë formulim ose ka gabuar gazetari ose këshilltari. Zor të merret me mend se këshilltari ka njohuri për raportet mes shtetit të Surinamit, me siguri fjalën e ka pasur për marrëdhëniet mes Surinamit dhe Kosovës. Sidoqoftë, gallatë në Beograd dhe shakara me zë të lartë në Prishtinë.

Në politikën ballkanike Ivica Daçiqi hyn në mesin e palaçove më të mëdhenj. Mban postin e ministrit të Jashtëm dhe nuk flet asnjë gjuhë të huaj. As anglisht, as frëngjisht, as italisht, as spanjisht, as gjermanisht. Vetëm serbisht. Ky nuk do të ishte problem i madh për Serbinë, nëse Daçiqi mungesën e kompetencës gjuhësore dhe diplomatike të mos përpiqej ta kompensonte duke kapur mikrofonin për të kënduar lloj-lloj këngësh. Herën e fundit i këndoi kryetarit turk. U tha se ndeja ishte e mbyllur, por çuditërisht pamjet «rrodhën» dhe opinioni mund të shihte Ivica Daçiqin duke kënduar këngën «Osman Aga», ndërsa sunduesi i Turqisë dhe gruaja e tij luanin rolin e të habiturve dashamirës, të cilët po e adhuronin një njeri që me mikrofon në dorë po ndërtonte një urë kulturore mes Beogradit dhe Stambollit, Kalemegdanit dhe Taksimit.

Për publikun palaçot kanë një përparësi: flasin relativisht hapur. Në gazetën bulevardeske serbe «Alo», Daçiq mbi diplomacinë e tij të këndimit shkroi: «Gjithkund jemi të mirëpritur, askënd më nuk po e gënjejmë… E di që tani shumë do të thonë: ‚mbylle, Ivicë, dhe këndo‘, por për këta të shqetësuar kam këtë porosi: do të bëj gjithçka për Serbinë. Po, i kam kënduar (Angela) Merkelit, Sergej Lavrovit, (Catherine) Ashtonit, (Edi) Ramës, (Rexhep Taip) Erdoanit dhe (Vladimir) Putinit, edhe Trumpit do t’i këndoj po qe e nevojshme, nuk trupërohem nga kjo. Diplomacia dhe fitoret diplomatike nganjëherë arrihen me këngë, sharm, humor të mirë, jo vetëm me ultimatum, reciprocitet dhe fuqi».

Ivica Daçiqi dhe sharmi. Me sa duket ministrii Jashtëm serb vërtet beson në këtë kombinim. Shkrimi në «Alo» nuk është i vetmi, ku Daçiq shpjegon shkathtësitë e tij diplomatike në mbajtjen e mikrofonit. Në gazetën «Blic» ai tregoi: «Kryetari i Palestinës Mahmud Abas më ka thënë se do t’i mbajë në mend dy mbrëmje: kur e ka martuar të birin dhe darkën me mua. Presidenti grek ishte i entuziazmuar sepse ia këndova ‚Mi mou thimonis‘ në greqisht. Sergej Shojgu dhe Sergej Lavrov kanë kënduar bashkë me mua. Angela Merkel, François Hollande, Catherine Ashton, Federica Mogherini kanë qenë të entuziazmuar. Hollande më ka thënë se jam ministri më i mirë në botë. Ashtonit i kam kënduar këngën ‚Më fal, Catherine‘ dhe kur shkova herën tjetër në Bruksel më kishin bërë gati një dhuratë. Ministri i jashtëm italian Alfano përherë më drejtohet me ‚grande Ivica’».

Kur presidenti francez të thotë «ti je ministri më i mirë në botë», atëherë duhet të jesh hajvan i madh nëse këtë e merr seriozisht. Shkolla e diplomacisë franceze është bërë e famshme për shkak se në mënyrë të sofistikuar të demaskon pa të fyer hapur. Në shkrimet e tij autoriale «grande Ivica» shpjegon se përse këndon: sepse, thotë ai, Serbia është vend i vogël, nuk ka para, «nuk jemi të mëdhenj dhe të fuqishëm», Serbia nuk ka bombë atomike. Domethënë po të kishte Serbia bombë bërthamore, «grande Ivica» do të kapej për fitilin e bombës dhe do të linte anash mikrofonin. Daçiq ka pranuar se shpesh presidenti Aleksandar Vuçiq i bën presion për të kënduar, sepse kjo «ka efekt». Kush e di si kanë funksionuar shtëpitë mbretërore dikur në Europë, e ka të qartë se ç’rol i është caktuar Daçiqit: palaço i oborrit. Ndërsa për Vuçiqin dihet – është mbreti: pas vizitës së Erdoanit shefi i kabinetit të kryetarit të Serbisë tha se takimi mes dy udhëheqësve i kishte kujtuar miqësinë mes Mbretit Aleksandar I dhe Mustafa Kemal Ataturkut. Në vitet ’30 Aleksandri i Serbisë dhe Mustafa i Anadollisë merreshin vesh për dëbimin e qindra-mijëra shqiptarëve në Turqi, në vitin 2017 mbreti Aleksandar V. dhe padishahu Rexhep Taip flasin për Serbinë si vend i përshtatshëm për investime.

Si «aset» tjetër të Serbisë Vuçiqi përmend edhe gratë e bukura serbe. Erdoanit nuk ia përmendi gratë serbe: presidenti turk është besimtar i madh, andaj vetëm po t’i shkonte mendja te gratë e bukura serbe, do të bënte mëkat. Kur ndoqi mësimet në gjimnazin fetar «Imam Hatip» Erdoan nga shokët e tij u quajt «Bilbili i Kuranit» (aq mirë e recitonte librin e shenjtë mysliman). Çfarë nuk ia merr mendja t’ia thotë Erdoanit, Vuçiqi ua thotë kinezëve. Kur vizitoi Kinën në maj, ai u përcolli kinezëve këtë porosi sa i përket karakterit dhe bukurisë së grave serbe: «Ato janë shumë sharmante, të mençura dhe shumë të fuqishme. Serbet kujdesen për veten, përherë janë të veshura bukur, ato përherë duan të prezantojnë në mënyrën më të mirë të mundshme jo vetëm veten e tyre, por edhe familjet e tyre, vendin e tyre, qytetet. Jemi krenarë që mund të themi se kemi gra shumë të mençura, shumë sharmante, andaj ju bëj thirrje kinezëve të vijnë dhe të binden vetë».

Sa i përket temës «Serbia dhe gratë në shekullin ’21»: patriarku Irinej duke shëtitur nëpër panairin e librit në Beograd këto ditë tha se serbet janë të obliguara të lindin. Sa shumë kërkohet nga serbet e mjera: presidenti i urdhëron ato të stolisen mirë për kinezët, ndërsa shefi i Kishës pret prej tyre të lindin sa më shumë fëmijë. Shyqyr që «grande Ivica» vetëm po këndon tani për tani. Se po ia nisi edhe ky të flasë për bukurinë e serbeve… Po flet për Surinamin tani. Pa marrë parasysh a është e vërtetë tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ky shtet apo jo, Daçiqi me këtë lajm përpiqet të mbulojë një lajm tjetër: njëri nga krerët e diplomacisë amerikane, Hoyt Brian Yee, bash ai që e përzuri në dreq të mallkuar diktatorin e vogël maqedonas Nikolla Gruevski, këto ditë gjatë qëndrimit në Beograd kërkoi nga Vuçiqi të mos prekë territorin e Kosovës dhe të largohet nga indikimi i Moskës. Daçiqi mund të vazhdojë me diplomacinë e tij muzikore, ndërsa patriarku Irinej më lehtë e ka t’i degradnojë gratë serbe në «makina të lindjes» në vend se të luftojë fenomenin e pedofilisë brenda mureve të kishave dhe manastireve serbe.