Grainca nuk dorëhiqet, sepse «më akuzojnë ndërtuesit pa leje»

Ferizaj, 21 shtator – Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka kërkuar që Kuvendi Komunal i Ferizajt ta kthejë në rishqyrtim vendimin për revidimin e planit rregullues për zonën I dhe VIII, si dhe vendimin për inicimin e procesit për revidimin e planit rregullues për këto zona.




Për këtë shkelje, organizata joqeveritare INPO, e cila monitoron zhvillimet në Komunë, i ka kërkuar kryetarit Muharrem Sfarqa shkarkimin e drejtorit të Urbanizmit, Faik Grainca, shkruan sot Koha Ditore.

Një kërkesë të tillë e ka parashtruar edhe opozita. Me pretendimin se ka shkelje në këtë proces, INPO ka bërë gjithashtu një kallëzim penal ndaj Graincës në Prokurorinë e Ferizajt për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në këtë organizatë kanë bërë të ditur se Grainca iu ka bërë presion dhe i ka shantazhuar për qëndrimin kritik ndaj punës së tij. Ka në vazhdimësi përplasje me shefin e tij Muharrem Sfarqa, porse pavarësisht kësaj situate, ai nuk e ka në plan të japë dorëheqje nga kreu i Urbanizmit. Në një bisedë për «Kohën Ditore», Grainca ka mohuar kategorikisht mundësinë për të dhënë dorëheqje, pavarësisht këtyre problemeve.

«Nuk jap dorëheqje, jam pastër me të gjitha proceset, kurse po më akuzojnë ata që ndërtuan me nga mbi 2 mijë metra katrorë ndërtime pa leje», ka thënë ai.