Grafitet mbi monumentet historike mbeten në modë në Bullgari

Pavarësisht nëse është vandalizëm apo art, bullgarët vazhdojnë t'i ngjyrosin monumentet për të dhënë deklarata politike dhe për të rimarrë në kontroll hapësirën publike.

Grafiti në monumentin e Partisë Komuniste Bullgare. Foto: Zoipman/Flickr



U deshën 27 vjet dhe shumë polemika për të përfunduar palenin e ndërtimit të një memoriali të viktimave të regjimit komunist të Bullgarisë në qytetin Burgas. Më në fund u zbulua këtë mars.

Vetëm një muaj më pas, më 1 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, monumenti u zgjua i mbuluar në grafiti, ku shfaqej fytyra e Georgi Dimitrov, liderit komunist bullgar dhe kreut të Ndërkombëtares Komuniste, Comintern, nga 1935 deri në 1943.

Prokurorët po hetojnë aktin, të cilin shumë e kanë quajtur një fyerje të kujdesës së 300 a më shumë qytetarëve të Burgas të cilët vuajtën nën regjimin një-partiak të Bullgarisë.

Megjithatë, vandalizimi i memorialit nuk është diçka e re për Bullgarinë. Ngjyrosja e monumenteve në këtë vend – kryesisht të atyre të periudhës komuniste – është shndërruar në një formë popullore arti, si dhe në një medium të shprehjes politike.

Trendi arriti kulmin në mars të vitit 2014, kur Monumenti i Ushtrisë Sovjetike në Sofje u ngjyros tri herë brenda javës.

Një tjetër monument sovjetik në një park aty pranë u shndërrua në një martenitsa të madhe – [kukulla druri të kuqe dhe të bardha të kulturës pagane].

Ivaylo Ditçev, një profesor i antropologjisë kulturore në Universitetin e Sofjes, tha për BIRN se akte të tilla ishin një formë vetëshprehjeje.

«Në periudhën komuniste ato monumente ishin shumë të ruajtura. Tani njerëzit i kanë përvetësuar ato dhe bëjnë ç’të duan me to», tha ai.

Art, politikë apo të dyja?

Ngjyrosja anonime e ushtarëve në Monumentin e Ushtrisë Sovjetike në Sofje si ikona të kulturës pop. Foto: timfootman/flickr

Ngjyrosja anonime e ushtarëve në Monumentin e Ushtrisë Sovjetike në Sofje si ikona të kulturës pop Superman, Ronald McDonald dhe Kapiten Amerika në vitin 2011 është padyshim ndërhyrja më e bujshme.

Fotografitë e punës së një kolektivi artistik anonim, Krijimi Shkatërrues, bënë xhiron e botës, duke tërhequr përgëzime nga dashamirës të artit dhe kritika të ashpra nga Rusia.

Ndërhyrja gjithashtu provokoi një valë ndërhyrjesh pasuese, të cilat e përdorën monumentin për të shprehur mesazhe të ndryshme politike.

Në vitin 2013, monumenti u ngjyros me rozë dhe mbi të u shkrua në gjuhën çeke «Bullgaria kërkon falje», duke iu referuar pjesëmarrjes së forcave bullgare në operacionin e udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1968, i cili shtypi «Pranverën e Pragës» në Çekosllovaki.

Në vitin 2014, ndërsa tensionet u përshkallëzuan në Ukrainë, monumenti përsëri u ringjyros, kësaj radhe me ngjyrat e flamurit ukrainas.

Qëndrimi zyrtar ndaj veprimeve të tilla është i paqartë. Ligji në Bullgari e klasifikon vandalizimin e monumenteve si krim – huliganizëm.

Por një gjykatë në Sofje në vitin 2014 nuk pranoi të dënonte dy aktivistë që ngjyrosën një statujë përpara selisë qendrore të Partisë Socialiste Bullgare, duke e cilësuar atë si një shprehje legjitime të mendimit politik.

Një anëtar i grupimit Krijimi Shkatërrues, duke folur me kusht anonimiteti, i tha BIRN se «mënyra më e lehtë është të kualifikohen të gjitha ato veprime si vandalizëm. Ne nuk po përpiqemi të bindim askënd për të kundërtën».

Por i njëjti artist këmbënguli se ka një ndryshim mes thjesht shkarravitjes së diçkaje në një monument ose shkatërrimit të tij dhe transformimit të monumentit për ta ripërkufizuar atë në një mënyrë të re.

«Mesazhi» i dërguar duke ripikturuar monumentin e ushtrisë sovjetike «nuk ishte kundër viktimave të Luftës së Dytë Botërore dhe familjeve të tyre. Ai shënjestronte propagandën dhe mënyrën sesi ajo ndryshon, pa ndryshuar njerëzit», shpjegoi ai.

«Ashtu sikurse Ushtria e Kuqe ishte hero para vitit 1989 [kur ra sistemi komunist], është tani Perëndimi», shtoi artisti.

«Kritika jonë është kundër faktit se figurat kanë mbetur të njëjta – ne nuk i zëvendësuam ushtarët me Supermenin dhe Kapiten Amerikën… ne vetëm sa i ndryshuam ngjyrën e rrobave», vazhdoi ai.

Situata në Bullgari është e ngjashme – vetëm sa u ndryshuan ngjyrat, sugjeroi ai.

Një problem me kujtesën historike

Monumenti i viktimave të komunizmit në Burgas. Foto: burgas24.bg

Profesor Ditçev tha se Bullgaria ka një problem me kujtesën historike sepse është e vështirë të arrihet një konsensus mbi çështje të tilla të ndjeshme mbi të shkuarën komuniste të vendit.

«Ajo që shoh është një betejë mes atyre [pro-komunistëve] dhe të tjerëve [anti-komunistëve]: ju ngjyrosni monumentet tona dhe ne do t’ua kthejmë te monumentet tuaja gjë që bie në kontradiktë me idenë e monumenteve», tha ai.

Njëkohësisht, Ditçev tha se akte të tilla nuk duhen marrë shumë seriozisht, pasi «monumentet nuk janë më ato që ishin në shekullin 19» kur simbolizmi i tyre merrej më seriozisht.

«Kjo është një mënyrë për të rinjtë të fitojnë kontroll mbi hapësirën publike. Arti bashkëkohor është ndëraktiv – kjo është bota moderne», tha ai.

Artisti anonim me të cilin BIRN foli pranoi se që nga ndryshimi pop-art i monumentit të ushtrisë sovjetike, një valë kopjesh kanë pasuar.

«Ne nuk e konsiderojmë këtë të keqe. Qartazi kemi nxitur një mënyrë të re të shprehjes së pakënaqësisë mbi gjëra të caktuara», sugjeroi ai.

Njëkohësisht, ai pranoi se arti kolektiv i tyre, projektet e të cilit tani përqendrohen në përmirësimin e mjedisit publik, ka hequr dorë nga piktura. Ai preferon «t’i veshë» monumentet.

«Problemi nuk është me vandalizimin e monumenteve – ato mund të rregullohen. Ne kemi probleme më të mëdha në Bullgari – si mungesa e ndjesisë së etikës kolektive dhe komunitetit», përfundoi artisti.

(https://www.reporter.al/grafitit-mbi-monumentet-historike-mbeten-ne-mode-ne-bullgari/)