Graçanica kërkon aneks-regjistrim të popullsisë

Komuna e Graçanicës është e interesuar të ketë edhe një aneks-regjistrim të popullsisë, pasi, sipas kryetarit të saj, Vladeta Kostiq, kjo komunë i ka 15 mijë banorë më shumë se që kanë dalë në regjistrimin e fundit, shkruan sot Koha Ditore.




«Planifikimi buxhetor dhe i tërë asaj që ka të bëjë me Komunën e Graçanicës është i planifikuar për 10 mijë banorë, kurse Graçanica i ka 25 mijë banorë. Këtë e mbështesim në faktin se, sipas listës zgjedhore, Graçanica i ka 21 mijë votues. Dalja në zgjedhje në 3-4 herët e fundit në Graçanicë ka qenë mbi 10 mijë veta.

Do të pajtohemi që në zgjedhje kurrë nuk dalin 100 për qind, përcjell koha.net. Dhe kemi bërë analizë që dalja në zgjedhjet lokale ka qenë 60 për qind dhe me një matematikë të thjeshtë vijmë te shifra 25 mijë banorë», ka thënë Kostiq.

«Unë jam shumë i interesuar që të bëhet një aneks-regjistrim i popullatës së Graçanicës, që ta dimë shifrën e saktë. Rastin e prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2016 në fshatin Kishnicë, ku kam qenë prezent, të gjithë shqiptarë kanë qenë, nga vetë shqiptarët aty ka lindur ideja dhe iniciativa që të bëhet një iniciativë për një regjistrim në Komunën e Graçanicës. Ne jemi shumë afër që këtë iniciativë edhe ta përkrahim dhe t’u ndihmojmë vetë qytetarëve që ta zbatojnë atë. Pastaj do të mbetet në nivelin qendror se a do ta përkrahin a jo, sepse ne si pushtet lokal nuk mundemi ta bëjmë vetë».