Graçanica e UNDP-ja me memorandum kundër korrupsionit

Kryetari i Komunës së Graçanicës, Vladeta Kostiq, dhe kreu i UNDP-së, Andrew Russell, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për luftën kundër korrupsionit në këtë komunë.




Kostiq ka thënë se ky memorandum paraqet nisjen e një lufte vendimtare kundër korrupsionit në Komunën e Graçanicës, shkruan sot «Koha Ditore».

Ai ka falënderuar UNDP-në dhe Agjencinë Zvicerane të Zhvillimit dhe Bashkëpunimit për të ndihmuar në realizimin e këtij qëllimi, i cili, sipas tij, ishte vendosur si prioritet edhe para zgjedhjeve lokale.

«Ne duhet vazhdimisht të luftojmë kundër kësaj të keqeje, pasi për shkak të korrupsionit as institucionet e as individët nuk mund të ecin përpara dhe nuk mund të kenë një standard të mirë të jetesës. Duke pasur parasysh se buxheti i Komunës së Graçanicës është i kufizuar dhe numri jo real i banorëve, kjo do të thotë për ne një ndihmë e madhe, sidomos që stafi ynë do të jetë më mirë i përgatitur për të dalë fitues në luftën kundër korrupsionit.

Si kryetar i Graçanicës do të përpiqem që tekstin e memorandumit ta zbatojmë», ka thënë Kostiq, njoftojnë zyrtarë të Graçanicës.

Ndërkohë shefi i UNDP-së, Andrew Russell, ka theksuar se procesi i çrrënjosjes së korrupsionit është i vështirë dhe i mundimshëm dhe merr kohë. Sipas tij, që kjo çështje të arrihet kërkon vullnet politik dhe natyrisht një plan.

Agjencia Zvicerane e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit mbështet financiarisht zbatimin e këtij projekti, për 20 vjet rresht është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit në shumë pjesë të botës.

Shefi i Zyrës zvicerane të Bashkëpunimit në Kosovë, Patrick Etienne, ka theksuar se analiza e komisionit ka vërtetuar se viktimat e drejtpërdrejta të korrupsionit janë persona të cilët nuk mund të marrin kujdesin e duhur shëndetësor, arsimin adekuat dhe punësimin.