Grabovci u premton protestuesve kompensimin e 25 milionë eurove

Premtimet e shefit të Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, se çështja e tyre do të zgjidhet shpejt, ka bërë që dhjetëra ish-punëtorë të Fabrikës së Tubave në Ferizaj të ndërpresin protestën e mbajtur të hënën, para Qeverisë.




Partia e Grabovcit është në koalicion me LDK-në, shefi i së cilës, kryeministri Isa Mustafa, në mars ua kishte bërë të ditur ish-punëtorëve se Qeveria nuk ka buxhet për t’ua kompensuar dëmshpërblimin, shkruan sot «Koha Ditore». Megjithëkëtë, protestuesit mbetën me shpresën se fjalët e Grabovcit mund të bëhen realitet. Ata nuk janë informuar se nga do të vijnë mjetet.

«Ademi na dha shumë fjalë premtuese, ai na tha që problemi juaj do të zgjidhet dhe madje shumë shpejt», ka thënë Ali Azemi, kryetar i Sindikatës së ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave, duke treguar për takimin me shefin e deputetëve të PDK-së.

Sindikalistët kanë bërë të ditur për gazetën se të hënën kanë zhvilluar takim edhe me njërin prej këshilltarëve të ministrit të Financave, Avdullah Hoti.

Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave kanë mbajtur më shumë se 200 protesta në kërkim të kompensimit të shumës prej mbi 25 milionë eurove. Ndërkohë janë bërë 505 ditë qëkur disa prej tyre janë duke qëndruar në grevë, në tendën e vendosur para ndërtesës së Qeverisë.