Grabovci: Opozita po manifeston dhunë në Kuvend

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Adem Grabovci, ka deklaruar se opozita është duke manifestuar dhunë në Kuvend duke i ndalur seancat dhe duke mos lejuar debatin.




Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se PDK-ja është e hapur për debat, por kjo nuk është lejuar në Kuvend për shkak se opozita është duke manifestuar dhunë dhe nuk është duke lejuar demokracinë në Kuvend.

«Kisha dashur që ky debat të zhvillohej në Kuvend, por qëndrimet e opozitës janë të njohura dhe po duhet të debatojmë këtu. Kemi treguar se jemi të hapur për të dëgjuar mendime tjera, të kundërta, oferta apo ide dhe më pas të bashkëpunojmë. Kjo nuk po ndodh sepse opozita manifeston dhunë. Kjo është e papranueshme. Qytetarët nuk e duan dhunën, kanë përjetuar dhunë në të kaluarën dhe i kemi akoma plagët e hapura», ka thënë Grabovci.