Grabitje e armatosur e kazinos në Prishtinë

Enis E. kishte qenë duke mbledhur pazarin ditor në kazinon «Play for win», në lagjen «Dragodan» të Prishtinës, kur në orët e hershme të mëngjesit të së dielës katër persona me maska, të armatosur me një kallashnikov dhe tri revole, kishin hyrë në lokal, shkruan sot Koha Ditore.




Plot dhjetë mijë euro ai kishte deklaruar në Polici në orën katër e gjysmë të mëngjesit se ia kanë marrë këta persona, të cilët akoma nuk janë identifikuar nga organet e ndjekjes.

Sipas përshkrimit që Elezaj kishte dhënë në Polici, megjithatë, thuhet se bëhet fjalë për persona të moshës 20 – 25 vjeç. Sipas informacioneve të ofruara nga burime brenda hetuesisë në Polici, personat e dyshimtë ishin larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë të markës «Golf 3», ngjyrë të kaltër, dhe me regjistrim 03, që i takon rajonit të Pejës.

Menaxherët e kazinos nuk kanë pranuar të flasin me gazetën rreth rastit.

Një punëtor të cilin gazeta e ka takuar në mëngjesin e së dielës në Kazino madje ka mohuar se atje ka ndodhur diçka. Mirëpo pas insistimit të gazetës ai ka telefonuar një menaxher, duke e pyetur nëse mund të jap intervistë për «Kohën Ditore» rreth «ngjarjes që ka ndodhur».