Gozhdimi i padrejtë i një deputeti që shtroi një pyetje të drejtë

A është normale që në çdo televizion e radio në Kosovë e Shqipëri gjatë pothuaj 24 orëve mund të dëgjosh «muzikë» me tekste vulgare dhe me gjuhë lavdëruese për lëndët narkotike dhe konsumuesit e tyre? Jo. Nuk është. Deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli nxiti një debat të rëndësishëm, andaj kritikat ndaj tij janë të pavenda. Nuk i thuren orë e çast himne kokainës as në mediat e Europës Perëndimore, siç tregojnë shembujt nga Amerika dhe Gjermania. Sidomos televizionet (veçanërisht ato publike dhe me frekuenca nacionale) kanë edhe mision edukativ.




Në Kosovë nuk duhet të ketë censurë. Nuk duhet të censurohet shtypi, nuk duhet të censurohen gazetarët, nuk duhet të ketë tema tabu, nuk duhet të ketë politikanë që nuk guxojnë të diskutojnë hapur për çështje të ndryshme, nuk duhet të ketë kufizime në të shprehurit e artistëve. Kosova synon të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Ndonëse kjo tani për tani duket utopi, besimi se një ditë edhe Kosova do të anëtarësohet në BE duhet të jetë lajtmotiv i shtetndërtimit.

Por, kjo assesi nuk domethënë se liria është e pakufizueshme dhe e keqpërdorshme. Para disa ditësh deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, mjek me profesion dhe gjithsesi shumë më i kualifikuar të flasë për deformimet që mund të shkaktojnë këngët e «repit vulgar» te fëmijët se jo pak kritikë të tij, u ankua se këngët e zhanrit «rep» shpesh përmbajnë fjalë tepër të rënda, të cilat të pafiltruara jehojnë në çdo dhomë dite e çdo kuzhinë kosovare. Insistimi i tij për të censuruar promovimin e drogës nëpër këngët e reperëve kosovarë u interpretua si një kërkesë për kufizim të lirisë dhe jo vetëm aq. Në mediat sociale deputeti u gozhdua, u tall, u përqesh, u ironizua, u quajt njeri me ide të vjetra, i prapambetur etj.

Çdokush që u deklarua kundër idesë së deputetit, përfshirë edhe reperët shpeshherë të nivelit më të ulët kulturor e artistik, pasi të marrë frymë thellë, mund të pyes: A është normale që në çdo televizion e radio në Kosovë e Shqipëri gjatë pothuaj 24 orëve mund të dëgjosh «muzikë» me tekste vulgare dhe me gjuhë lavdëruese për lëndët narkotike dhe konsumuesit e tyre? Jo. Nuk është. Në opinionin shqiptar në Kosovë e Shqipëri çdo devijim arsyetohet me pseudoargumentin se «kështu bëjnë edhe në Europë». Nuk bëjnë. Nuk i thuren orë e çast himne kokainës as në mediat e Europës Perëndimore. Sidomos televizionet (veçanërisht ato publike dhe me frekuenca nacionale) kanë edhe mision edukativ.

Një shembull nga Amerika, të cilin para disa vitesh e ka botuar gazeta gjermane «Die Zeit»: Në dhjetor të vitit 1984 një grua amerikane shkoi me vajzën e saj 11-vjeçare në një dyqan disqesh dhe bleu Purple Rain të Prince. Nënë e bijë u kthyen në shtëpi dhe dëgjuan këngën «Darling Nikki». Aty Prince këndon për Nikki: «Guess you could say she was a sex fiend / I met her in a hotel lobby / Masturbating with a magazine». E tronditur nga përmbajtja e tekstit nëna vendosi të ndërmarrte diçka. Vitin tjetër bashkë me gra të tjera themeloi «Parents’ Music Resource Center» (PMRC) me qëllim që industrinë e disqeve ta bind që të ndërmarrë diçka në paralajmërimin e blerësve. Në fund u vendos që çdo disku t’i ngjitet një etiketë: «Parental Advisory – Explicit Lyrics». Nëna e mllefosur quhet Tipper Gore, ajo është gruaja e ish-zëvendëspresidentit amerikan Al Gore, i cili është laureat i Çmimit Nobel për Paqe. Nëse Tipper Gore është grua e prapambetur, joprogresive, atëherë kjo etiketë mund t’i ngjitet edhe një deputeti kosovar, i cili nxit një debat të rëndësishëm, por ky debat në viset shqiptare shpejt degradon në sharje, linçime, shpifje, kërcënime, tallje me gjoja prapambeturinë kulturore etj.

Gjermania ka një zyrë për verifikimin e mediave që janë të rrezikshme për të rinjtë (Bundesprüfstelle für jugendgefährdende Medien). Kjo zyrë verifikon filmat, televizionin e radion, disqet, internetin, shtypin. Haxhi Avdyli nuk bëri kurrfarë mëkati me propozimin e tij. Nuk domethënë që ai propozim një më një futet në ligj. Mjafton që propozimi të merret si kontribut për debat shoqëror. Nga ky debat mund të rezultojë diçka produktive dhe të mirë për shoqërinë dhe sidomos të rinjtë. Por, parakusht për këtë është që debati të mos kalojë në nivel të histerisë dhe diskualifikimeve.