Google po krijon tru kompjuterikë në Cyrih

Në Cyrih kompjuterët po bëhen më të zgjuar: Google po e nxit inteligjencën artificiale përmes një programi hulumtues në Zvicër.

Pamje nga qendra e Google në Cyrih. Foto: l i g h t p o e t / Shutterstock.com

Me sasinë e paparë të të dhënave të mbledhura Google dëshiron që maqinën e saj kërkuese dhe shërbime të tjera t’i bëjë akoma më të mençura. Një koncept që po përdoret shpesh është inteligjenca artificiale. Qendra e hulumtimit për zhvillimin e turëve elektronikë do të vendoset në Cyrih. Me këtë filiali zviceran i Google, i cili edhe ashtu është qendra më e madhe hulumtuese e ndërmarrjes jashtë SHBA-ve, fiton akoma më tepër rëndësi. Po planifikohet edhe një bashkëpunim më i ngushtë me Shkollën e Lartë Politeknike – ETH Zürich, ka transmetuar televizioni publik zviceran. Google shpreson që falë shtrirjes qëndrore të Cyrihut dhe cilësisë së jetesës që ka, të ndjellë ende më shumë studues.

Me një ekip prej disa qindra studiuesve në qendrën zvicerane synohet të nxitet i ashtuquajturi mësim mekanik. Përmes tij kompjuterët aftësohen që një proces të caktuar ta aplikojnë përsëri në mënyrë të pavarur. Kështu maqinat e fitojnë një aftësi që deri më tani njihet vetëm te gjallesat.

Për dallim nga truri njerëzor mësimi te maqinat zgjat ndjeshëm më shumë: Kompjuterët duhet njëherë të furnizohen me vëllime gjigante të dhënash, deri sa të fillojnë të funksionojnë algoritmet e tyre. Dhe Google mund të përfitojë nga fondamenti gjigant i të dhënave i mbledhur në vitet e kaluara.

Realisht nuk është vetëm maqina kërkuese Google e cila angazhohet në fushën e mësimit mekanik. Vlerën e kësaj teknologjie e kanë mësuar edhe Facebooku, Microsofti apo IBM-i. Të gjithë këta prej vitesh janë duke investuar shuma të mëdha në këto studime. Ndërkohë edhe aftësia llogaritëse është mjaftueshëm e zhvilluar, ashtu që kompjuterët të mund t’i shfrytëzojnë këto të dhëna për të mësuar. ks