Gomarllëku nuk është humor

Lojëra me bomba dhe me një «arab kosovar»: mbi një spot kinse humoristik të Bendrit Bajrës, i cili mundohet të argëtojë opinionin zviceran dhe dështon pa fund.

Ilustrimi: Shuttertock



Ka një kohë që në mediat sociale qarkullon një video: një njeri me veshje tradicionale arabe ua hedh njerëzve para këmbëve një çantë dhe largohet me shpejtësi nga aty. Të tmerruar njerëzit ikin me vrap marramendës. Ata në mendje kanë terroristin arab, mysliman, islamist, i cili bredh në botën perëndimore me mision vrastar. Çanta nuk shpërthen, sepse nuk ka asgjë në të, është vetëm një aksion humoristik – i njohur si «bombe prank».

Një lojë e tillë nuk ka të bëjë asgjë me humor. Është frikësim i njerëzve në kohëra të terrorit, kur kasapët që thirren në fenë islame vrasin me dhjetëra njerëz në Francë e Gjermani së fundi, më herët në Londër e Madrid. Vitin e kaluar policia në München arrestoi dy afganë, të cilët bënin sikur po kryenin një sulm terrorist dhe ngjarjen e incizuar do ta postonin më vonë në mediat sociale me shpresë së do të merrnin shumë klikime. Zëdhënësi i policisë së Münchenit atëbotë kishte thënë se lehtë ka mundur të ndodhë që një polic të çojë dorën në armë përballë aksionit të afganëve. Sipas tij barsoletat marrin fund kur kalojnë në fushën e kërcënimeve apo veprave penale. Shkaktimi i panikut nuk ka të bëjë asgjë me humor.

Një gjë të tillë tani e ka bërë edhe humoristi i ri dhe mendjelehtë nga Kosova Bendrit Bajra. Skena duket kështu: me gjasë pranë liqenit të Zürichut Bajra dhe një person i quajtur Jeton Hysenaj (i njohur si «Tele Toni»), i cili është veshur si arab tradicional, paralajmërojnë një «bombe prank». Aksionit i paraprinë Bajra, i cili i pyet njerëzit nëse mund ta lë çantën para këmbëve të tyre, pastaj vjen Jeton Hysenaj i veshur si arab, llomotit diçka si arabisht dhe ndërsa hallakat çantën njerëzit ikin në panik.

A është ky humor? Sipas Bajrës dhe Hysenajt po. Në fund të spotit të tyre ata këtë lojë me bomba duan ta shesin si angazhim për mirëkuptim fetar. Hysenaj thotë se feja është fe dhe njerëzit janë njerëz – një definicion ky mjaft filozofik dhe pa asnjë kuptim. Kuptohet fajin për frikën nga feja islame humoristët ia lënë mediave, të cilat gjoja po e teprojnë me raportimet e tyre mbi terrorizmin islamik. «Nuk ka fe të keqe, vetëm njerëz të këqij» – edhe kjo është njëra nga fjalitë që dëgjohet në video. Kush i lexon mediat cilësore perëndimore e di se raportimi për sulmet terroriste të fanatikëve islamikë është përherë i diferencuar dhe larg çdo paragjykimi ndaj fesë islame.

Bajra dhe Hysenaj kanë njëfarë talenti për humor, por me aksionin e fundit ata kanë nxitur reagime negative. Disa fansa të tyre e kanë quajtur lojën me bomba «bajate» ose shkurt dhe anglisht: «Bullshit». Për të dy humoristët e rinj do të ishte më mirë që talentin e tyre ta shfrytëzonin për humor më origjinal dhe jo për konfirmim të klisheve, për tallje permanente me komunitetin shqiptar, për lartësim të marrëzive shqiptare në përditshmërinë zvicerane, për propagandë të fshehur islamike. Kuptohet që secili humorist gëzon liri artistike të tallet me çdo marrëzi shoqërore, por humori përfundon aty ku shndërrohet vetëm në autokritikë bajate dhe në interpretim bardh e zi të realitetit. Parakusht i humorit të mirë është edhe një nivel i caktuar i mençurisë. Me rritjen e popullaritetit rritet edhe përgjegjësia. Sidomos për Bendrit Bajrën, i cili ka një numër relativisht të madh të simpatizantëve dhe është bërë i njohur edhe në mediat zvicerane.

Së fundi Bajra ka përgatitur një video sipas shembullit të humoristëve holandezë, të cilët i dërgojnë një mesazh presidentit Donald Trump për ta pranuar Holandën si vendin e dytë më të mirë në botë pas Amerikës. Parulla kryesore e Trumpit, siç dihet, është «America first». Shembullin e holandezëve e kanë ndjekur edhe shumë humoristë në vende të tjera, sidomos në Europë. (Videot e deritanishme mbi garën për t’u renditur pas Amerikës gjenden në këtë link: http://everysecondcounts.eu/). Përpjekja e Bendrit Bajrës nuk e ka gjetur vendin ende në ketë faqe interneti. Mbase për shkak të cilësisë.