Gol për Kosovën edhe jashtë fushës së futbollit

Në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lausanne të Zvicrës Serbia e ka humbur betejën juridike kundër anëtarësimit të Kosovës UEFA. Kjo është një fitore më shumë se simbolike e Republikës së Kosovës dhe dëshmi se vetëm këmbëngulja e palës kosovare në shtetësi mund të sjellë suksese.




Për Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lausanne të Zvicrës nuk ka asnjë dilemë: Kosova e ka vendin në UEFA, në unionin europian të futbollit. Sipas CAS pranimi i Kosovës në UEFA më 3 maj 2016 në Budapest ishte legjitim, sepse Republika e Kosovës është pranuar si «shtet i pavarur» nga shumica e vendeve anëtare të OKB-së.

Rrjedhimisht, Kosova mbetet vendi i ’55 anëtar i UEFA. Pala serbe kishte argumentuar se UEFA mund të pranojë vetëm ato federata futbolli, të cilat e kanë selinë në një shtet të pranuar nga Kombet e Bashkuara. CAS, siç pritej, argumentoi se janë shtetet përkatëse që e njohin një shtet dhe jo OKB si tërësi.

Në prag të takimit në Bruksel mes krerëve politikë të Kosovës dhe Serbisë, Beogradi e ka humbur betejën juridike kundër anëtarësimit të Kosovës UEFA. Kjo është një fitore më shumë se simbolike e Republikës së Kosovës dhe dëshmi se vetëm këmbëngulja e palës kosovare në shtetësi mund të sjellë suksese.

Për të zhvilluar këtë betejë të dy palët – Serbia dhe UEFA (që mbronte interesat e Kosovës) – angazhuan juristë me eksperiencë ndërkombëtare. Beogradi kontraktoi zyrën e avokaturës Lansky, Ganzger & Partner me seli në Vjenë për ta përfaqësuar Federatën Serbe të Futbollit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Avokati Gabriel Lansky i kishte deklaruar gazetës gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» se rasti për të ishte i qartë: statutet e UEFA-s dhe Karta e OKB-së nuk lejojnë pranimin e Kosovës.

Në një seri shkrimesh gazeta gjermane kishte krijuar përshtypjen se Kosovës i kërcënohej më e keqja – përjashtimi –  për shkak të argumenteve të zbehta juridike. Por doli e kundërta: Serbia mori një flakaresh juridik dhe politik si pasojë e fushatave të saj të pandërprera kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Për të rrëzuar argumentet serbe UEFA angazhoi disa avokatë të njohur si Sir Daniel Bethlehem, avokat i kurorës së Mbretëreshës britanike dhe ish-këshilltar kryesor juridik i ministrisë së Jashtme britanike, dhe Jan Kleiner, një avokat i specializuar në të drejtën ndërkombëtare sportive të zyrës së avokaturës Bär & Karrer në Zürich.

Vulosja e pranimit të Kosovës në UEFA nuk është një shuplakë vetëm për Serbinë, por edhe për një grusht qytetarësh të Kosovës që me shpoti e cinizëm e kanë komentuar ekzistencën e një kombëtareje kosovare të futbollit. Tani mbetet të shpresohet se lojtarët e Kosovës do të jenë më të shkathtë në fushën e blertë. Paraqitjet e deritanishme në kualifikimet për Kampionatin Botëror në Rusi lënë shumë për të dëshiruar. Autoriteteve të Kosovës u mbetet të investojnë shumë në infrastrukturën sportive dhe në përkrahjen e talenteve të reja.