Gjyshja e Kosovës

Pragë, Beograd, Londër, Washington: në 80 vjetorin e lindjes së Madeleine Albright, ministre e Jashtme amerikane gjatë luftës së Kosovës.

Madeleine Albright. Foto: Atdhe Mulla



Jemi shoqëri që harron shpejt. Të etur pas zhurmës së përditshme politike, të përplasur në vorbullin e intrigave, kombinimeve paraelektorale, planeve paszgjedhore, të preokupuar me hallet e përditshme dhe aderimet sa të papritshme po aq edhe të parëndësishme – ne harrojmë çdo ditë e më shumë. Në disa qytete të Kosovës ka rrugë që mbajnë emrin e Madeleine Albright, por sot, kur ajo mbush 80 vjet, një jubile padyshim i rëndësishëm i jetës, askush, asnjë institucion dhe asnjë medium, nuk solli në vëmendjen e publikut ditëlindjen e diplomates amerikane.

«Kam qenë 59-vjeçare kur zbulova rrënjët e mia hebraike», tha Albright pasi mori detyrën e ministres së Jashtme amerikane më 23 janar 1997. Ishte gruaja e parë në postin e shefes së diplomacisë. E mbajti këtë post në kabinetin e Bill Clintonit deri në vitin 2001. Origjina e saj hebraike luajti rol edhe në formulimin e politikës së jashtme amerikane. Ishte Albright ajo që kishte ndjeshmërinë më të madhe për të drejtat e njeriut. Nga viti 1993 deri në fillim të vitit 1997 ajo ishte ambasadore e SHBA-ve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe u ballafaqua me pasojat e politikës kriminale të Beogradit në Kroaci dhe sidomos në Bosnjë. Ndërsa diplomatë të tjerë (nga Britania apo Franca) përpiqeshin t’i fajësonin të gjitha etnitë në Bosnjë për shpërthimin e dhunës, për Madeleine Albright nuk kishte dyshim se agresori kishte emër: Slobodan Millosheviqi, Radovan Karagjiqi e Ratko Mladiqi me armatën e tyre dhe njësitë paramilitare. Kur mori postin e kryediplomates amerikane asaj nuk i duhej të ndiqte një kurs të shkurtër për të kuptuar politikën ballkanike.

Madeleine Albright u lind në një familje hebraike në Pragë më 15 maj 1937 me emrin Maria Jana Korbelová. 25 anëtarë të familjes së saj janë vrarë në Holokaust, gjenocidin nazist kundër hebrenjve. Në autobiografinë e saj kjo profesore e shkencave politike ka përshkruar rrugën e saj jetësore dhe të familjes së saj. Që në moshën dyvjeçare Albright u gjend në Londër, ku familja e saj iku nga terrori nazist në Çekosllovaki. Në vjeshtë të vitit 1945 i ati i saj u emërua ambasador çekosllovak në Beograd, ku u vendos me familjen e tij, përfshirë edhe «Madlenkën» e vogël. Pas puçit komunist në Pragë në vitin 1948 familja emigroi në SHBA. Më 1957 ajo mori shtetësinë amerikane. Prindërit i kishin folur asaj shumë për jetën si refugjatë, por jo edhe për origjinën hebraike. Madeleine u rrit me besimin katolik, të cilin e kishin përqafuar prindërit e saj. 60 vjet pasi babai i saj kishte shërbyer në Beograd si ambasador e bija e tij ishte njëra prej përkrahësve më venidmtare të bombardimit të këtij qyteti, prej nga kishte filluar fushata për vrsajen dhe pushtimin e popujve të tjerë të Ballkanit.

Gjatë kohës së ushtroi detyrën e ministres së jashtme ajo e quajti Amerikën një «komb të pashmangshëm», pa të cilin nuk mund të zgjidhen shumë probleme. Gjatë fushatës së fundit elektorale ajo ishte kundërshtare e rreptë e Donald Trumpit dhe përkrahur Hillary Clintonin. Albright u bëri apel grave të votojnë kandidaten demokrate duke thënë se në ferr ekziston një sektor për gra, të cilat nuk i përkrahin gratë. E zemëruar me deklaratat urrejtëse të Trumpit kundër të huajve, e sidomos myslimanëve, Albright paralajmëroi se në shenjë solidariteti me myslimanët do të regjistrohej si myslimane.

Në biografinë e saj ajo flet hapur për problemet me të cilat përballet një grua mes burrave në diplomaci, ajo nuk i fsheh dobësitë e saj, tregon me sinqeritet për dështimin e martesës dhe përkundër fuqisë së padiskutueshme të SHBA-ve nuk përpiqet të duket si shpëtimtare e botës.

Si grua dhe si diplomate Albright ka rrezatuar përherë elegancë. Në paraqitjet e saj publike nuk mungojnë stolitë simbolike: vathët dhe karfica e vendosur në jakë në formë të pëllumbave të paqes. Një dhuratë nga Lea Rabin, e veja e ish-kryeministrit të vrarë izraelit, Jicak Rabin, siç ka shpjeguar ish-ministrja e Jashtme amerikane. Historia e stolive të zonjës Albright është legjendare. Kur Sadam Huseini nga Bagdadi e kishte quajtur «gjarpër», diplomatja amerikane – atëbotë ambasadore e SHBA-së në OKB – ishte shfaqur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit me një stoli në jakë në formë gjarpri. Njëherë ajo e kishte përshëndetur liderin palestinez, Jasir Arafatin, me një grerëz në jakë, një shenjë e qartë e disponimit të sekretares së shtetit kundrejt kryeneçësisë së Arafatit në procesin paqësor.

Ndonëse e njohur si intervencioniste, Albright mendon se pushtimi i Irakut është katastrofa më e madhe e politikës së jashtme amerikane. «Ka dështuar politika, e cila e ka ndarë botën në të mirë dhe të këqij. (…) Iraku është shkaku i shumicës së problemeve. Ka qenë një luftë e dëshiruar, jo e nevojshme, e cila jo patjetër është dashur të zhvillohet në momentin e zgjedhur kohor, sepse ne ende nuk i kishim kryer punët tona në Afganistan”, ka thënë Albright në një intervistë me radion gjermane Deutschlandfunk. Ajo është kritike edhe ndaj retorikës që e barazon fenë islame me terrorizëm. «Islami nuk është fe e luftës. Shumë njerëz i ndërlidhin terroristët me islamin – ky është gabim. Në realitet islami është fe paqësore. Ekstremistët radikalë barazohen me islamin. Ne, ndërkaq, nuk lejojmë që feja e krishterë të definohet nga Ku-kluks-klani», ka deklaruar Albright në një intervistë me gazetën gjermane «Süddeutsche Zeitung».

Një temë e përhershme e saj mbetet Kosova, ku ajo gëzon imazhin e një heroine, në vende të tjera, ndërkaq, e fyejnë si «kriminele e luftës», së fundi në Pragë në vitin 2012 nga ana e anëtarëve të shoqatës «Přátelé Srbů na Kosovu» (Miqtë e serbëve në Kosovë). Para disa vitesh Albright ka thënë se njerëzit në Kosovë dinë ta çmojnë faktin se tani janë pjesë e botës së lirë: «Pas fitores sonë në Prishtinë u mblodhën shumë njerëz, të cilët bartnin transparente ku shkruante: Faleminderit, Amerikë! Çfarë më gëzon edhe më shumë: vitin e kaluar, më 4 korrik, në ditën e Pavarësisë së Amerikës, atje u mbajt një koncert i madh roku. Aty kam kuptuar se Kosova vërtet është një vend ku neve amerikanëve na duan. Mua po më tregojnë se atje është një gjeneratë e vajzave, të cilat mbajnë emrin Madeleine. E pranoj: kjo është një ndjenjë shumë, shumë e mirë».

Albright ka folur edhe për sulmet e vazhdueshme që i bëhen asaj nga Serbia, madje drejtori i kopshtit zoologjik të Beogradit me qejf lavdërohej para vizitorëve me një kobra, të cilën në vitin 1999 e ka pagëzuar me emrin «Medeleine». «Kjo nuk më befason. Edhe Arafati më ka quajtur gjarpër. Serbët më urrejnë edhe më shumë. Ata, me sa duket, ende besojnë se unë jam fajtore për mjerimin e tyre dhe jo Slobodan Milosheviqi dhe ideja e tij e çmendur për perandorinë serbomadhe. Unë kam qenë në Vukovar, kur qyteti ende ishte në duar të serbëve, dhe kam dashur të përzihem mes popullit të thjeshtë. Por njerëzit iknin. Meqë unë e kuptoj gjuhën (serbishten), kam dëgjuar se si më quanin kurvë. Më kanë gjuajtur me gurë», ka treguar Albright. Ajo ka thënë se nuk beson që do të shkojë ndonjëherë në Serbi, në një vend «ku mua më quajnë kurvë amerikane». Ka një vend ku Albright do të pritet përherë me dashamirësinë më të madhe. Ai vend është Kosova.