Gjyshi i Trumpit u dëbua nga Gjermania – për shkak se nuk kreu ushtrinë

Dokumente historike nga arkivat gjermane tregojnë: gjyshi i Donald Trumpit u dëbua nga Gjermania për shkak se nuk kishte kryer shërbimin ushtarak.

Kallstadt, vendlindja e paraardhësve të Donald Trumpit.

Friedrich Trump, gjyshi i Donald Trumpit, u lind në Kallstadt, një komunë në krahinën e Rheindland-Pfalzit. Që në moshën 16-vjeçare ai emigroi në New York, ku jetonin motrat e tij, por sërish u kthye në Kallstadt. Këtu martoi një vajzë të komshinjve, Elisabethen, e mori me vete në New York, por sërish u kthye në vendlindje për shkak se gruas së tij nuk i pëlqente të jetonte në Amerikë. Pas shkuarje-ardhjeve Friedrich Trump kërkoi t’i jepet sërish nënshtetësia gjermane, e cila iu refuzua – për shkak se nuk e kishte kryer shërbimin ushtarak. Për shkak të moshës së tij ai s’mund të kryente më shërbimin ushtarak.

Siç shkruan gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung», duke u bazuar në të dhënat e historianit Roland Paul, Friedrich Trump u kishte dërguar disa letra autoriteteve, ku shpjegonte situatën e tij dhe kërkonte t’i jepej shtetësia. Mirëpo, nuk pati sukses.

Siç shkruan Paul në revistën «Pfälzer Heimat», Trump emigroi në SHBA në vitin 1885 pa u ç’lajmëruar në mënyrë të rregullt nga bashkësia shtetërore e Bavarisë. Në një letër të autoriteteve të datës 27 shkurt 1905 thuhet se shtetasi amerikan dhe pensionisti Friedrich Trump qëmoti deri më 1 maj të vitit vijues është dashur të lëshojë territorin e Bavarisë, përndryshe duhet të llogaris me dëbim.

Pasi as lutjet e shumta nuk bënë punë, Friedrich Trump braktisi Gjermaninë më 1 korrik 1885 bashkë me familjen e tij. (-lli)